Tifozët shqiptarë e pyesin klubin amerikan: Ku është Shkëlzen Gashi?!
Në faqen zyrtare të facebook, përveç fotos së prezantimit dhe videos së fjalëve të para, asnjë lajm mbi sulmuesin kuqezi, teksa kampionati I MLS-së nis në 6 mars. Tre muaj për të mbërritur në Europian në formë.
Ku ka përfunduar Shkëlzen Gashi?! Firma, prezantimi, fjalët e para si futbollist i Kolorado Rapids për sezonet në vazhdim dhe, në fund, një mister… Pikërisht kështu, sepse nëse skuadra e MLS-së është duke zhvilluar një mini-tur në Sakramento dhe Tukson, pëprara se të kthehen, në datën 28 shkurt, në shtëpinë e tyre, për të përgatitur transfertën e parë dhe sfidën hapëse të sezonit, ndaj San Hoze Erthkuik, në Kaliforni, nuk duket ende ish-futbollisti i Bazelit, që do të jetë ndër më të paguarit në MLS, si edhe më i paguari i skuadrës, me një rrogë 1 milion dollar, duke qenë se është pjesë e përjashtimit, pra “designated player”, tavani i të cilëve për rrogën tejkalon limitin e vendosur nga liga profesioniste amerikane e futbollit, sipas një drafti që miratohet edhe në sportet e tjera. Por, le të kthehemi tek mesfushori kuqezi, që vendosi të transferohej përtej Oqeanit Atlantik.
Deri më tani, Gashi ende s’është dukur dhe kjo ka lindur disa pikëpyetje tek tifozët shqiptarë, të cilët nuk kanë nguruar që të shkruajnë në faqen zyrtare të klubit, në facebook, “ëhere is Gashi”, pra “ku është Gashi?!”. Sipas disa burimeve të gazetës, sulmuesi është duke kryer stërvitje veçmas për të rikuperuar disi, por sidomos është duke u ambjentuar sidomos me orarin, duke qenë se ka ndryshim prej tetë orësh dhe kjo mund të jetë një handikap jo i vogël.
Për t’u theksuar ndër të tjera se koha në dispozicion të Gashit për të kapur formën më të mirë do të jetë e shkurtër, duke qenë se sezoni nis më 6 mars dhe, deri në datën kur kombëtarja të grumbullohet, do të ketë zhvilluar 10-11 ndeshje, nëse çdo gjë shkoj mirë për të. Teksa, duhet theksuar se De Biazi, ashtu si trajnerët e kombëtareve të tjera, kanë kohë deri në datën 1 maj për të dorëzuar listën e futbollistëve që do të udhëtojnë për në Francë (23). Sakaq, në mars, do të jetë miqësorja ndaj Austrisë, në datën 26 dhe Gashi do të ketë zhvilluar vetëm katër ndeshje deri atëherë./SportEkspres


