Uji Dea

Top-futbollistët e Grupit E

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Grupi E i Kampionatit Botëror ka dy skuadra favorite për t’u kualifikuar tutje, dhe dy të tjera që ëndërrojnë t’u prishin punë. Franca dhe Zvicra konsiderohen si ekipet me shanset më të mira për të vazhduar garën, mirëpo Hondurasi dhe Ekuadori do të provojnë shanset e tyre.

Secila prej skuadrave ka një grup të futbollistëve tek të cilët mbështetet, por kush pritet të jetë kryesori? “Transfermarkt.co.uk”, ka përzgjedhur më të mirët.

Valon Behrami (Zvicër) – Pas paraqitjeve në Botërorin 2006 dhe 2010, si dhe Euro 2012, mesfushori energjik i Napolit konsiderohet si futbollisti më i rëndësishëm i selektorit të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld, për garën në Brazil. Kur Behrami është në formë ideale, atëherë komplet skuadra e Zvicrës paraqitet në nivelin e dëshiruar nga Hitzfeld.

Dhe, së bashku me Xherdan Shaqirin, Granit Xhakën, Admir Mehmedin e Blerim Xhemajlin, ai përbën një kontingjent të gjerë të futbollistëve shqiptarë në ekipin e Zvicrës dhe Botërorin e Brazilit.

Antonio Valencia (Ekuador) – Edhe pse stinori i fundit ka qenë dëshpërues për Antonio Valencian në Manchester United, mesfushori ekuadorian do të kërkojë këndelljen me Kombëtaren e tij në Brazil. Pas shkëlqimit në krah në Gjermani, tetë vjet më parë, shpresat e Ekuadorit për t’u kualifikuar në fazën eliminatore të garës varen nga 28-vjeçari.

Nuk do të jetë lehtë, mirëpo me një Valencia në formë dhe një skuadër që jep maksimumin, Ekuadori mund të shkaktojë befasi.

Uji Dea

Yohan Cabaye (Francë) – Selektori i Francës, Didier Deschamps pritet të fillojë Kampionatin Botëror me tre mesfushorë, Yohan Cabaye, Blaise Matuidi dhe Paul Pogba.

Por, në mesin e këtyre tre futbollistëve, është përforcimi i ri i Paris Saint-Germain ai që pritet të luajë rolin kryesor për “Les Bleus” dhe me pasionet e tij, ndërhyrjet, goditjet nga distanca dhe harkimet e rrezikshme, do të marrë rolin e futbollistit më të rëndësishëm në formacionin e Francës, që do të mundohet të mos e bëjë të ndihet mungesa e yllit të lënduar, Franck Ribery.

Emilio Izaguirre (Honduras) – Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme për Hondurasin në dy Botërorët e fundit, Emilio Izaguirre siguroi transferimin në Celtic ku ka vazhduar shkëlqimin në krahun e majtë të mbrojtjes dhe i ka rënë në sy klubeve edhe më të mëdha.

Liverpool spekulohet se është i interesuar për transferimin e tij.

Por, ta lejmë anash afatin kalimtar, ai do të mundohet të shkëlqejë edhe me Kombëtaren në një grup ku skuadra e tij ka fare pak shanse për t’u kualifikuar tutje. /Zëri/