Therja e kafshëve dhe shitja e mishit në Kamenicë jashtë çdo kriteri sanitar
Kamenicë – Qendra e qytetit, por edhe disa fshatra te Kamenicës janë shndërruar në thertore kafshësh. Siç është bërë tashmë traditë, në prag të festave, mishi shitet në rrugë, i ekspozuar në pluhur, baltë, temperatura tropikale dhe jashtë çdo kriteri higjieno-sanitar. Pas kësaj situate alarmante, inspektoriati Komunal ndërmori aksion për ndalimin e therjeve në vende publike dhe masa për kontrollimin e shitësve ambulantë ka thënë Faton Jakupi.
Drejtori i Inspektoriatit në Kamenicë, Faton Jakupi, tha që në orët e mëngjesit organet përgjegjëse kanë nisur kontrollin dhe inspektimin. “Nuk do të lejojmë më therjen dhe shitjen e mishit në vende të papërshtatshme. Vitin e kaluar dhe sivjet, Inspektoriati Komunal ka ndërhyrë për të mos lejuar shitjen e mishit në vende të papastra dhe të hapura. Që nga orët e mëngjesit jemi në terren dhe do të ketë zero tolerancë ndaj therësve në hapësira publike. Kemi urdhëruar të largohen nga rrugët dhe Inspektorati komunalë po e kryen punën e vet në mbrojtje të shëndetit të qytetarëve”, tha Jakupi./rajonipress/


