Fundamenti

T`i kujtojmë atdhetarët tanë:Likuidimi i Hasan Alisë – Remnikut – (1910- u likuidua më 10 tetor 1951)

/ 10 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Nga Sabile Keçmezi-Basha: “Unë kur dola në male isha betua se do të luftoi pushtuesit, dhunuesit, hajnat, vrastarët, njerëzit e ligj të çdo lloji ngjyre e rase- veçmas shkaun….” . Patrioti i Anamoravës Hasan Ali- Remniku, i takonte grupit të parë, i cili me një grup shokësh, edhe pse e dinte se rreziqet ishin të mëdha, ai me këmbëngulje ishte për qëndrim të mëtejshëm në Kosovë dhe asnjëherë gjatë jetës së tij nuk u luhat dhe nuk vuri në dilemë largimin e tij nga Kosova. Ai ishte i prerë në qëndrimet e veta. Kosova dhe popullata e pa mbrojtur shqiptare kishte nevojë për të, sikurse edhe ai për ata, dhe ishte shumë i vendosur për të vazhduar luftën e nisur deri në fund për lirimin e atdheut.

Pas një veprimtarie të bujshme patriotike të NDSH-së, dhe pas një përcjelljeje të gjatë e të gjithë anshme të organeve të ndjekjes, ilegalja shqiptare duke e parë se veprimtaria e mëtejshme në kushte të reja ishte e vështirësuar, krerët e saj filluan që të kenë si opsion edhe propozimin të dal nga një pjesë e krerëve atdhetarë për largimin e saj nga Kosova. Propozimi i një grupi për largimin e tyre nga vendi, krijoi si të themi edhe një lloj përçarje në mes të ilegales në Kongresin e Pestë të saj në malet e Blinajës. Dihej se në të dolën dy propozime, njëra ishte që të vazhdohet me veprimtari ilegale, duke qëndruar në vend, ndërsa tjetra ishte që të dilet jashtë vendit nëpër mes kanaleve të ndryshme dhe nga atje të organizoheshin dhe në momentin më të përshtatshëm të kthehen në vend duke përmbysur pushtetin e sapo instaluar komunist dhe të shpallin bashkimin kombëtar.

Patrioti i Anamoravës Hasan Ali- Remniku, i takonte grupit të parë, i cili me një grup shokësh, edhe pse e dinte se rreziqet ishin të mëdha, ai me këmbëngulje ishte për qëndrim të mëtejshëm në Kosovë dhe asnjëherë gjatë jetës së tij nuk u luhat dhe nuk vuri në dilemë largimin e tij nga Kosova. Ai ishte i prerë në qëndrimet e veta. Kosova dhe popullata e pa mbrojtur shqiptare kishte nevojë për të, sikurse edhe ai për ata, dhe ishte shumë i vendosur për të vazhduar luftën e nisur deri në fund për lirimin e atdheut.

Hasan Ali- Remniku, ishte shokë e mik i Hysen Tërpezës, por ishte edhe mik i Bacës Ramiz Cërnicës. Edhe pse e kishte lutur e përgjëruar Hysen Terpeza për të iu bashkangjitur atij për largimin në Greqi, ai kishte qenë këmbëngulës, dhe i kishte thënë “ Unë kur dola në male isha betua se do të luftoi pushtuesit, dhunuesit, hajnat, vrastarët,

njerëzit e ligj të çdo lloji ngjyre e rase- veçmas shkaun….”, këto edhe ishin fjalët e fundit që i tha shokut të vet të idealit Hysen Tërpezës.

Familja e Hasan Alis, në fshatin Remnik kishte ardhur aty kah viti 1913, sipas disa të dhënave, ai në atë kohë kishte vetëm tri vjet. Hasani kishte lindur më 1910 në një familje mesatarisht të kamur fshatare. Shumë shpejt familja e tij në fshatin e ri, kishin krijuar miqësi dhe u pritën ngrohtësisht nga vendasit. Me sjelljen e tyre të fisme, fshatarët asnjëherë nuk i ndan nga gëzimet dhe as nga hidhërimet e tyre. Me kalimin e viteve familja e Hasan Alisë, filloi të njihej me mbiemrin e fshatit, që më vonë në shumë dosje të UDB-së e gjejmë me mbiemrin Hasan Remniku.

