Fundamenti

Trazimet shpirtërore dhe përjetimet letrare

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arsim Halili -(Qasje eseistike) -Libri që të kthen në kohë tjetër, jo shumë të largët. E gjithë ajo retrospektivë, krijon indikacione nga më të veçantat. Se trazirat e 97’ sollën shumë trazime shpirtërore qoftë kolektive, por edhe individuale, kjo gjë nuk diskutohet.Por se ajo periudhë përplasi fate dhe disfate përtej brigjeve. Mund të jetë një rast nga shumë raste tjera të ndodhura atij viti.

Mund të jetë një episod jetë që sjell trishtime nga shumë skenarë fatesh të pa imagjinuara. Dhe në këtë mes ndonjëherë jeta dizajnohet ndryshe, por që mund të ri dizajnohet krejt në simetri të kundërt me atë që planifikon.Se i përjeton dhe percepton një nga autorët e një novele me një titull shumë specifik,sepse duket se lëkundi fate dhe fakte pa dëshirën e dy të dashurorëve marrëzisht ndaj njëri –tjetrit. Se çfarë na sjellë më shumë përmes Novelës“ Vajza që trazoi jetën time“ autor Lulzim Hajdari.

Episode jete të dizajnuar ndryshe

E fillon krijimtarinë e tij me gjininë prozës, gjegjësisht novelës. Lulzim Hajdari, duket se vjen i përgatitur edhe në aspektin psikologjik edhe atë letrar për të trajtuar një ngjarje komplekse, qoftë të personazheve kyçe apo edhe atyre që janë të interferuar nga jashtë, por se ndikimi i tyre si rrjedhojë dhe për pasojë sjell ndryshimin në kodin e jetës së dy të rinjve.

Dashuria mes Anilës dhe Agimit edhe pse lind natyrshëm , vazhdon udhëtimi i asaj dashurie në peripecie të kohës, gjë për të cilën një farë forme arrijnë ta përmbysin atë dashuri pa fajin e njëri –tjetrit. Ndaj e gjithë novela konsideroj se duhet ndarë në tri etapa të cilat nuk janë në konfigurim shumë të largët kohor. Etapa e parë përfshinë lidhjen e Anilës me Agimin.

Etapa e dytë që edhe është më e rëndësishmja dhe përmbys edhe etapën e parë edhe të tretë është rrëmbimi i Anilës, gjegjësisht zhdukja misterioze e saj. Krijimi i një jete larg vendlindjes larg atdheut në Italinë fqinje, pastaj krijimi i një dashurie të re mes Agimit dhe Loretës. Kurse etapa e tretë mund të jetë edhe një konfuzin momental psikologjik i shfaqjes përsëri misterioze të Anilës, gjegjësisht kthimit të saj në atdhe, por që Agimi tani do të gjendej para një dileme të madhe pas gjithë asaj që kishte ndërtuar në planin personal jetësor.

Ajo që duhet të thuhet e të diskutohet se Lulzim Hajdari, brenda kësaj novelë, kap një dimension shumë më të gjerë se tek plani ideo-tematik erotik. Efektet trazimeve të tij shpërthejnë në kohën e një drame të madhe e shqetësues të 97’, kështu që ato klithma të kohës duket se i ndien edhe vet autori të cilat përsëriten, gjegjësisht bëhej thirrje për të rivendosur rendin, apo më mirë të themi për t’i penguar të gjitha ata që luanin me fatin e njerëzve pa pasur fuqinë fizike t’i kundërvihen , e që pa dashje një nga viktimat e këtyre keqbërësve ishte edhe vet fati i Anilës.

Lulzim Hajdari një shpirt i qetë, por edhe rebelues në qëndrime parimore. Ai gjatë gjithë novelës veç që është një dëftues i kujdesshëm duke identifikuar dhe qartësuar figuracionin dhe rolin e secilit personazh.

RCCOLA

I gjithë itinerari i cili bartë mbretërimin e një paradoksi të formuar, i cili në një farë forme është edhe determinues i bartjes në dy shigjetimeve krejtësisht të kundërta, të realitetit të krijuar në zhvillimet socio-psikologjike megjithatë mbetet diç e paluhatshme, ajo është dashuria e parë mes Agimit dhe Anilës, sado që jeta i absorbon dinakërisht ndjenja krejt tjera, sidomos te Agimi me një dashuri të dytë.

Nëse mund të bëhet një digresion, autori gjithnjë e mban pezull situatën , ai manifeston procese letrar prozaike me një qartësi dhe rrjedhshmëri gjuhësore dhe narrative. Nëse shikohet nga një dioptri tjetër autori bënë një analogji të kujdesshme të receptivit të ngjarjes pa u ndikuar nga inferioriteti, nuk dorëzohet, por gjen shtegdalje këtë më së miri mund ta shohim në humanizmin e një zonje italiane e cila nuk iu nda së ndihmuari Anilës, nga çasti kur ajo shkoi në shtëpinë e saj e deri në fund.

Ajo që mund të thuhet e gjithë novela përcillet me nota të një balade dhembje ku shkrimtari me një demonstrim epistolar thurë ndjesi erotike përmes letrave e herë- herë e dhe ditarëve që në një farë formë hidhet në dritë një dialog i vetmisë së pasqyruar me pritje.

Qëndrimet e tij nuk janë refuzuese e as komike. Ndonëse ngjarja trazon një jetë të një treshe e cila fikson edhe momente ofshame e mosbesimi, ndjenje fajësie e gjykimi, qoftë edhe i pa konceptuar drejtë dhe kjo vjen si rezultat i thashethemeve apo në bote provinciale i cila riprodhon situata alergjike.

Në vend të përfundimit

Lulzim Hajdari duket se trason rrugën e tij letrare me mjeshtri dhe vokacioni i tij prozaik, fillon përballjen e tij me një temë jo tabu, por të madhe për nga rëndësie, të prekshme për nga veçoritë. Ai me mjeshtri prek një segment domethënës. Vuri shumë pika dhe në secilën pikë të planit ideo tematik nuk e konservoi shkrimin e tij, por e la të hapur të diskutueshëm dhe në konvergjencë me idetë dhe rrjedhat e kohës. Ai në këtë novelë duket se mjeshtri artistike vuri përballë dashurinë dhe lojalitetin ndaj saj, humanizmin përballë padrejtësive që iu bënë një qenie njerëzore krejtësisht të pafajshme. Sakrificën deri në vet mohim, përballë ndikimeve nga jashtë dhe qëndrimeve që prishen një dashuri kaq të sinqertë.

Lulzimi këtë baladë e thuri me pasthirrmë të qartësuar dhe te drejtuar me mjeshtri të një bote të vogël, e cila përjeton fate dhe fatkeqësi të mëdha në momente kur dikush tjetër menaxhon fatin në fatkeqësinë e njeriut tjetër . Rrëmbyesit e fatit të një dashurie të sinqertë mes Agimit dhe Anilës, trazuan edhe shkrimtarin ndaj ai nuk heshti , por ngriti zërin e tij letrar./rajonipress/