Fundamenti

Tiranë, patrulla e policisë përplaset nga një automjet, vdes efektivi, arrestohet autori

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Tiranë- Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në Kamëz, ku një efektiv i policisë rrugore ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur dhe është në gjendje të rëndë shëndetësore. Patrulla e policisë është përplasur nga një makinë ‘BMV X5’, e cila nuk i është bindur thirrjes së policisë për të ndaluar. Pas aksidentit mjeti është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Efektivi i policisë S.Lena nuk ka mundur t’i rezistojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë, ndërsa efektivi tjetër P.Lleshi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak.

Patrulla e policisë rrugore të Komisariatit numër 5 ndodhej pranë rreth rrotullimit të Bathores. Në momentin e aksidentit njëri nga policët kishte ndaluar një makinë me targa greke të cilës po i kontrollonte dokumentet, ndërsa polici tjetër ndodhej në afërsi të fugonit të policisë.

Makina ‘BMV X5’ e drejtuar nga Edmir Islam Koleci ka përplasur të dy policët. Polici që ndodhej pranë fugonit S.Mena ka marrë goditje fatale dhe ka humbur jetën, ndërsa efektivi tjetër, P.Lleshi, ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë si dhe drejtues të saj, si Tonin Vocaj dhe Agron Kuliçaj. Pak orë më vonë, policia ka identifikuar autorin dhe ka gjetur të braktisur makinën me të cilën është kryer krimi në Laknas.

Policia vendosi 10 milionë lekë të vjetra shpërblim për cilindo që do të ofronte informacione të sakta lidhur me vendndodhjen e autorit të ngjarjes. Arrestimi i autorit u bë i mundur në orët e para të mëngjesit në Durrës. Arrestimi i Edmir Kolecit u bë pranë ‘Katër Rrugëve të Shijakut’ nga Komisariati numër 5 dhe Drejtoria e Policisë Tiranë.

Mobi Casa

Edmir Islam Koleci është 37 vjeç, ka lindur në Krumë dhe banues në Laknas, është emër i njohur për Policinë e Tiranës pasi është dënuar edhe më parë për vepra penale.

Nga aksidenti humbi jetën S. Lena, 43 vjeç, me origjinë nga Mati, babai i 3 vajzave dhe banues në Kamëz. I plagosuri P.Lleshi, 47 vjeç, me origjinë nga Lezha, banues në Kodër Kamëz.

PRECEDENTET
Dy efektivë policie janë plagosur 2 vite më parë, pasi fuoristrada me të cilën udhëtonin është përplasur nga një makinë. Ngjarja ka ndodhur në hyrje të qytetit të Peqinit, ku një automjet me targa Tirane e cila po ecte me shpejtësi të madhe ka goditur fuoristradën e policisë, e cila ishte në postbllok.
Për pasojë janë plagosur dy efektivët J. Spahiu dhe Q. Molla, të cilët janë dërguar në spital dhe sipas mjekëve gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën. Ndërkohë, një vit më parë ka ndodhur një tjetër tragjedi në rrugë, kuka humbur jetën në krye të detyrës një oficer policie në autostradën Tiranë-Durrës.

Aksidenti me pasojë vdekjen e oficerit S. P., pjesëtar i Task-Forcës së Autostradave, strukturë e Policisë Rrugore, ka ndodhur në vendin e njohur si Qafë- Kashar. Viktima është përplasur nga një makinë e llojit “BMW” me targa italiane, me shofer nga Burreli. Oficeri ka qenë së bashku me disa kolegë të tjerë në një postbllok në autostradën Tiranë-Durrës në momentin kur është përplasur nga makina që po ecte me shpejtësi.

Oficeri mori plagë të renda si pasojë e përplasjes dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Pas arrestimit, autori i kësaj ngjarjeje u mor në pyetje. Nuk u sqarua kurrë nëse aksidenti ka qenë i qëllimshëm apo ai është hakmarrë ndaj oficerit të policisë.(BalkanWeb)