Babai i tij, Ali Ramë Çollaku, nga ai Hasan Alia kishte trashëguar trimërinë e guximin ndërsa, nga nëna Zelë, kishte trashëguar ndjeshmërinë dhe dashurin ndaj skamnorëve. Hasan Remniku, fshatar në gjendje mesatare ekonomike nga Remniku, komuna e Cërnicës shkruante në dosjen e tij.

Mirëpo, gjatë hulumtimeve, në shumë vende na del se Hasan Remniku ishte një lloj Robin Hudi shqiptar, kur shihte se depot e pushtetit ishin të mbushura me mall e veshmbathje, ndërsa në anën tjetër popullata shqiptare vuante për një kothere bukë apo për një palë opinga, ai e ndjente veten keq dhe në një mënyrë ishte i detyruar që ti merrte ato nga magazinat dhe t’iu shpërndante popullatës shqiptare. Ai nuk mundi asnjëherë të duronte padrejtësinë, sidomos nga komshit e vet që i kishte serbë.

Ishte i martuar me Naziren nga Lubishta, dhe në jetën martesore u linden tre fëmijë: Naziren, Nurien dhe Aliun (1942). Gjatë kohës së okupimit punoi si policë në komunën e Parteshit.

Mirëpo, pas përfundimit të luftës, Hasan Alin- Remnikun e gjejmë në anët e ndryshme të Anamoravës, duke punuar për të mirën e kombit të vet. Shpesh e hasim duke i ndërruar strehimet dhe jatakët, duke ndërruar terrenet dhe shpellat ku fshihej.

Ai ishte i vetëdijshëm dhe kishte dëgjuar nga informatorët, se UDB-eja po kërkonte me pishë një njeri që do ta zbulonte me tradhti Hasan Remnikun. Andaj, për çdo lëvizje ai ishte vigjilent në takimet dhe në jatakët e tij. Arif Sherif Selmanin nga Remniku e kishte caktuar korrier, ai ishte një djalë i ri, trim dhe shumë i besueshëm. Nga ky edhe vinin informatat se kah sillej ushtria dhe policia jugosllave dhe se çfarë çmimi kishin vu për kapjen e tij.

Sipas disa të dhënave që na i ofron në “Autobiografin” e vet, veprimtari i shquar i ONDSH-së – Shemë Dajkoci, në mes tjerash, për organizimin dhe veprimtarin e ONDSH-së në Anamoravë, në mes tjerave shkruante se: “Në fshatin Bresalc kryetar ka qenë Hajrullah Hoxha, i cili ka organizuar në Verbicë, në Zhegoc dhe në Ponesh…”, komitete të NDSH-së, por, më tej, askund në shkrimin e tij nuk hasim ndonjë të dhënë plotësuese lidhur me veprimtarin e ONDSH-së, në fshatin Remnik.

Por, në bazë të disa të dhënave të më vonshme, që i gjejmë në fejtonin e Jovan Bullaiqit, në gazetën “Rilindja” që ishte i botuar me titull “Prita në Bistricë”, më 16 qershor 1965. Sipas tij, del se Hasan Remniku qysh herët, menjëherë pas vitit 1945, kishte filluar të merrej me veprimtari atdhetare ilegale.

RCCOLA

Vazhdimisht sipas Bullaiqit, por që më vonë e hasim edhe tek libri i Muhamet Pirrakut “Mulla Idriz Gjilani…”, Prishtinë, 1995, vërtetohej e dhëna se, me propozimin e Hasan Remnikut, formohet organizata e NDSH-së në Gjilan (1949), me programin e saj luftarak, e quajtur “Zogiste”. Organizata quhej me këtë emër, por në bazë të të dhënave që kemi arritur t’i sigurojmë, ajo ishte degë e

NDSH-së dhe kishte të njëjtin program të saj. Pas zbulimit dhe arrestimit të anëtarëve të degës së NDSH-së që vepronte në Gjilan, të cilët në procesin gjyqësor, më 12-16 nëntor 1949, u dënuan me vite të mëdha burgu.

