Fundamenti

Tre vëllezërit Ajeti, afër realizimit të ëndrrës së tyre të madhe

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

„Ajeti 1 e gjuan topin te Ajeti 2, ky e pason te Ajeti 3 – dhe goool“. Kjo është tash për tash ëndrra që tre vëllezërit Ajeti duan ta shohin sa më shpejtë të kthyer në realitet.

„Mund të vijë ajo ditë kur përgjegjësit për fanellat e futbollistëve të FC Baselit do të kenë një problem: të vendosin mbishkrimet me mbiemrat e Arlindit (19 vjeçar) dhe vëllezërve të tij më të rinj, binjakëve Alban dhe Adonis (16 vjeçarë) ashtu që ato të kenë një dallim mes veti.

„Si ju duket propozimi im: Ajeti I, Ajeti II dhe Ajeti III?“ thotë Arlindi dhe qeshet. Si më i vjetri i vëllezërve, Arlindi është i vetmi që deri më tash ka mundur të bartë fanellën e ekipit të parë me mbiemrin Ajeti në shpinë. Albani dhe Adonisi, që luajnë për grupmoshat U18 respektivisht U21, ende nuk e kanë përjetuar këtë gjë por janë në rrugë të mirë për ta realizuar, shkruan gazeta „Schweiz am Sonntag“ në një artikull ë gjatë që i ka kushtuar tre vëllezërve Ajeti.

Nuk ka kaluar më shumë se një vit kur dy binjakët kishin marrë ftesë nga jo më pak se FC Barcelona. Ata do të ushtronin në shkollën e famshme të futbollit La Masia, nëpër të cilën kishin kaluar edhe Messi, Xavi dhe Iniesta. Atëbotë dukej e mundshme edhe një shpërngulje e gjithë familjes në Spanjë. Por në momentin e fundit, pas bashkëbisedimit ne mes të tre vëllezërve, nënës Sylbijes e babait Afrimit, ishte vendosur të mbeteshin në Bazel, Zvicër.

FIDANISHTJA

Ndryshe, siç shkruan gazeta në vazhdim, familja Ajeti është shumë e lidhur. Për çdo natë ata takohen bashkë në kuzhinë dhe bëjnë bilancin e ditës. Edhe pushimet e përbashkëta me prindërit në Kosovë janë të vetëkuptueshme për djemtë, me gjithë faktin se kanë arritur një moshë. Për Arlindin, shpërngulja nga banesa familjare do të ishte diçka absurde. „Unë nuk do të dija çfarë të bëja i vetëm në një banesë“, thotë ai.

Si më i madhi në mes tyre, Arlindi ndjehet përgjegjës për dy „të vegjlit“. Ndërsa edhe ata e vlerësojnë këtë rol të tij. Sepse, siç thotë Adonisi: „Arlindi është idhulli ynë. Ai na e ka treguar se si arrihet profesionalizmi“.

Ka qenë para dy vitesh kur trajneri i atëhershëm i FC Baselit, Thorsten Fink e kishte angazhuar në ekipin e parë dhe i kishte falur shumë besim. Por pasuesi i Finkut, Vogel nuk i kishte dhenë fare hapësirë ndërsa më i riu, Murat Yakin e ka angazhuar në mënyrë sporadike. Vetëm javën e kaluar ai e futi befasisht që nga fillimi i lojës, në ndeshjen kundër FC Aarau, për ta zëvendësuar Dragovicin e pezulluar. Pas fitores 3:1 Yakin pati lëvdata për të.

Kontrata me FC Baselin, atij i kalon pas një viti dhe me dëshirë do të vazhdonte angazhimin në këtë mjedis. Ndërsa Adonisi dhe Albioni kanë nënshkruar në muajin prill si 16 vjeçarë kontratat e tyre të para profesioniste. Por ata nuk i kanë akoma „telashet“ e profesionistit që i ka vëllai i madh, Arlindi. Ata duan që dita e angazhimit në skuadrën e parë të vijë sam ë shpejtë. Ditë kjo kur ata do ta dëgjojnë komentatorin e futbollit në televizion duke thënë: „Gjuajtja nga Ajeti I te Ajeti II, më tej te Ajeti III dhe goool!“./albinfo/