Tre të arrestuar për krime lufte në Skënderaj

Policia e EULEX-it, e asistuar nga forca të mëdha të Policisë Speciale të Kosovës, të gjithë të maskuar, kanë rrethuar të enjten herët një banesë në Skënderaj dhe një shtëpi në Llaushë. Ata përreth katër orë, kanë bastisur shtëpitë dhe banesën, ndërkohë që kanë arrestuar dy vëllëzër, Rrustem Gecin, me banim në ndërtesën e ashtuquajtur “Morava e Binçes” dhe Hetem Gecin, me banim në lagjen “Gecaj” në Llaushë.
Policia është parë duke nxjerrë nga banesa e Rrustem Gecit, një kompjuter dhe disa dokumente, si Rrustemin, të prangosur, i cili është futur në njërin prej pesë xhipave të EULEX-it, të parkuar para ndërtesës.
Në të njejtën kohë, me të njejtin skenar është arrestuar edhe vëllai i tij në Llaushë, Hetem Geci.
Familjarët e tij kanë thënë, se policia ka pasur sjellje korrekte dhe se ata kanë biseduar vetëm me Hetemin, sipas tyre përreth 4 orë. “Pasi që kanë biseduar me të, policia e ka marrë me vete. Më shumë nuk di”, thoshte një fëmijë i kësaj familjeje.
Derisa po bëhej bastisja dhe arrestimit i dy vëllëzërve Geci, policia e EULEX-it dhe specialët e Policisë së Kosovës, kanë zhvilluar një aksion të njejtë për arrestimin e Sabit Geci, një i afërt i dy të arrestuarëve në Skënderaj dhe në Llaushë.
Halil Geci, xhaxhai i Sabitit, i ka thënë gazetës, se arrestimi i djalit të vëllait të tij është bërë në të njejtën kohë kur janë arrestuar edhe Hetemi e Rrustemi. “Edhe Sabitin e kanë arrestuar në të njejtën kohë kur është bërë arrestimi i këtyre dyve. Unë nuk kam informata se për çfarë arsye janë arrestuar ata, por mund të them se EULEX-i ka vazhuar me arrestimet e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe kjo është për t’u brengosur”, tha Halili, duke mos ditur për arsyet e arrestimit të tyre.
Merret vesh në ndërkohë, se të tre ata akuzohen për krime të kryera gjatë luftës, ndërsa sipas familjarëve, ata kanë angazhuar avokatin Tahir Rrecaj që t’i mbrojë.
Rrustem e Hetem Geci, janë pjesë e FSK-së, ndërsa Sabit Geci, i cili gjithashtu ishte pjesëtarë i TMK-së, banon në Prishtinë dhe punon në PTK.
Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga Llausha e Skënderajt kanë reaguar shoqatat e dala nga lufta. Në një reagim të tyre, thuhet se EULEX-i edhe një herë ka dëshmuar tendencën për ta njollosur luftën e drejt të UÇK-së, duke arrestuar ata që luftuan për ta çliruar vendin nga sundimi shekullor i Serbisë.
“Ka një tendencë që të njolloset lufta e pastër dhe e drejt e UÇK-së, duke arrestuar ata që ishin pjesë e luftës dhe të cilët me armë e përzunë armikun shekullor nga trojet shqiptare që i sundonte. Ata që vërtet bënë krime të mëdha, që vranë dhe masakruan civilë, shëtisin të lirë në veri të Mitrovicës, por edhe që herë – herë vijnë dhe i shikojnë vendet kah kanë kryer krime. Ata nuk i bezdis askush. Kjo është për të ardhur keq. Ne kërkojmë nga EULEX-i që t’i lirojë tre të arrestuarit, sepse edhe deri më tash është dëshmuar pafajësia e të gjithë atyre që u morën dhe u arrestuan. Ata janë të pafajshëm krejtësisht”, thuhet në një reagim të shoqatave të dala nga lufta në Skënderaj.
Për arrestimin e tre ish-pjesëtarëve të UÇK-së nuk kanë folur as zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, e as Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës.
Në një kontakt me telefon, ata vetëm kanë thënë se operacionin e arrestimit e ka zhvilluar EULE-i dhe se përveç që kanë asistuar në këtë operacion, Policia e Kosovës nuk ka qenë pjesë ekzekutive e arrestimeve. Merret vesh gjithashtu, se arrestimin e tre të dyshuarëve për krime lufte e ka konfirmuar EULEX-i.
Menjëherë pas arrestimit të vëllëzërve Rrustem e Hetem Geci si dhe të Sabit Gecit, nëpër Skënderaj është përfolur, se EULEX-i ka në listë për t’i arrestuar 10 persona të kësaj ane, si të dyshuar për përfshirje në krime gjatë luftës, do të thotë edhe shtatë të tjerë.(zeri)