RCCOLA

Transferimi i vitit nga Kosova në Evropë – Arbnor Muja flet për kalimin te Antwerp, synimet me klubin belg, klubet që e donin dhe ftesën nga ‘Dardanët’

/ 10 minuta lexim

Arbnor Muja padyshim që është transferimi më i madh nga futbolli kosovar në Evropë në vitin 2022, por edhe ndër më të mëdhenjtë që kanë ndodhur nga futbolli ynë ndonjëherë.

Sulmuesi mitrovicas befasoi të gjithë kur pas ndeshjeve evropiane me Dritën u transferua te gjiganti belg Royal Antwerp, edhe pse më parë nuk ishte përfolur për një transferim të tillë.

24-vjeçari iu bashkua Dritës në vitin 2021 nga Trepça ’89 pasi kishte rënë nga elita e futbollit kosovar me klubin mitrovicas, por menjëherë filloi shkëlqimin me fanellën bardhekaltër.

Ai shkëlqeu në ndeshjet evropiane me Dritën ndaj Deçiçit dhe Feyenoordit, duke ngjallur interesime nga skuadra të njohura evropiane.

Në një intervistë për Telegrafin, Muja rrëfehet për karrierën e tij, transferimet e dështuara një vit më parë, shkëlqimin me Dritën dhe hapin e madh që bëri duke iu bashkuar Antwerpit.

Transferimi i tij te Antwerp ndodhi për shumën e 200 mijë eurove, derisa Drita ka ruajtur edhe 20 për qind të kartonit në shitjen e ardhshme.

Karriera te Drita si dhe ofertat që kishte
“Të them të drejtën nuk e mendova kaq shpejtë transferimin në një kampionat kaq të madh sa ai belg te Royal Antwerp. Aventura te Drita kishte nisur shumë mirë me ndeshjet evropiane dhe kjo bëri që të kishte oferta”, tha fillimisht Muja për Telegrafin, duke zbuluar edhe emrat e skuadrave që e donin në verën e vitit 2021.

“Kisha ofertë skuadra polake Gornik Lecezna, por kishte interesim edhe nga klubi zviceran Sion. Gjithsesi asgjë nuk ndodhi pasi e kuptova se Drita dëshironte të më mbante për t’i arritur objektivat dhe nuk kishte ndodhur asgjë”, deklaroi Muja për Telegrafin.

Por pas një shkëlqimi në Evropë, aventura në elitën e futbollit kosovar nuk ishte nga më të mirat, pasi anësori këmbëshpejtë u përballë me disa lëndime.

“Pata lëndime dhe nuk isha vetvetja gjatë sezonit me Dritën”, shtoi Muja, por ai kishte një mundësi që të kalonte në janar te klubi i madh turk Alanyaspor.

“Pas ndeshjes miqësore që patëm në janar me Alanyaspor, drejtuesit e klubit më pyetën për një transferim të mundshëm në Turqi, por iu tregova se isha nën kontratë me Dritën dhe se klubi nuk do të lejoj largimin tim në gjysmë të sezonit dhe kjo bëri që asgjë të mos ndodhë”, vazhdoi tutje Muja.

24-vjeçari e pranon se ka vuajtur shumë te Drita sa i përket lëndimeve, por nuk harron ta falënderojë ish-trajnerin e tij Ardian Nuhiun për besimin e dhënë, por edhe drejtuesit e klubit bardhekaltër.

Lëndimet e shumta, falënderimi ndaj Nuhiut dhe Dritë si dhe transferimi në Belgjikë
Duke marrë parasysh problemet që kishte gjatë vitit të parë te Drita, Muja thotë për Telegrafin se nuk kishte pritur që të ndodhte transferimi te Antwerp.

“Në pjesën e parë të kampionatit kisha lëndim më të lehtë, derisa në pranverë pësova një më të rëndë dhe isha i shkatërruar emocionalisht. Mirëpo dua ta falënderoj trajnerin Ardian Nuhiu që kishte besim në mua, si dhe drejtuesit e klubit dhe arrita të rikthehem në formën më të mirë”.

