Uji Dea

Torturë mbi aplikantët

/ 3 minuta lexim

Mbi 600 kandidatë të kualifikuar për oficer të burgut, do të detyrohen që t’i nënshtrohen testit të tretë të diskualifikimit, atij me gojë. Arsyeja është se Qeveria e Kosovës mund t’i rehatojë me vende punë veç 130 gardianë.

Test pas testi. Është kjo rruga që po i përcjell pretendentë për oficer korrektues të burgut më të ri në Kosovë. Ministria e Drejtësisë po bën çmos që të përzgjedh me kujdes gardianët e ri të burgut të Gërdovcit. Fillimisht mbi 2 mijë kandidatët për këtë vend pune hynë në test me shkrim, derisa numri i atyre arriti në 900, për tu fut më pas në test fizik.

Prej këtyre 900 pretendentëve që hynë në testin fizik para dy javësh, të suksesshëm dolën plot 686 sosh. Megjithëse numri mbetet i madh. Kjo pasi MD ka bërë plan që t’i punësoj në burgun e ri vetëm 130 gardian.

Për këtë arsye kjo ministri tash do të ndërmarrë masa të tjera, derisa të arrij numrin e saktë që ka planifikuar për punësim.

Krejt ata që iu gëzuan rezultateve, tash do të testohen edhe me gojë, pasi provimin me shkrim dhe fizik e kanë kaluar pa problem. Astrit Kolaj, zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë thotë se kjo fazë testimi tashmë ka filluar.

“Testimi me gojë ka nis para pak ditësh e do të zgjasë deri me 12 qershor. Do të përzgjidhen 130 pretendentët që janë më të mirët për këtë pozitë”, sqaron Kolaj per Express.

Ai sqaron se askush në Ministri, e as ai vet nuk e di se çka do të pyeten konkurrentët në këtë fazë testimi. Sipas tij, pyetjet janë çështje konfidenciale të komisionit që po punon në përzgjedhjen e gardianëve.

Uji Dea

“Komisioni i ka pas dhe i ka të gjitha kompetencat që t’iu ik ndikimeve të mundshme”.

Se kur do të merret vesh se kush janë ata që e kanë fituar këtë vend pune për të cilin luftuan aq shumë, Kolaj thotë se nuk dihet.

“Numri i tyre është i madh, prandaj nuk mund ta dimë se kur do të përfundojë përzgjedhja”.

Pas përfundimit të këtij projekti Kosova do të ketë një burg i cili do të jetë i standardeve më të larta, i cili do të ketë kapacitet për mbi 300 të burgosur.

Burgu i ri do të ketë infrastrukturë moderne, përfshirë telefon, dritë natyrale, sanitari, etj. Krahas pjesëve të sigurimit kompleksi do të përfshijë edhe pjesa për familjarë, dy vend punishte, një dhomë për të sëmurët dhe një për edukim.

Të gjitha këto, do ta bëjnë burgun e Gërdovcit, burgun më modern në Kosovë. Ndërtimi i burgut të sigurisë së lartë në fshatin Gërdovc të Podujevës është financuar nga Bashkimi Europian (KE) me 8.5 milionë euro dhe Qeveria e Kosovës (MD) me 6 milionë euro. E komuna e Podujevës ka ndarë parcelën prej 10 hektarëve, ndërsa hapësira brenda rrethojave është afër 7 hektarë.(express)