Trazirat në veri, Rama: Kurti e Osmani nuk kanë kërkuar të konsultohen me mua – nuk jam baba i Kosovës

/ 7 minuta lexim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama thotë se as me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe as me presidenten Vjosa Osmani nuk kanë diskutuar për incidentet që po ndodhin në veri të vendit me popullsinë serbe.

Rama, në intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan,tha se nuk është kërkuar konsultim nga Kosova, e sipas kryeministrit, kjo është në të drejtë të tyre, pasi janë shtet i pavarur.

Sot dhe dje ju keni zhvilluar takime intensive në Bratislavë dhe më pas në Moldavi me aktorë politikë, keni takuar edhe Presidentin e Serbisë Vuçiq. A keni pasur kontakte me Kryeministrin Kurti dhe Presidenten Osmani?

Rama: Jam takuar po, jam takuar dje dhe sot po nuk kemi patur diskutim mbi këtë çështje, sepse është çështje që janë ata që vendosin nëse duan të diskutojnë ose jo.

Nuk e keni pyetur minimalisht Kurtin ose Osmanin çfarë po ndodh? Këto ditë a keni telefonuar ju Kurtin ose Osmanin për të marrë një informacion për të ditur çfarë po ndodh?

Rama: Jo nuk kam marrë sepse unë e shoh çfarë po ndodh dhe nuk është se ata janë fshehur, ata janë shumë të qartë në atë që thonë kështu që është shumë i qartë qëndrimi i tyre.

Asnjë komunikim mes Shqipërisë dhe Kosovës në nivel zyrtar për një ngjarje të tillë?

Rama: Jo, sepse është një çështje që është përgjegjësi dhe është kompetencë e plotë e Kryeministrit të Kosovës dhe në një farë mase dhe e Presidentes. Janë ata që vendosin që nëse dëshirojnë të diskutojnë ose jo për atë çështje, nuk jam unë i marr dhe i them. Është respekt për ta dhe institucionet e Kosovës sipas meje.

Raportet Shqipëri-Kosovë, edhe kur ka qenë një vendimmarrje që i takonte Kosovës, janë konsultuar me Shqipërinë edhe në momente të mira jo më në momente të vështira, sikurse dhe ne jemi konsultuar me ta. Çfarë ka ndodhur që nuk funksionon ky komunikim mes nesh?

Rama: Është konsultuar Kosova kur ka dëshiruar të konsultohet. Kur nuk dëshiron të konsultohet është totalisht në të drejtën e vetë. Nuk ka kërkuar të diskutojë këtë gjë me mua apo me ne në qeveri. Dhe është në të drejtën e vetë që të mos e konsultojë këtë gjë sipas meje.

Po Shqipëria nuk mund të jetë kaq indiferente.

Rama: Ne nuk jemi fare indiferentë. Pyetja është konkrete: A ka pasur një diskutim mes Kryeministrit të Kosovës dhe meje apo mes Presidentes së Kosovës dhe meje mbi këtë çështje? Jo nuk ka pasur. Pse? Sepse nuk e kanë kërkuar një diskutim të tillë dhe nuk jam unë që duhet t’ua kërkoj atyre. Ata janë përfaqësuesit më të lartë të shtetit demokratik dhe të pavarur të Kosovës. Dhe unë nuk jam babai i Kosovës.

Shqipëria dhe Kosova kanë vendime që impaktojnë të dyja palët. Nuk jemi kaq të ndarë sa pretendojmë.

Fundamenti

Rama: Unë jam shumë i qartë se çfarë ndodh, për arsyet, sepse kryeministri i Kosovës i ka shpjeguar më shumë se një herë me qartësi të plotë sipas tij.

Kryeministri Rama shprehet se Kosova duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe serbët të kthehen në institucione.

Rama: Qëndrimi ynë është shumë i qartë sepse e kemi shprehur. Kjo është një situatë e rrezikshme dhe e panevojshme. Nuk më takon mua të nxjerr përgjegjësit, sot jam kthyer nga Moldavia ku kanë qenë të gjithë liderët e një sërë vendesh dhe qëndrimi unik i të gjithë liderëve të BE është qëndrim i njëjtë me atë të SHBA, që kjo situatë është e papranueshme, e pajustifukueshme, serbët duhet të kthehen në institucione dhe Kosova të shpallë zgjedhje të menjëhershme. Fokusi i të dy palëve nuk duhet të jetë që nga kjo përplasje të dëmtohet ushtarët e KFOR-it, por të mbyllin marrëveshjen. Unë nuk jam këtu për të dhënë leksione për Albinin, ai është kryeministri i zgjedhur i Kosovës, ka përgjegjësinë e plotë për vendimet që merr.

