RCCOLA

Thirri burrin, pastaj dashnorin dhe i vrau të dytë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Një thirrje telefonike e bërë pak kohë para vrasjes së dyfishtë, ka ndihmuar policinë e Tropojës për zbardhjen e ngjarjes që tronditi banorët e qytetit të Bajram Currit.

Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së këtij qyteti kanë bërë me dije se Manjola Dollapi, nënë e një djali 6 vjeç, i ka telefonuar bashkëshortit të saj, Eduard Dollapit. Pasi ky i fundit i ka thënë se ndodhej në punë, 31-vjeçarja ka futur në banesën e saj Kaçanik Gjuriçin, me të cilin dyshohet se kishte lidhje jashtëmartesore, raporton Gazeta Shqiptare.

Pas zbardhjes së telefonatës së çiftit, hetuesit e çështjes kanë ndërtuar skemën e ngjarjes, ku mbetën të vrarë me automatik 34-vjeçari Dollapi dhe 27-vjeçari Gjuriçi. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, Manjola Dollapi ka deklaruar se nuk e njihte Kaçanik Gjuriçin.

Burime jo zyrtare dje pohuan se gruaja e akuzuar për vrasjen e dyfishtë ka tentuar që t’i japë fund jetës duke prerë damarët e duarve. Nga ana tjetër, burime pranë grupit hetimor sqaruan se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe se autorja e krimit ndodhet e izoluar në qelitë e paraburgimit.

Vrasja e njëkohshme e Eduard Dollapit dhe e Kaçanik Gjuriçit nga Manjola Dollapi ka intriguar blutë e Tropojës. Për të hedhur dritë rreth faktit se përse 27-vjeçari ndodhej në orët e natës në banesën e familjes Dollapi, policia ka nisur zbardhjen e tabulateve telefonike. Ekspertë të çështjes u shprehën se 31-vjeçarja i ka telefonuar të shoqit, i cili natën e së enjtes ndodhej në punë, në Hidrocentralin e Fierzës.

Mobi Casa

“Manjola e ka marrë në telefon të shoqin para ngjarjes. Ndërsa ai i ka thënë se ndodhej në punë, gruaja është siguruar se ai nuk do të kthehej, ndaj ka ftuar në banesë Kaçanik Gjuriçin, me të cilin dyshohet se ka pasur lidhje sentimentale”, deklaruan burime zyrtare nga policia e Bajram Currit.

Dyshohet se, Eduard Dollapi kishte dyshime se bashkëshortja e tij e tradhtonte, ndaj ka lënë punën dhe është kthyer në banesën e tij në lagjen “Partizani” të qytetit Bajram Curri. Po sipas burimeve policore, 34-vjeçari është tronditur kur ka gjetur në banjën e shtëpisë Kaçanik Gjuriçin. Kryefamiljari ka marrë thikën dhe ka filluar të përleshet me 27-vjeçarin.

“E gjendur në një situatë të tillë, Manjola Dollapi ka marrë automatikun që e mbante poshtë divanit dhe ka qëlluar me breshëri mbi bashkëshortin e saj, Eduardin, duke e lënë të vdekur në vend. Dyshojmë se në kushtet e një depresioni të thellë mendor, 31-vjeçarja ka qëlluar dhe mbi Gjuriçin, duke e lënë dhe këtë të vdekur në vend”, sqaruan burimet e mësipërme.

Po sipas policisë, Manjola Dollapi është larguar nga banesa duke përfituar nga errësira dhe ka shkuar tek motra e saj në fshatin Margegaj.

“Po. Unë vrava bashkëshortin tim dhe atë personin tjetër që nuk e njihja. Isha në gjumë bashkë me djalin tim të mitur, kur dëgjova zhurmë tek dera e shtëpisë. U ngrita dhe shkova për ta hapur, kur pashë Eduardin duke u përleshur me një burrë tjetër. Ky i fundit mbante një thikë në dorë dhe në momentin që tentoi të më vriste burrin mora automatikun që e mbaja në banesë dhe qëllova për ta mbrojtur”, ka thënë para hetuesve të çështjes Manjola Dollapi. /Telegrafi/