Por në verën e vitit 2022, Muja tregoi se është një lojtar i lindur për ndeshjet evropiane dhe këtë e tregoi ndaj Inter Turkut dhe Royal Antwerpit, ku pas katër ndeshjeve ndodhi edhe transferimi i tij.

“Po e përsërisë prapë se nuk e prisja. Humbëm ndeshjen e parë në Finlandë, derisa të dytën ishte nata ime ku shënova dy gola dhe asistova tek një tjetër. Ishte natë magjike si për Dritën ashtu edhe për mua”.

“Radha ishte të luanim në Belgjikë ku e gjithë skuadra kishte bërë ndeshje të madhe ndaj Antwerp dhe në atë moment i kisha pëlqyer trajnerit Van Bommel dhe drejtuesve të klubit belg”.

“Transferimi im kishte ndodhur një natë para ndeshjes së kthimit në Prishtinë, ku mbahet darka mes dy klubeve dhe aty Marc Overmars ka paraqitur ofertën zyrtare, por unë nuk kam qenë aspak në dijeni se transferimi ka ndodhur dhe këtë e mësova vetëm pas përfundimit të ndeshjes”.

“Në ndeshjen e kthimit në Prishtinë isha i lënduar pak, por shtrëngova dhëmbët dhe doja të tregoja sa vlej. Gjithsesi pas fundit të ndeshjes erdhi presidenti i klubit Valon Murseli dhe po na ngushëllonte për humbjen, derisa mu drejtua mua: “Ti u kualifikove. Nga sot je futbollist i Antwerpit pasi të kemi shitur”, më tha presidenti”.

“U befasova në atë moment dhe më dukej e pabesueshme derisa erdhi trajneri Van Bommel dhe Mark Overmars për të biseduar direkt me mua. Ishte si në ëndërr, por shumë i lumtur që u bë realitet”, tregon me emocione Muja për Telegrafin.

Aventura belge te Antwerp
Aventura te Antwerp nuk kishte nisur më së miri, shkaku i një lëndimi që kishte Muja dhe kjo ka bërë që ai t’i humbas 10 ndeshjet e para, shtatë në kampionat dhe tre të tjera në Evropë.

“Shkova i lënduar dhe u desh të pres rastin tim, megjithatë ishte fillimi shumë i vështirë pasi në një vend tjetër, me cilësi shumë herë më të mëdha. Gjithsesi kam punuar jashtëzakonisht shumë dhe kam pritur rastin deri sa më ka ardhur”.

“Dallimi në cilësi është jashtëzakonisht i madh dhe kjo vërehej, gjithsesi kam kapur formën më të mirë dhe kjo është shumë e rëndësishme, pasi kam fituar edhe besimin nga të gjithë”, tha Muja.

Uji Dea

Antwerp ka qëndruar për tre javë në fazë përgatitore në Dubai dhe këtë rastin më së miri e ka shfrytëzuar Muja duke punuar shumë dhe rezultatet janë parë në ndeshjet e fundit ku ka asistuar në dy gola dhe ka shënuar një tjetër.

“Kemi bërë një fazë përgatitore në Dubai ku kemi qëndruar tre javë. Kam punuar jashtëzakonisht shumë dhe tani jam vetvetja pasi jam futur në formën më të mirë të mundshme”, u shpreh Muja për Telegrafin.

Ai tregon edhe emocionet për golin e parë me fanellën e Antwerp dhe dy asistimet e bëra.

“I kam pritur gjatë si golin ashtu edhe asistimet. Erdhën më në fund dhe jam shumë i lumtur pasi është një shpagim i punës së madhe që kam bërë”, tha Muja.

Shoqëria me shqiptarët e Antwerp si dhe me sulmuesin Vincent Jansen – dhurata që holandezi i bëri nga Kampionati Botëror
Arbnori nuk është i vetmi shqiptar te skuadra belge Royal Antwerp, pasi aty janë edhe mbrojtësi i majtë Laurit Krasniqi, derisa në ekipin e dytë ndodhen edhe Visar Shala dhe Edon Murataj që herë pas herë i bashkohen edhe ekipit të parë.

Falë treshes shqiptare ambientimi te klubi i ri dhe në qytetin e bukur të Antwerp ka qenë më i lehtë për Mujën, i cili tregon se shoqëri të madhe ka me Lauritin.

