Transparenca dhe llogaridhënia parime themelore të qeverisjes së mirë

Gjilan- Nëse një komunë në Kosovë mund të lavdërohet për nivelin e transparencës, kjo është komuna e Gjilanit thotë Shefik Surdulli.
Autoritetet e këtushme komunale e kanë kuptuar me kohë se transparenca dhe llogaridhënia, janë parime themelore të qeverisjes së mirë.
Në këtë funksion është edhe botimi i Buletinit, si revistë informative periodike, që tani mbush njëvjetorin e daljes dhe përmbush një dimension tjetër në fushën e transparencës dhe ndërvarësisë ndërmjet pushtetit dhe qytetarëve. Me gjithë vështirësitë, kemi arritur që një numër të revistës informative (Buletini nr 3), me ndihmën edhe të USAID-it, ta botojmë edhe në gjuhën serbe shprehet Shefik Surdulli.
Numri 4 i Buletinit, që del në 48 faqe, përmbledh informacionet mbi vendimmarrjen komunale si dhe aktivitetet tjera të organeve ekzekutive, për t`i ofruar ato në duart e publikut në versionin e shkruar, pos formës elektronike, që bëhet në mënyrë të përditshme.
Në këtë numër, pos intervistës me kryetarin e Komunës, Qemajl Mustafa, i cili jep një vlerësim mbi punën e Zyrës së Informimit dhe rolin që ka ajo në avancimin e transparencës, zënë vend edhe informacionet për përvjetorin e çlirimit, për hapjen e Zyrës së Diasporës, për riatdhesimin dhe ri-integrimin, për planet rregulluese dhe përfshirjen e publikut në dëgjimet publike, për projektin e lumit Mirusha, e deri te ndarja e çmimit letrar “Beqir Musliu” që sivjet iu dha akademikut Rexhep Qosja.
Si në këtë numër të “Buletinit”, po ashtu edhe në ata të mëhershmit, vend të natyrshëm edhe aktivitete të rëndësishme të Shoqërisë Civile, sidomos të K.G. “Beqir Musliu” dhe ndonjë tjetër.
Zyra e Informimit ka përgatitur dhe publikuar edhe informatorë, katalogë, fletëpalosje, videoincizime, broshura të ndryshme, siç janë broshura me vendimet e Kuvendit Komunal, broshura për investimet dhe projektet, doracaku me emërtimet e rrugëve si dhe botime me të dhëna tjera të rëndësishme për qytetarët, të cilët kanë të drejtë të njihen me punën e të zgjedhurve të tyre.
Jemi të vetëdijshëm se transparenca, asnjëherë nuk është e tepërt. Kreu i Komunës, Qemajl Mustafa, thotë se publiku duhet t`i dijë të gjitha. Ai e nënvizon faktin se transparenca ka dhënë rezultate të dukshme në avancimin e demokracisë në komunën e Gjilanit. Zëri i qytetarit duhet të dëgjohet përherë dhe për gjithçka tha Surdulli.
Inkurajues është edhe fakti se komuna e Gjilanit renditet e para edhe për lehtësirat që ka krijuar për qasjen në dokumentet zyrtare, për çka vlerësohet nga institucionet qendrore dhe ndërkombëtare.
Gjilani nuk është rastësisht komunë me nivel të lartë të transparencës. Është komuna e parë në Kosovë që ka hapur ueb faqen dhe është e para që ka realizuar një plan transparence, i cili më vonë u përvetësua si shembull pozitiv edhe nga komunat tjera të Kosovës.
Në vazhdimësi ka mbështetur dhe ka marrë pjesë në debatet e organizuara nga shoqëria civile. Ka rrëzuar “muret” ndërmjet zyrtarëve komunalë dhe qytetarëve, duke krijuar shkallë të lartë transparence në të gjitha shërbimet, të cilat punojnë me qytetarë.
Tërë kjo punë është realizuar nga dhe nëpërmjet Zyrës për Informim, si hallkë ndërlidhëse mes qeverisjes dhe publikut, e cila përgatit dhe ofron informacione ditore për të gjitha aktivitetet e institucioneve komunale dhe drejtuesve të tyre. I njëjti staf; Ilmi Musliu, Muhamet Pajaziti dhe fotografi Afrim Kqiku (“foto fari”), është pjesë edhe e redaksisë së revistës Informative periodike “Buletin”, të cilët, i falënderoj dhe i përgëzoj për punë dhe kontributin e madh që kanë dhënë në botimin e revistës “Buletin”
Po bëhen përgatitje që prej këtij sezoni të fillojë transmetimi i drejtpërdrejt i seancave të Kuvendit Komunal dhe trupave tjerë të vendimmarrjes komunale.
Në përfundim e sipër është Monografia për Gjilanin, e cila i ka munguar kësaj komune deri më tani.
Pa Zyrën e Informimit dhe stafin e saj të përkushtuar ndaj punës, transparenca nuk do të ishte në këtë nivel. Ne ecim tutje me punën tonë dhe tashmë kemi filluar me përgatitjet për Buletinin nr 5 tha Surdulli./rajonipress/