Trajneri i Arsenalit e mbron Shkodran Mustafin, përkundër gabimeve të shumta këtë sezon

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Trajneri Unai Emery i ka dalë në mbrojtje Shkodran Mustafit, për gabimin e trashanik që mbrojtësi shqiptar e bëri në humbjen e Arsenalit kundër Crystal Palace në Premierligë të dielën.

Shpresat e Arsenalit për ta përfunduar sezonin në top katërshe në Premierligë morën goditje të rëndë nga Palace. Skuadra e Emeryt humbi 3:2 në Emirates pas një paraqitjeje të tmerrshme në mbrojtje, me Mustafin si protagonist kryesor, transmeton Gazeta Express.

Kur ndeshja ishte e barabartë në rezultat, 1:1, Mustafi ia fali një gol sulmuesit Wilfried Zaha pasi e la një top të gjatë të kalojë mbi të me shpresën se portieri Bernd Leno do të merrej me të. Por, Zaha e ndoqi topin me vrap të shpejtë dhe shënoi për 2:1 në favor të Palace.

Pas këtij momenti, Arsenali nuk mundi ta marrë veten asnjëherë në këtë ndeshje.

UBT

I pyetur për paraqitjen e Mustafit, Emery tha: “Ai mund të luajë shumë mirë. Parapëlqej të flas për vazhdimësinë këtë sezon.”

“Ne po e ndihmojmë secilin lojtar të bëjë paraqitje të mirë. Sot, kur duhet të mbrohesh ndaj Christian Bentekes dhe Zahas, mund edhe të vuash më shumë”, shtoi ai.

Trajneri spanjoll e mbrojti Mustafin duke thënë se ai ka treguar qëndrueshmëri në lojën e tij, edhe pse shqiptari ka bërë gabime të mëdha në shumë raste këtë sezon.

“Mendoj se ai (Mustafi) ka treguar qëndrueshmëri përgjatë sezonit”, pohoi ai. /Gazeta Express/