Nga kjo datë, dega e NDSH-së, e Remnikut filloi të veproj në mënyrë të pavarur, dhe barrën kryesore e morën: Hasan Remniku, Mustafë Koka dhe Arif Syla. Pas një takimi që patën në fund të nëntorit, Hasan Remniku u zgjodh udhëheqës kryesor ushtarak, Mustafë Koka u emërua si udhëheqës ideologjik dhe njëherë kryente punët e sekretarit të organizatës.

Ndërsa Arif Syla u caktua arkëtar i saj. Organizata e NDSH-së, në fshatin Remnik, me kalimin e muajve, filloi të shtoi edhe veprimtarin e saj. Numri i anëtarëve shtohej për ditë e më tepër, ndërsa i simpatizantëve ishte edhe më i madh në tërë rajonin e Anamoravës së Epërme. Anëtarët rregullisht paguanin anëtarësinë dhe gjatë veprimtarisë së tyre ishin shumë konspirativ.

Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë më 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9 e 10 tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatzënë, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie Misin Alidemen.

Ata ishin të përgatitur mirë, ngase më herët kishin qepur rroba të policisë për burrat, ndërsa për gratë kishin sigurua pantallona, për hir që të lëviznin më lehtë gjatë rrugëtimit. Ushqimin e kishin sigurua me bollëk, andaj çdo gjë ishte e gatshme për nisje.

Sipas Jovan Bullaiqit, për Arif Sylën kjo ishte dita më e dhembshme në jetën e tij. Kur kërkoi nga Hasan Remniku që të përshëndetën, Hasani reagoi ashpër duke i thënë se ai vetëm po i përcillte shokët, se ai do të kthehej përsëri në Kosovë. Kjo nuk ishte e vërtetë, por ishte një taktikë për të humbur gjurmë dhe për të krijuar huti tek personat që e kishin marr përsipër që ta përcillnin. Rruga ishte e mundimshme dhe me plotë rreziqe, grupi i nisur për rrugë, natën ecte ndërsa ditën u fshihte në male për të vazhduar rrugën në natën tjetër.

Organet e ndjekjes Hasanin e cilësonin se ishte shumë dinak dhe shumë i kujdesshëm “ai kujdesej për çdo gjë”. Së bashku me lëvizjet e grupit, në anën tjetër sipas dosjeve të UDB-së, lëviznin dhe bënin përgatitjet e fundit edhe organet e ndjekjes.

Grupi vazhdimisht shoqërohej nga përcjellësi i tyre që e kishte marr përsipër që ta “hidhte përtej kufirit”. Pas dy dite rrugëtimi, ata kishin arritur në malet e Kabashit dhe pritnin lidhjen tjetër që do i përcjell, që Hasanit ia prezantuan si njeri nga Zhuri me emrin Ragip, dhe që ishte njohës i mirë i këtij terreni. Hasani çdo gjë e merrte me dyshim dhe për t’i bindur personat e panjohur, iu thoshte se edhe ai e njehte shumë mirë këtë terren.

Për çdo rast sigurie, Hasani, përcjellësit e vet i kishte vu para dhe nën kërcënimin e automatikut ecnin në drejtim të kufirit dhe pa dijen e tyre, ecnin në drejtim të “Pritës në Bistricë”, që i kishin organizua ushtarët dhe policët e shumtë që ishin shpërndarë në formë harku pran lumit. Afërsia në kufi krijonte një ndjenjë shqetësimi dhe gëzimi tek grupi i Hasan Remnikut, ndërsa tek ushtarët ishte ankth i vërtet prania e Hasan Remnikut.

Pas kalimit të lumit të ftohët nga grupi, në fushë u ndizen dritat e shumta të kamionëve të ushtrisë, kërcitën rafalët e shumta, përcjellësit e tyre u zhdukën në strehimoret e përgatitura më herët, ndërsa të shtrirë pran njëri tjetrit ngelën Hasan Remniku me shokët.

Pas kësaj ngjarjeje kobzezë, ushtarët e policët festuan gjatë dhe me mburrje organizuan në Prizren, Ferizaj e Gjilan një ekspozitë të tmerrit, duke i detyruar fshatarët që t’i vizitonin të vrarët, që i kishin shtrirë në llucën e rrugëve, për t’iu futur tmerrin qytetarëve shqiptar. Ashtu në heshtje, kokë ulur fshatarët i përcollën duke iu bërë nderimet e fundit bijve më të dashur të kombit vet./rajonipress/