Çfarë keni biseduar me Vuçiqin?

Rama: Domosdoshmërinë që serbët të kthehen në institucione. Braktisja e zgjedhjeve nga serbët, një gjë e pamenduar, emocionale dhe ka krijuar një vakum, pasojë është ajo që ka ndodhur. Të dy palët duhet të bëjnë një hap dhe duhet ta bëjnë shpejt, jo vetëm sipas meje, por sipas të gjithëve. Të mbarojë ky spektakël policish, ushtrish. Di një gjë të sigurtë që kjo që po ndodh, po e lëndon rëndë Kosovën në sytë e botës demokratike dhe kjo nuk është e drejtë të ndodhë. Kosova ka qenë në të drejtën e vet për të bërë zgjedhjet, ka qenë në të drejtën e vet që të mos lejojë vakuumin, por këtu hyjmë në një fazë tjetër, në momentin që kjo kthehet në arsye për konflikt, duhet zgjidhja. Serbët të kthehen në institucione dhe jeta të vazhdojë normalisht.

A ka një tentativë të komunitetit ndërkombëtar për të izoluar Kurtin?

Rama: Unë mendoj që nuk duhet të shkojmë në këtë drejtim sepse është një moment shumë delikat, por Albini e ka të gjithë lojën në dorë dhe mund ta kthejë pa qenë nevoja që gjëja të shkojë në një përshkallëzim absurd. Deri në momentin që është shtruar në tryezë çështja e boshllëkut dhe janë vendosur këta 4 persona kundër boshllëkut, për mua është bërë gjëja e duhur. Në momentin kur kjo tani, zgjedhjet dhe kthimi i serbëve në institucione, kthehet në qëndrim në vetvete dhe të përplaset KFOR atje, kjo vetëm e dëmton përditë dhe përdorë Kosovën dhe mund të ketë një kosto të pallogaritshëm në aspektin e rënies së reputacionit dhe respektit dhe duhet vite të riparohen.

Reklama

Kryeminisitri shqiptar thotë se Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën.

Rama: E rëndësishme të thuhet, sepse sot ka një realitet komplet tjetër dhe Kosova nuk mund të sillet sikur Serbia është kërcënim për Kosovën. Asgjë nuk mund t’i bëjë më. Edhe ushtria që këndon “Kosova është e jona”, pasqyra e impotencës së Serbisë në raport me Kosovën. Është sikur ushtria meksikane të këndojë “Amerika është e jona”. Kosova nuk kërcënohet nga Serbia. Serbia e ka humbur njëherë e përgjithmonë Kosovën. Kosova duhet të shikojë përpara dhe të mos harrojë që është sot Kosovë e lirë, e pavarur dhe demokratike sa janë të gjithë ata që sot po i kërkojnë Kosovës të sillet si një shtet i pjekur. Serbët duhet të kthehen në institucione, Kosova të bëjë zgjedhje. Sikur të isha unë në vend të Kurtit dhe Osmanit, duhet të kisha shpallur zgjedhjet menjëherë. Sovranitet duke humbur aleatët tanë, është një teprim i madh sipas meje.

Ai tha se ushtria serbe nuk ka asnjë mundësi të kërcënojë integritetin territorial të Kosovës.

Rama: Serbia dhe ushtria serbe, Kosovës nuk i prekin dot një fije floku. Thjesht i vijnë vërdallë për konsum të brendshëm. Pse nuk e di Presidenti i Serbisë që çon ushtrinë atje? Nuk e di ai që as në ëndrrën më të guximshme nuk jep një urdhër që të prekin një milimetër kufirin? Po për çfarë e bën këtë? E bën për politikë të brendshme. Serbia ka mbaruar punë, nuk ka mundësi të bëjë asgjë, e ka humbur Kosovën që në ’99 dhe vazhdimi i qëndrimit në një llogore duke bërë luftë imagjinare me Serbinë dëmton Kosovën. /TV Klan/