RCCOLA

“Thyerja” – dramë psikologjike e personazhit deri në vetëvrasje

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Janë ca momente në jetë kur njeriu pa fajin e tij përballet me të papritura të patjetërsueshme, e të patejkalueshme, që ia ka destinuar fati apo fatkeqësia. Këto fakte sjellin akte psikologjike tek personazhe të caktuara, të cilët, ndonëse provojnë të gjitha mënyrat me tratativa të vazhdueshme, nuk ia dalin ta kalojnë përtej “rubikonit!”. I tillë ishte personazhi kryesorë i shfaqjes së sotme të Trupës Teatrale nga Teatri i Mitrovicës, “Muharrem Qena”, teatër ky që është prezantuar në natën e dytë të festivalit “Talia e Flakës” me shfaqjen “Thyerja”, të punuar nga regjisori Agim Selimi, sipas tekstit të autorit Abdyl Bunjaku.

Tema e shfaqjes është e natyrës psikologjike, mbarështrimin e së cilës gjatë shthurjes së konfliktit, publiku s’ka se si të mos e kuptojë që do ta ketë punuar një ‘dorë e stërvitur’ regjisori për tema të tilla, i cili, përmes personazheve të tij në shfaqje arrin të depërtoj tek ndjesitë e publikut të të gjitha moshave e shtresave, pasi si të tilla, edhe për vet publikun ato përjetime janë fare të njohura në rastet të shumta e të vazhdueshme të dhunës sistematike psikologjike të ushtruara ndër vite e dekada ndaj popullit tonë në tërësi, e individëve të shumtë në të shumtën e herëve.

Praktika e aplikimit të ‘formave të reja teatrore’, të cilat tashmë po aplikohen gjithandej në botë, ishte e veçanta e shfaqjes së sotme të natës së dytë të festivalit të dramës, “Talia … 2021”. Me to publiku ‘përballet’ që në hapje të siparit të shfaqjes “Thyerja”, ngjarja e së cilës nuk zhvillohet në skenën e destinuar për aktorët tradicional, porse në vet sallën e paraparë për publikun pjesëmarrës.

Loja e aktorëve ishte relative me shpërthime të kohëpaskohshme, varësisht nga situatat e caktuara me të cilat përballen personazhet, ku spikatë paraqitja e Mirsat Feratit, sikundër herë-herë edhe ajo e aktorëve tjerë, krahas rrjedhës së ngjarjes në shfaqje.

Mobi Casa

Kostumografia e parapara mbase modeste porse normale me harmoninë e shfaqjes reale, ndërsa koreografia pa shumë elemente, pothuajse e boshatisur, vjen si rrjedhojë e rrethanave të imponuara nga skena e lojës në podium.

Muzikës e ndriçimit, si dy komponentë të rëndësisë veçantë në shfaqje, u është kushtuar fare pak rëndësi në këtë rast, pasi tendenca e regjisorit duket të ketë qenë tek përfshirja sa më e madhe e vëmendjes së publikun në fabulën e shfaqjes dhe dramës së personazheve, në harmoni të plotë me natyralitetin e rastësisë së përditshmërisë së tyre!

Festivali i dramës “Talia e Flakës”, ashtu siç është parapa paraprakisht, këtë edicion, rrjedhën e saj po e zhvillon në rrethana të imponuara nga efektet e pandemisë, duke dëshmuar sërish “besnikërinë tradicionale” dhe “mishërimin permanent” të publikut gjilanas me teatrit në përgjithësi, e dramës si zhanër specifik në veçanti, ani pse në numër të kufizuar.

Në shfaqje është paraqitur kasta e aktorëve të teatrit të konsoliduar tashmë “Muharrem Qena” nga Mitrovica, me: Eshtref Durmishi, Mirsad Ferati, Mehmet Preteni, Qëndresa Kajtazi, Agan Asllani, Fisnik Ademi, Adem Zhitopotoku, Fatmir Haliti, Artan Hetemi./rajonipress/