Trajneri i portierëve të Dritës, Afrim Shahini njeriu i kupave
Gjilan – Ish-portieri i mirënjohur Kosovar dhe i FC Dritës, Afrim Shahini, është njëri ndër trajnerët më të suksesshëm në futbollin e Kosovës. Shahini gjerë më tani në koleksionin e tij ka 5 kupa me FC Dritën.
Ish-portieri e tani trajner i portierëve në FC Drita, Shahini, me ekipin e Dritës si portier aktivë në stinorin 2000/01 e kishte fituar Kupën e Kosovës dhe titullin e kampionit të Kosovës në stinorin 2002/03, ndërsa si trajner i portierëve në stinorin 2017/18 kishte fituar titullin e kampionit të Kosovës dhe Superkupën e Kosovës, dhe tani përsëri në stinorin 2019/20 Shahini stoliset me titullin e Kampionit të Kosovës.
Shahini me eksperiencën e tij të madhe si portier dhe si trajner i portierëve, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm që porta e Dritës të jetë “kala” për kundërshtarët e skuadrës së tij.
Shahini ka uruar për titullin e kampionit në këtë edicion të garave.
“Urime futbollistëve, shtabit teknik, trajnerëve, tifozëve “Intelektualët” dhe çdo qytetari që mban ngjyrat “bardhekaltër”. Titulli u fitua me luftë, me sakrifica, djersë e mund të madh, jemi krenar që futbollin e Kosovës do ta prezantojmë në ligën më të madhe botërore atë të Ligës së Kampionëve, dhe ne do të dëshmojmë se skuadra e Dritës do të bënë dritë edhe në Evropë për këtë kemi dije dhe fuqi”./rajonipress/


