Mobi Casa

Ti nuk më nderon, Sali!

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Imer Mushkolaj- Fakti që Kryeministri i Shqipërisë është tash e tutje “Qytetar Nderi” i vendlindjes sime nuk ndryshon asgjë në bindjen time për të. Por as në biografinë dhe të bëmat e tij.

Do të duhej të ndihesha krenar këto ditë, për shkak se bashkëqytetar imi është bërë Kryeministri i Shqipërisë. Në euforinë e shënimit të një shekulli pavarësi, Kuvendi Komunal i Deçanit ka marrë vendim që Sali Berishës t’i jepet titulli “Qyetar Nderi”. Një arsye që ai t’iu vijë për vizitë atyre që e nderuan, atyre që zgjodhën një emër të politikës, e jo të kulturës e artit për t’i bërë ndere të mëdha.

Por, përtej ekzaltimit e delirit kolektiv që shqiptarëve të Kosovës vazhdon t’ua sjell Berisha me fjalimet folklorike dhe qasjen populiste të tij, të vërteta të hidhura e veprime aspak të ndershme vazhdojnë ta ndjekin si hije bashkëqytetarin tim të ri, gjatë dy dekadave të tij politike.

Isha vetëm 16 vjeçar kur lufta e përgjakshme në Kroaci e Bosnjë po tmerronte botën, e në Kosovë Slobodan Milosevic po terrorizonte gjithçka. Sali Berisha, jo një tinejxher si unë atëbotë, por një burrë i pjekur, president i Shqipërisë, kishte zgjedhur ta ndihmojë atë duke i shitur armatim e naftë – duke shkelur embargon që ndaj ish-Jugosllavisë kishte vënë OKB’ja pikërisht për t’ia pamundësuar Milosevicit shfarosjen e njerëzve të pafajshëm.

Unë vazhdoja të isha tinejxher, e Berisha ishte 50 vjeç burrë dhe president, atëherë kur bërthama e rezistencës së armatosur kundër Milosevicit po ngjizej. S’kishte vend tjetër veç Shqipërisë, për njerëzit e parë të asaj që më pas u quajt UÇK, që ta shfrytëzonin për t’u përgatitur. SHIK’u famëkeq i Berishës i përndoqi ata këmba-këmbës. Pushteti i Berishës i ndaloi dhe arrestoi. Ka nga ta, viktima të Berishës së asaj kohe të cilët sot, për interesa politike, me vetëdije luajnë të padishmin dhe heshtin kur i thurin lavde e i bëjnë ndere atij.

Kisha mbushur 20 vjet, kur Shqipëria e udhëhequr nga Berisha u shkatërrua dhe mijëra veta vdiqën në trazirat që shkaktoi rënia e piramidave. Kush mund të ishte përgjegjës për kaosin, përveç tij?

Pasi u largua turpshëm nga pushteti, ai as në opozitë nuk u tregua i dashur me kosovarët. Kur lufta nisi në Kosovë, “marksistë-leninistë”, “banditë” e “terroristë” ishin pjesë të fjalorit të tij për pjesëtarët e UÇK’së.

Sot kur unë jam 35 vjeçar, e Berisha një plak, në vendin tim të lindjes ende nuk ka furnizim të rregullt me rrymë. Ka më shumë se një vit që ai ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë, duke i siguruar në këtë mënyrë Serbisë monopol në importin e energjisë në Kosovë.

Ndërkohë, porti i Shëngjinit vazhdon të mbetet një premtim bosh i Berishës për kosovarët, në kohën kur mijëra sish çdo verë harxhojnë qindra milionë euro në Shqipëri.

* * *

Të kritikosh Berishën nga Prishtina, si një kosovar, mund të jetë edhe blasfemi. Sepse, kulti për burrin e ndershëm të Tropojës nuk është lehtë të sfidohet. Ai ende konsiderohet si personifikim i shqiptarizmës, demokracisë, atdhetarizmit.

Por, për mua s’është kurrfarë nderi që ai bëhet qytetar nderi i vendlindjes sime – për arsyet që i thashë më lart dhe jo vetëm.

Mobi Casa

Ai nuk më nderon, sepse SHIK’u i tij zhduku Remzi Hoxhën, familjarët e të cilit presin tash 17 vjet të vërtetën për të.

Ai nuk më nderon, sepse katër qytetarë të pafajshëm u vranë në janarin e 2011’s para selisë së Qeverisë që ai drejton dhe vrasja e tyre ende nuk është zbardhur.

Ai nuk më nderon, sepse ish-të burgosur politikë po digjen të lyer me benzinë në qendër të Tiranës, e çështja e tyre ende nuk është zgjidhur.

Ai nuk më nderon, sepse ka bërë fare pak për vendin tim në kohët më të vështira dhe hiç, asgjë për vendlindjen time, që ta meritojë një titull nderi.

Ai nuk më nderon, sepse ua vështirëson, e jo lehtëson kosovarëve shitjen e prodhimeve të tyre në Shqipëri.

Ai nuk më nderon, sepse respektin e kosovarëve ndaj tij shpesh e ka keqpërdorur për luftë me kundërshtarët e tij politikë.

Ai nuk më nderon, sepse shfaqet arrogant, mashtrues e hipokrit, ndonëse ka bërë betimin e Hipokratit.

Në mesin e atyre që sot i thurin lavde e i bëjnë ndere, ka plot që mendojnë si unë, por lakmia për pushtet ua ka mbyllur sytë dhe ua ka fshirë kujtesën përballë Berishës së vërtetë.

Berisha, ndërkaq, në vend se të jep mesazhe patriotike koti, do të ishte më mirë të jep përgjigje në pyetjet e dilemat e shumta të ngritura gjatë karrierës së tij politike.

Ai mund të fitojë tituj nderi pafund, por kjo nuk ndryshon asgjë në bindjen time për të. As në biografinë e tij. As në të bëmat e tij. As në nderin e tij.

Ti nuk më nderon, Sali!