Mobi Casa

Ti Shqipëri, jepna nder!

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Sonte mund të realizohet ëndrra e kamotshme e shqiptarëve. Kuqezinjtë kanë mundësi të kualifikohen për herë të parë në Kampionatin Evropian, nëse fitojnë përballë Serbisë, e njëkohësisht Danimarka gabon në Portugali. Lorik Cana me shokë janë shumë të motivuar. E duan fitoren si asnjëherë më parë. Evropa ka sytë kah “Elbasan Arena”, ku Serbia do të tentojë seriozisht të na prishë rrugën. Secili shqiptar sot me zë të lartë thotë: “Forca Shqipëri”!

Ëndrra e kahershme kuqezi mund të bëhet realitet sonte. Realizimi i kësaj ëndrre nuk ka qenë kurrë më afër. Shqipëria do ta kërkojë fitoren historike në “Elbasan Arena”, e cila mund ta kualifikojë direkt në Kampionatin Evropian “Franca 2016”, për herë të parë në histori.

Për ta arritur këtë, kuqezinjtë duhet ta mposhtin Serbinë në “Elbasan Arena”, e në anën tjetër Danimarka të kiksojë po të enjten mbrëma si mysafire e Portugalisë, e cila thuajse e ka siguruar kualifikimin.

Të njëjtën gjë besojnë edhe shqiptarët se do ta bëjnë sonte, me një triumf historik. Dëshira e jashtëzakonshme e shqiptarëve për tri pikë nënkupton presion të madh për kuqezinjtë. Por, ata kanë siguruar se nuk ndihen nën presion. Përzgjedhësi Gianni De Biasi ka thënë se skuadra e tij do t’i qaset ndeshjes ndaj Serbisë sikurse krejt takimeve tjera të kaluara. Ai ka thënë se për ekipin e tij kjo ndeshje është vetëm një lojë futbolli dhe se dëshiron ta fitojë atë, duke i marrë parasysh rëndësinë e madhe të pikëve, që për Shqipërinë nënkuptojnë kualifikim në “Euro 2016”.

“Kundërshtari është i fortë me lojtarë në klube të mëdha. Ne kemi dëshmuar se jemi rritur. Kemi formuar grup të mirë, por duhet të jemi të kujdesshëm që të mos na përsëritet ajo që na ndodhi me Portugalinë. Ne shpresojmë të fitojmë dhe për fitore do të hyjmë në fushë, sepse kjo është sfida e vërtet”, ka deklaruar De Biasi para mediave të mërkurën.

Njëjtë është shprehur edhe kapiteni, Lorik Cana. Ikona e futbollit shqiptar ndihet i gatshëm për lojë, pas një lëndimi, derisa ka potencuar se skuadra kuq e zi, sikurse në ndeshjet e kaluara, edhe ndaj Serbisë do të hyjë për fitore.

Serbia e “blinduar” në tokën shqiptare

Përfaqësuesja e Serbisë mbrëmë ka aterruar në aeroportin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku niveli i sigurisë ishte i jashtëzakonshëm. Nga aty, ekspedita serbe ka udhëtuar drejt hotelit “Sharaton” në Tiranë, nën përcjellje të rreptë të forcave policore, me ç’rast janë bllokuar edhe disa rrugë nëpër kryeqytetin shqiptar. Ekipi nga Beogradi nuk ka stërvitur fare të mërkurën në stadiumin “Qemal Stafa”, ndërsa me “Elbasan Arenën” ata do të njoftohen dy orë para fillimit të lojës, ku pritet të udhëtojnë nën përcjellje të paparë deri më tani nga Policia shqiptare.

Serbët duan fitore

Edhe pse Serbia i ka humbur të gjitha gjasat për t’u kualifikuar në Evropian, Kombëtarja e serbëve ka udhëtuar drejt tokës shqiptare për të shënuar fitore. Reprezentuesit serbë janë turpëruar në këtë kampanjë kualifikuese, andaj synojnë që me një fitore ndaj Shqipërisë t’i “ngushëllojnë” tifozët e tyre, për të cilët fitorja ndaj kuqezinjve do të ishte gëzimi më i madh i tyre në këto eliminatore. Ata kanë thënë se në Shqipëri nuk kanë ardhur për të luftuar, por për të luajtur futboll, duke bërë me dije se ndihen të sigurt në tokën shqiptare, dhe kjo do t’u krijojë mundësi ta kërkojnë fitoren.

