Tiroli ndihmon Vitinë në sektorin e bujqësisë

Gjilan – Zëvendëskryetari i Qeverisë së Tirolit Gerhard Rehies duke folur rreth projekteve të kësaj qeverie në Komunën e Vitisë tha se ata kanë paraparë që në këtë komunë, respektivisht në fshatin Stubëll të Epërme dhe Letnicë të realizojnë një sërë projektesh që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin e blegtorisë.
Përfaqësues të qeverisë së Tirolit të Austrisë, kanë vizituar komunën e Vitisë dhe me këtë rast ata janë takuar me zëvendëskryetarin e kësaj komune Abdyl Bajrami. Gjatë këtij takimi është biseduar rreth bashkëpunimit të kësaj Qeverie me Komunën e Vitisë si dhe rreth projekteve të saj në zhvillimin e projekteve që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin e blegtorisë por edhe mundësisë për të ndihmuar sektorin e zjarrfikësve. Gjithashtu gjatë ditës së sotme ata kanë përuruar Stallën e Derrave në fshatin Stubëll.
Zëvendëskryetari i Qeverisë së Tirolit Gerhard Rehies duke folur rreth projekteve të kësaj qeverie në Komunën e Vitisë tha se ata kanë paraparë që në këtë komunë, respektivisht në fshatin Stubëll të Epërme dhe Letnicë të realizojnë një sërë projektesh që kryesisht kanë të bëjnë me zhvillimin e blegtorisë.
Ndërsa nënkryetari i komunës Avdyl Bajrami ka premtuar që institucionet Komunale të Vitisë do të bashkëpunojnë ngushtë me Qeverinë e Tirolit në realizimin e projekteve të reja që parashihen të realizohen nga Qeveria e Tirolit duke shprehur falënderimin për gatishmërinë dhe ndihmën e qeverisë së Tirolit.” Ju faleminderit që me projekte konkrete po ndihmoni qytetarët tanë, por edhe zhvillimin ekonomik të këtij vendi . Ne si institucione jemi të gatshëm të ju ndihmojmë në këtë aspekt dhe për këtë jemi falënderues ne dhe qytetarët tanë qeverisë së Tirolit dhe qytetarëve të saj” u shpreh Bajrami.
Nënkryetari i qeverisë së Tirolit të Austrisë Gerhard Reheis , u shpreh se jemi në shqyrtim të projekteve prioritare që kanë nevojë banorët e kësaj pjese në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Ai tha se jemi të interesuar që të investojmë në përmirësimin e kushteve për njësinë e zjarrfikësve në Viti. “Projektet që ne po i realizojmë këtu në Kosovë janë një ndihmë që ju ofrohen fermerëve që të zhvillohen dhe të rrisin kapacitetet e tyre çoftë prodhuese apo kultivuese. Qëllim kryesor i yni, është hapja e vendeve të punës. Përpos projektit që sot e kemi përuruar për kultivimin e derrave në fshatin Stubëll të Vitisë ne poashtu kemi vizituar edhe njësinë e zjarrfikësve dhe për këtë kemi kërkuar nga qeveria lokale që të bashkëpunojmë dhe të përmirësojmë kushtet në ndërtimin e objektit kurse ne do shqyrtojmë mundësin e pajisjes me mjete dhe autocisternë” u shpreh Reheis.
Ndërsa Marjan Rama kryetar i këshillit të fshatit Stubëll, theksoi se qeveria e Tirolit në vazhdimësi ka qenë e angazhuar që të realizoj projekte në këtë fshat që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, por ndër këto projekte, ata kanë ndihmuar edhe në sferën e arsimit, rastet sociale dhe projekte tjera për mirëqenien e qytetarit.”Përpos ndihmës së ofruar në mjete bujqësore, është investuar edhe në shkollën e mesme si dhe familjet me gjendje të rëndë ekonomike” u shpreh Rama. /rajonipress/