Themelimi i FAK-ut po vonohet nga Lista Serbe
Përfaqësuesi i lëvizjes së Vetëvendosjes në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha të hënën se kundërshton vendimin e Kryesisë që të mos jetë në rend dite në seancën e së enjtes pika që ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, e që mundëson themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Për këtë arsye opozita ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, pasi pozita nuk e votoi si rend dite ndryshimet kushtetuese për Forcat e Armatosura të Kosovës.
Konjufca tha se fajtore për këtë është mazhoranca që ndikohet nga Lista Serbe, e cila është nën direktivat e Beogradit.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci tha se nuk është mirë që këto çështje të shfrytëzohey politikisht, ndërsa tha se synimi i tyre është që kur ta dërgojnë këtë çështje në Kuvend të mos dështojë votimi i saj.
Ngjashëm me Grabovcin është shprehur edhe shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. /Telegrafi


