Eko Higjiena

Tregtarët fuqishëm mbështesin Qemajl Mustafën dhe PDK-në

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Kryetari i Komunës, Qemajl Mustafa, njëherit kandidat për mandatin e tretë qeverisës me Gjilanin, i shoqëruar edhe nga kryetari i Degës Izmi Zeka, kandidatët për këshilltar komunal, anëtarë të kryesisë dhe shtabit zgjedhor, por edhe nën shoqërimin edhe të drejtorit të kompanisë Eko – higjiena, kanë vizituar tregun e gjelbër nga ku kanë marrë mbështetje të fuqishme për këtë garë elektorale.

Me këtë rast kryetari Mustafa gjatë bashkëbisedimit me tregtarët ka marrë mbështetjen e fuqishme dhe përkrahje për garën e tre nëntorit. Tregtarët u zotuan se mbështetja e tyre shkon për kandidatin e PDK-së për kryetar Komune zoti Qemajl Mustafa dhe për listën e asamblistëve, ngase sipas tyre PDK dhe kryetari Mustafa, janë dëshmuar për 6 vjet se janë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Komunës së Gjilanit. Mbështetje i kanë dhënë poashtu edhe blerësit, të cilët janë ndarë të kënaqur me angazhimin e sinqertë të kryetarit të Komunës për 6 vjet me radhë.

Mustafa, i ka informuar tregtarët por edhe blerësit, se tregu nuk është në shitje, nuk do t’i shitet askujt, ai do të investohet dhe do të bëhet një ambient modern dhe me standarde. Tregu i gjelbër pas investimit të tij, do të jetë i barabartë me qendrat tregtare siç është sot Interex, Viva Fresh etj. Investimi që do të ndodh në treg, bëhet vetëm për të mirën e tregtarëve, por edhe për të mirën e blerësve. Ky humanizim i kësaj hapësire bëhet edhe për qarkullim më të madh të njerëzve, të mallrave, por edhe të parasë, e ky qarkullim do të ndryshoj shumë pas investimit të tij. Kushtet në të cilat ju do të punoni pas investimit të tregut mund të krahasohen me marketet tashmë të njohura të Gjilanit, siç është Viva, Interex etj. Pra tregu është përsëri i juaji, ka thënë kryetari duke shtuar se ajo që do të bëjmë ne është modernizimi i ambientit.

Si institucione, ne punojmë për ta rregulluar qytetin, punojmë për të mirën e qytetarëve, të zhvillimit ekonomik, andaj investimi në treg është interes së pari i juaji si tregtarë që jeni këtu, i blerësve poashtu, por edhe i Komunës sepse rregullon këtë hapësirë që tani nuk është ashtu siç ne e kemi planifikuar, por e rrit edhe qarkullimin e mallit tuaj.

UBT

Edhe sa i përket taksave në kufi, Mustafa ka thënë se së bashku me kryetarin e Komunës së Preshevës dhe të Bujanocit në mbështetje të plotë të kryeministrit të Republikës së Kosovës zoti Hashim Thaçi, është marrë vendim që ato të hiqen. Ai i ka informuar ata se taksat sot janë zero atje dhe kjo nuk është vetëm për një afat të caktuar, siç është manipuluar me opinionin kinse janë hequr vetëm për dy javë, por ajo taks do të jetë përherë zero për qytetarët.

Tregtarët pos që ishin falënderues për angazhimin e kryetarit për heqjen e taksës kufitare, që thanë se menjëherë ka nisur të vërehet për së miri, jashtëzakonisht mirë e kanë pritur edhe zotimin e kryetarit për investimin e tregut dhe modernizimin e tij, duke e garantuar atë se mbështetja e tyre dhe e familjeve të tyre do të jetë maksimale.

Ata këtë e kanë thënë duke u bazuar në punën e mirë që është bërë për disa vite të qeverisjes së PDK-së dhe kryetarit Mustafa.

Ne jemi me ju, sepse ju ishit përherë pran kërkesave tona. Ju urojmë fitoren që tani, sepse ju jeni larg më të mirë se të tjerët dhe të dëshmuar poashtu ishin fjalët e shumicës absolute të tregtarëve thuhet në njoftimin e degës së PDK-së në Gjilan./rajonipress/