Trafikantëve të drejtësisë t’u hetohet pasuria
Pasurimi i dyshimtë dhe i vrullshëm i disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë vazhdon të mbetet akoma i mjegullt, teksa nuk mund të ketë ndonjë justifikim për mënyrën e sigurimit dhe prejardhjes së kësaj pasurie.
Si u kamën gjyqtarët dhe prokurorët që jetojnë në luks?
Prokuroria duhet të verifikojë pasurimin e dyshimtë
“Në luftën kundër krimit të organizuar dhe ndaj atyre që janë pasuruar në kundërshtim me ligjin nuk duhet të llogaritet vetëm te politikanët, pasi ata, pa mbështetjen e organeve të ndjekjes dhe të drejtësisë, nuk kanë mundur ta arrijnë këtë, ngase vetë fakti se derisa kanë arritur ata në këtë formë, sigurisht se pjesë e pasurimit të paligjshëm janë edhe kjo kategori”, theksoi deputeti Zafir Berisha
Pasurimi i dyshimtë dhe i vrullshëm i disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve tanë vazhdon të mbetet akoma i mjegullt, teksa nuk mund të ketë ndonjë justifikim për mënyrën e sigurimit dhe prejardhjes së kësaj pasurie.
Analisti politik dhe juridik Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në këtë aspekt ekzistojnë dispozitat ligjore, pasi është Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Ligji i konfliktit të interesit, ku parashihet se pasuria e fituar në mënyrë antiligjore dhe aty ku ka konflikt interesi të trajtohen përmes rrugëve ligjore, që të bëhet përcjellja, hulumtimi dhe paraqitja para organeve dhe ndjekja penale. “Prandaj, çdo zyrtar i lartë, qoftë ai në organet e drejtësisë apo në institucionet e tjera, është i detyruar që ta paraqesë pasurinë e tij apo saj dhe çdo formë tjetër joreale e paraqitjes, apo e fshehjes së pasurisë, ose e fitimit të pasurisë në emra të tjerë dhe metoda apo forma të tjera, është e dënueshme dhe ndëshkueshme”. Baraliu mendon se në këtë drejtim do të duhej të ketë një qasje dhe angazhim tjetër si të Agjencisë Antikorrupsion, por edhe institucioneve të tjera kompetente që, siç ka thënë ai, ” thjesht të dekriminalizohet në këtë aspekt edhe jeta politike, por edhe institucionale, eventualisht e segmenteve të caktuara të organeve që mund të jenë të involvuara në fitimin e padrejtë dhe të kundërligjshëm të formave dhe modaliteteve që mund të pasurohen”.
Drejtësia e ndikuar nuk i heton të inkriminuarit
Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se të gjitha autoritetet e shtetit, që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme dhe kanë prona të uzurpuara, por edhe janë pjesë e korrupsionit, duhet të hetohen, ngase, sipas tij, vetëm në këtë mënyrë drejtësia do të mund të binte në binarët e saj. “Ndërsa me një drejtësi të tillë, çfarë është sot në Kosovë, e cila është e ndikuar politikisht, është vështirë të hulumtohen dhe të dënohen rastet e tilla, prandaj do të ishte mirë që megjithatë Prokuroria dhe sistemi i drejtësisë të funksionojnë ashtu siç duhet, në bazë të ligjeve të Kosovës. Meqenëse Qeveria është e korruptuar dhe niveli më i lartë shtetëror është pjesë e korrupsionit, është vështirë të besohet se mund të ketë luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka pohuar nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, për gazetën “Kosova Sot”.
Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu mendon se Prokuroria, Hetuesia si dhe Gjyqësia duhet të jenë më kritike në këtë aspekt, pasi, sipas tij, të gjithë personat që punojnë në institucionet e lartpërmendura e njohin punën e njëri- tjetrit. “Pra, këtu nuk është se kemi problem identifikimin e tyre, pasi Kosova është një vend i vogël, por ajo që kërkohet është vetëm vullneti që të luftohet e keqja, pasi po ta pyesësh secilin prokuror, ai i njeh të gjithë prokurorët, po ashtu gjykatësit dhe avokatët, derisa kjo vlen edhe për gjykatësit dhe avokatët, d.m.th i njohin thuajse të gjithë aftësitë dhe prirjet e njëri- tjetrit, po ashtu e dinë se cili nga ta është i korruptuar, por problemi është vetëm te vullneti politik”, theksoi ai./kosova sot/