“Ambientimin tim më të lehtë e ka bërë Laurit Krasniqi i cili është në ekipin e parë. E kam shumë shok, më ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë në ditët e para në Antwerp. Përveç që jemi gjithmonë bashkë në trening dhe ndeshje, dalim gjithmonë pas treningut dhe jam shumë i lumtur që e kam një mik si ai”, deklaroi Muja.

“Kam raporte të mira edhe me Visar Shalën dhe Edon Muratajn, nuk më bie të rri me ta si me Lauritin, por është kënaqësi që jemi sa shumë shqiptarë këtu. Më kanë ndihmuar shumë dhe jam i lumtur që i njoh”, u shpreh Muja.

Ylli mitrovicas ka treguar se ka mik shumë të mirë sulmuesin holandez Vincent Jansen, i cili i ka dhuruar fanellën e tij të sfidës ndaj Katarit që e zhvilluar në Kampionatin Botëror me Përfaqësuesen e Holandës.

“Përveç shqiptarëve kam raporte të mira me të gjithë. Me Vincent Jansen jam më i lidhur, por edhe me Michael Frey e të tjerët. Jensen është një djalë shumë i mirë dhe i kulturuar. Më ka dhuruar fanellën nga Kampionati Botëror dhe jam shumë i lumtur që e ka ruajtur për mua”, deklaroi Muja.

Ftesa nga Kosova në muajin shtator dhe nëntor, por nuk mundi të vije shkaku i lëndimit
Për çdo futbollist ëndrra më e madhe është që të luaj për Përfaqësuesen e vendit të tij dhe Muja vetëm shkaku i lëndimit nuk ka mundur ta realizoj gjatë vitit 2022.

Ai është kontaktuar nga Kosova si në muajin shtator për dy ndeshjet kualifikuese ndaj Irlandës së Veriut dhe Qipros, ashtu edhe ndaj Armenisë dhe Ishujve Faroe, por nuk mundi të vinte shkaku i lëndimit.

“Po në shtator dhe nëntor kam qenë i kontaktuar nga Kosova. Sigurisht që ëndrra e secilit futbollist është që të luaj për vendin e tij, por nuk kam mundur të vijë në asnjërin grumbullim shkaku i lëndimit dhe më vije keq për këtë”, tha Muja.

Ai pret që të ftohet nga Dardanët në mars, gjithmonë nëse është në formën që po kalon.

“Shpresoj që të kem vazhdimësi të formës dhe natyrisht që pres ftesë pasi është një ëndërr që dua ta bëj realitet tëluaj për vendin tim”, deklaroi sulmuesi anësorë.

Dëshiron trofe me Antwerpin dhe objektivat për vitin 2023
Viti 2022 ka qenë më i miri në jetën e tij në aspektin profesional dhe për këtë Muja është shumë i lumtur.

“Sa i përket aspektit profesional sigurisht që viti 2022 ka qenë më i miri deri më tani, pasi kam bërë hapin e madh në karrierë”.

Qëllimi i tij është të fitoj trofe me Antwerpin, ku aktualisht ndodhen në pozitën e tretë në kampionat me 10 pikë mbrapa Genkut.

“Kemi pasur nisje të mirë, por pastaj erdhi ajo kriza që na ka lënë mbrapa. Gjithsesi në Belgjikë është faza ‘Play-Off’, ku kemi rastin të rikuperojmë pikët. Ne do të luajmë përsëri me Genkin dhe qëllimi është që të fitojmë titullin e kampionit”, u shpreh Muja.

Për vitin 2023 ai shpreson që të fitoj trofe me Antwerpin.

“Jemi në çerekfinale të Kupës ku përballemi me Genkun, derisa synojmë të fitojmë si Kupën ashtu edhe kampionatin”.

Sa i përket aspektit personal, Muja shpreson që të arrijë në kuotën e pesë golave e 10 asistimeve.

“Ne sistemin që e luajmë me tre sulmues më jep shumë mundësi që të asistoj. Shpresoj që së paku në fund të sezonit të kem pesë gola e 10 asistime, do të ishte diçka shumë e bukur”, deklaroi Muja. /Telegrafi/