Fundamenti

Thirrje nga Kosova

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Donat Syla- Njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi juaj i respektuar do të ketë ndikim edhe te vendet e tjera të rajonit që të ndërmarrin hapa të tillë duke e legjitimuar edhe më shumë të drejtën e kosovarëve.

Përmes kësaj kolumne, marr guximin që të informoj qytetarët e Indonezisë për ndihmën që kërkon vendi im – Kosova. Kjo kolumne e shkurt përbën një sfidë të madhe për mua si një gazetar i një vendi të vogël, i cili ka më pak se pesë vjet që e ka shpallur pavarësinë dhe ka nevojë të madhe për përkrahje nga vendi juaj, Indonezia. Kjo përkrahje ka të bëjë me kërkesën e një gazetari që dëshiron t’i bashkohet zërave që i bëjnë thirrje qeverisë së Indonezisë për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Mbase, opinion në Indonezi mund të mos ketë dëgjuar për emrin Kosovë – është vendi më i ri në Europë, që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe tashmë është i njohur nga më shumë se 90 vende anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kosova gjendet në udhëkryqin Romë, Stamboll, Vjenë, Athinë, pra është në mes të Europës. Besoj se qytetarët e Indonezisë kanë dëgjuar për ndonjërin nga këto qytete, që pas vete mbartin një histori të tërë, për të mos thënë se zanafilla e civilizimit europian fillon pikërisht në këto vende.

Kosova ka nevojë edhe për përkrahjen e shteteve të largëta nga rajoni ynë, në mënyrë që të marrë vendin e merituar në mesin e kombeve të lira dhe të barabarta me të drejtë të përfaqësimit në OKB. Kosova gëzoi mbështetjen e madhe të SHBA-ve dhe vendeve më të fuqishme evropiane për tu bërë e pavarur, pas dhunës sistematike të ushtruar nga aparati shtetëror i Presidentit tashmë të ndjerë të Serbisë, Slobodan Milosevic. Ai vdiq ende pa iu shqiptuar verdikti për të gjitha krimet e kryera në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, e për të cilat po akuzohej nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës për krime lufte. Shumë media, por edhe humanistë e aktivistë të ndryshëm të të drejtave të njeriut, e kanë cilësuar Slobodan Milosevicin si diktatorin më të egër që ka pasur ndonjëherë Evropa pas Adolf Hitlerit dhe aparatit të tij nazist.

Intervenimi kundër aparatit të dhunshëm të Serbisë që drejtohej asaj kohe nga Milosevici dhe ndihma që i është dhënë Kosovës, është marrë duke u mbështetur në të drejtën humanitare për të parandaluar gjenocidin dhe etnocidin në përmasat që tashmë kishte ndodhur në Bosnje. Ishte një vendim i bashkësisë ndërkombëtare që të parandalonte një Bosnje të dytë në Kosovë. Ky intervenim ushtarak kishte ndodhur në vitin 1999. Tash Kosova si vend i pavarur ambicie të saj ka integrimin në Bashkimin Evropian, që është një strukturë e organizim politiko – ekonomik i vendeve evropiane, e në të cilin synojnë të anëtarësohen vendet post komuniste evropiane, përderisa disa prej tyre janë anëtarësuar tashmë.

Kosova ka rreth 2 milionë banorë. Sa i përket besimit, shumica prej qytetarëve kosovarë janë të besimit myslimanë, ndërkaq një përqindje janë katolikë dhe ortodoksë. Sa i përket nacionaliteteve, shumica e popullsisë në Kosovë përbëhet nga shqiptarët, por jetojnë edhe serbë, turq dhe nacionalitete të tjera.

KKVITI

Kosova ka nevojë për përkrahjen e Indonezisë. Pavarësinë e saj e kanë njohur SHBA, shumica e vendeve europiane, disa vende arabe, përfshirë këtu edhe Arabinë Saudite, po ashtu Republikën e Kosovës e kanë njohur edhe shtetet si Japonia, Australia dhe Zelanda e Re.

Si gazetar i një vendi që po përpiqet të ndërtojë historinë e tij, lus autoritetet e shtetit të Indonezisë që të marrin në shqyrtim njohjen e pavarësisë së Kosovë. Kjo do të ishte një ndihmesë e jashtëzakonshme për vendin tim, për të rinjtë e këtij vendi. Kosovarët nuk kanë mundësi të përfaqësojnë interesat e tyre në OKB sikurse edhe vende e tjera. Ata nuk munden sikurse të tjerët të tregojnë se në Kosovë janë vrarë mijëra njerëz. Kosovarët nuk mund të tregojnë se në vendin e tyre me mijëra njerëz konsiderohen si të zhdukur gjatë luftës, e po ashtu se në Kosovë ka me mijëra gra të dhunuara gjatë luftës, pasojat e të cilave i vuajnë edhe sot, ose zgjedhin rrugë më të dhimbshme atë të vetëvrasjes.

Unë jam i bindur se njohja e pavarësisë së Kosovës nga vendi juaj i respektuar do të ketë ndikim edhe te vendet e tjera të rajonit që të ndërmarrin hapa të tillë duke e legjitimuar edhe më shumë të drejtën e kosovarëve.

Shpresoj se kjo thirrje e një gazetari nga Europa e largët për të njohur pavarësinë e vendit të tij do t’ju bëjë të mendoni që të shkëputeni për një çast nga çështjet e rëndësishme për vendin tuaj dhe t’i ndihmoni njerëzit e vendit tim, që edhe ata të kenë të drejtë të jenë të përfaqësuar si çdo komb tjetër në OKB. E kjo mund të arrihet edhe me kontributin e Indonezisë duke e NJOHUR PAVARËSINË e vendit tim – KOSOVËS.

Autori është redaktor në RTK. Teksti është kolumne e botuar në gazetën “Seputar Indonesia” të Indonezisë.