TI: Kosova në “zonën e kuqe” të korrupsionit

Organizata “Transparency International” ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2013, duke renditur 177 vende në bazë të niveleve të tyre të korrupsionit në sektorin publik. Kosova këtë vit rradhitet në vendin e 111-të (së bashku me Tanzaninë dhe Etiopinë), për dallim nga viti i kaluar kur kishte shënuar përparim simbolik dhe kishte zënë vendin e 105-të.
Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Kosova mban pozitë më të avancuar vetëm ndaj Shqipërisë, e cila renditet në vendin e 116-të. Shqipëria, vitin e kaluar, mbante pozitën e 113-të. Kosova dhe Shqipëria janë vendet e radhitura në “zonën e kuqe” të korrupsionit.
Mali i Zi ka zënë pozitën e 67-të, duke rënë nga vendi i 75-të ku ishte radhitur vitin e kaluar. Përmirësime në krahasim me vitin e kaluar kanë shënuar edhe Kroacia me vendin e 57-të nga pozita numër 62, pastaj Serbia me vendin e 72-të nga 80, kurse Maqedonia është rradhitur në vendin e 67-të, për dallim nga pozita e 69-të vitin e kaluar.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për 2013, Danimarka dhe Zelanda e Re zënë vendin e parë, kurse vendin e fundit me numër 177 e ndajnë Afganistani, Koreja Veriore dhe Somalia.
Kështu, Transparency International paralajmëron se korrupsioni brenda sektorit publik vazhdon “të shkatërrojë” vende në gjithë botën.
Koordinatorja e programit, Svetlana Savitskaya, ka thënë se imazhi është mjaft i zymtë në vendet ish-sovjetike, ku shumica e tyre ose kanë përkeqësim rezultatesh, ose kanë mbetur njësoj si vitin e kaluar./Indeksonline/