Fundamenti

Thirrjet nga Bangladeshi e Afganistani shqetësojnë konsumatorët e Vala-s

/ 3 minuta lexim

Kohëve të fundit konsumatorët e operatorit Vala janë duke u shqetësuar prej numrave ndërkombëtarë, të cilët kryesisht fillojnë me numra +10 dhe +11. Zyrtarët e PTK-së kanë thënë për Telegrafin se këto thirrje nuk mund t’i dëmtojnë konsumatorët e tyre.

Zyrtarët e Postë Telekomit të Kosovës (PTK), respektivisht operatorit Vala kanë thënë se thirrjet vijnë kryesisht nga shtetet si Bangladeshi, Afganistani, Moldavia, Bosnjë e Hercegovina, Ukraina, Vietnami, Italia, Azerbajxhani e vende të tjera.

“Thirrjet që vijnë nuk zgjedhin se tek cilët klientë të dërgohen, është çështje e përzgjedhjes së numrave nga iniciuesit e këtyre thirrjeve. Përndryshe, në asnjë moment këta operatorë që iniciojnë thirrje nuk kanë qasje në datotekën e klientëve të Vala-as. Jemi shumë të sigurt në këtë që po theksojmë: Vala garanton në ruajtjen e privatësisë së plotë të konsumatorëve të saj”, është thënë në përgjigjet zyrtare për Telegrafin të Departamentit për Relacione me Publikun të PTK-së.

Zyrtarët e PTK-së kanë bërë të ditur se janë duke punuar së bashku me Monaco Telecomin, pasi që trafiku ndërkombëtar në shkuarje dhe ardhje menaxhohet nga ky operator në mungesë të ‘Contry Code’ të Republikës së Kosovës. “Janë bllokuar mbi 17 destinacione/ruta ndërkombëtare, aty ku janë verifikuar se ka bazë për shqetësim dhe paraqet mashtrim potencial. Ekspertë të brendshëm të Rrjetit dhe ata të Fraud & Risk punojnë dhe monitorojnë 24 orë rrjetin dhe nuk ka vend për shqetësim”.

Uji Dea

Pavarësisht thirrjeve të shpeshta sipas zyrtarëve të PTK-së konsumatorët nuk kanë nevojë të shqetësohen.
“Nuk ka nevojë që të ngritët panik për këtë çështje, sepse konsumatorët tanë janë të mbrojtur dhe nuk janë të dëmtuar në asnjë rast. Nëse një konsumator yni pranon një thirrje të tillë , kjo nuk do të thotë se ai dëmtohet, përveç se mund të shqetësohet”, thuhet në përgjigjet e Departamentit për Relacione me Publikun në PTK.

Ndërkaq, qytetarët të shumtë kanë shkruar në adresën e Telegrafit duke u ankuar se shumë shpesh janë duke u shqetësuar nga thirrje të shpeshta në numrat e tyre të telefonit.

“Unë jam K.R, këto ditë kam pas disa shqetësime nga numrat e telefonit me parashtesë +10 dhe +11… gjithë javën nga 4-5 herë në ditë kam pranuar vetëm zilen e parë, duke i treguar shokëve për këtë rast, ata filluan të tregojnë se shumica e tyre kishin dëgjuar apo edhe kishin pas eksperiencë të njëjtë. Me sa duket këto thirrja po realizohen nga lidhje telefonike që biseda me këto lidhje është shumë e shtrenjtë. Ata po bëjnë thirrje qe t’i nxisin konsumatorët e Valës për të thirrur prapa dhe për t’ia grabitur parapagimin që kanë”, kanë thënë ky qytetarë.

“Numrat qe më kanë bërë zile, +10790243230223 20 Janar, 22:13, +10420046256312 20 janar, 19:09, +1148163679037 20 janar, 05:39, +11948393784641 19 Janar, 21:55 dhe +11033618931668 19 janar, 17:53”, ka treguar për Telegrafin konsumatori i Vala-s me iniciale K.R. /Telegrafi/