Mungesave të Serbisë iu shtohet edhe Vuçiçi

Serbia ka udhëtuar drejt Shqipërisë pa disa lojtarë të lënduar, ndërsa tifo për të në “Elbasan Arena” nuk do të bëjë as kryeministri, Aleksandar Vuçiç. Të mërkurën u bë e ditur se Vuçiç nuk do ta përcjellë ndeshjen bashkë me Edi Ramën. Me gjasë as udhëheqës të Kosovës nuk do të jenë në Elbasan.

Kujdes tifozë!

Grupe tifozësh të Serbisë nuk do të ketë. Kurse, “Tifozat Kuq e Zi”, FSHF-ja dhe institucionet tjera u kanë bërë thirrje gjithë shikuesve të jenë të kujdesshëm dhe të tregojnë maturi e pjekuri. Një incident më i vogli, mund t’i kushtojë shumë shtrenjtë Shqipërisë nga UEFA.

Uji Dea

Siguri edhe nga ajri!

FSHF-ja dhe institucionet e sigurisë së shtetit shqiptar qe disa muaj kanë nisur punët rreth organizimit të kësaj ndeshjeje, e cila konsiderohet e rrezikut të lartë, sidomos pas ekseseve në ndeshjen e parë në Beograd. Niveli i sigurisë është i një niveli tepër të lartë, jo vetëm në Elbasan, por në gjithë territorin shqiptar. Biletat janë shpërndarë me një kujdes të veçantë, kurse kontroll i detajuar i pret shikuesit në hyrje të stadiumit. Forca të mëdha të Policisë janë instaluar në Elbasan, ku të mërkurën nisën edhe patrullimet me helikopterë.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë

Gianni De Biasi pritet që lojën ndaj Serbisë ta nisë me formacionin 4-3-1-1. Ndërsa, në formacionin shartues pritet të jenë: Etrit Berisha, Lorik Cana, Arlind Ajeti, Ansi Agolli, Elseid Hysaj, Burim Kukeli, Taulant Xhaka, Amir Abrashi, Ermir Lenjani, Shkëlzen Gashi e Sokol Cikalleshi.

Formacioni i mundshëm i Serbisë

Serbia pritet të zbresë në “Elbasan Arena” me formacionin 4-2-3-1. Seleksionuesi serb, Radovan Curcic, pritet t’u besojë këtyre 11 lojtarëve: Stojkovic, Kolarov, Ivanovic, Spajic, Tomovic, Matic, Brasanac, Tadic, Tosic, Ljajic dhe Mitrovic.

S’ka favorit!

Sipas kompanive të huaja të basteve, në ndeshjen Shqipëri – Serbi s’ka favorit. Fitorja e Shqipërisë ka kuotën 2.88. Koeficient të njëjtë ka edhe fitorja eventuale e serbëve. Kurse, barazimi eventual ka kuotën 3.00.

Si mund të kualifikohet Shqipëria?

Aktualisht janë tri variante në dispozicion për kualifikimin e Shqipërisë.

Varianti i parë: Nëse Danimarka sonte fiton në Portugali, Shqipëria duhet t’i fitojë dy ndeshjet e fundit ndaj Serbisë e Armenisë për t’u kualifikuar në “Euro 2016”.

Varianti i dytë: Nëse Danimarka barazon në Portugali, atëherë Shqipërisë i mjafton një fitore, përkatësisht tri pikë, nga dy ndeshjet e fundit, për ta rrëmbyer pozitën e dytë.

Varianti i tretë: Nëse Portugalia mposht Danimarkën, atëherë Shqipërisë do t’i mjaftonin dy barazime në dy ndeshjet e fundit për të shkuar në Francë. /Zëri/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.