Fundamenti

Thelbi i konfliktit antik

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Çdo gjë fillojë si një thirrje për liri në Lindjen e Mesme, por kryengritjet arabe po karakterizohen gjithnjë e më shumë nga konflikti sektar mes shiitëve dhe sunitëve. Beteja mes këtyre dy sekteve myslimane ka zgjuar frikën përgjatë vijave të vjetra të frontit.

Në shtetet myslimane vija mes së kaluarës dhe së tashmes shpesh është e turbullt, gjë që krijon përshtypjen se e kaluara nuk ka marrë fund dhe se nuk është falur. Dhe vërtetë, e kaluara mund të jetë tejet e gjallë këtu dhe mund të jetë tejet vdekjeprurëse.

Kur përfaqësues nga e gjithë bota u tubuan në kryeqytetin e Iranit, Teheran, për të marrë pjesë në Samitin e shteteve të Pa-Inkuadruara, takim ky vjetor i 120 shteteve që vlerësojnë se nuk janë të lidhura me asnjë super-fuqi, vëmendja befas u përqendrua në betejën 1300 vjeçare. Nikoqir ishte presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinajad, një shiit. Pranë tij ishte ulur presidenti i ri i Egjiptit, Mohammed Morsi, një sunit.

Morsi e filloi fjalimin e tij duke përmendur Profetin Muhamed, por më pas vazhdoi:”Allahu i bekoftë shenjtorët tonë Abu Bakrin, Umarin, Uthmanin dhe Alinë”.

Mediet iraniane menjëherë e cilësuan këtë deklaratë si provokim. Abu Bakr, Umar dhe Uthmani ishin trashëgimtarë të Muhamedit, pas vdekjes së tij në vitin 632. Myslimanët sunitë i konsiderojnë ata si kalifët e parë, por myslimanët shiitë i cilësojnë si uzurpatorë dhe tradhtarë të fesë, figura të urryera, emrat e të cilëve nuk duhet të përmenden.

Trashëgimtari i vërtetë i Muhamedit, thonë shiitët, ishte Alia, imami i tyre i parë, i cili më vonë luftoi kundër Abu Bakrit, Umarit dhe Uthmanit, para se të vritej.

Morsi vazhdoi, për të folur për situatën aktuale në Siri, ku Baschar Al Assadi po kryeson fushatën kundër kryengritësve, pjesa më e madhe e të cilëve janë sunitë. Assad dhe bashkëpunëtorët e tij janë pjesëtarë të pakicës alavite, e cila ka afërsi më të madhe me shiitët. “Gjakderdhja nuk do të ndalet pa ndërhyrje nga jashtë”, theksoi Morsi, duke shtuar se regjimi i Assadit ka humbur legjitimitetin.

Morsi i bëri këto deklarata i ulur afër Ahmadinejadit, i cili ka furnizuar regjimin e Sirisë me armë, e tani edhe me ushtarë.

Morsi duhet ta di se secili shtet, i cili intervenon në Siri rrezikon të hyjë në luftë edhe me Iranin. Vijat e konfliktit mes sunitëve dhe shiitëve shtrihen në shumë shtete të Lindjes së Mesme.

Nga Tunizi deri në Bahrein, Pranvera Arabe filloi si kryengritje kundër tiranëve dhe klaneve të tyre. Filloi me thirrje për liri, drejtësi dhe prosperitet. Por gjithnjë e më shumë, kryengritjet po mbesin nën hijen e konfliktit antik mes dy sekteve të islamit, sunitëve dhe shiitëve.

Ishte pushteti që ishte në lojë pas vdekjes së Muhamedit dhe është në lojë edhe sot e asaj dite. Në të kaluarën, tendosjet kanë përfunduar shpesh në gjakderdhje.

Por rrallë ka ndodhur që të ketë tendosje në aq shumë shtete në të njejtën kohë. Kryengritjet kundër tiranëve filluan ngjashëm, me popujt që kërkonin përmbysjen e diktatorëve. Por këto beteja politike tani kanë nxitur frikën përgjatë vijave të vjetra të frontit.

RCCOLA

Kur sunitët në Siri luftojnë kundër regjimit alavit në vendin e tyre, ata mbështetën nga sunitët në Arabinë Saudite dhe Katar. Në të njëjtën kohë, Irani furnizon Damaskun me armë, para dhe se fundi edhe me ushtarë.

Kur shiitët në Bahrejn luftojnë kundër mbretit sunit të vendit të tyre, ata duartrokiten nga regjimi i Iranit dhe ai i Sirisë. Në të njëjtën kohë, Arabia Saudite mbështet mbretin e Bahrejnit.

Edhe heshtja e kanaleve televizive Al Jazeera dhe Al Arabija, dy kanale satelitore të cilat operohen nga shtetet sunite, Katari dhe Arabia Saudite, flet mjaft. Ka ditë, kur këto kanale raportojnë për vrasjet në Siri, por në anën tjetër mbulojnë shumë pak dhunën në Bahrejn.

Shiitët përbëjnë prej 10 deri në 13 për qind të 1.4 miliardë myslimanëve në botë, por përfaqësimi i tyre në shtetet e Gjirit Persik është shumë më i lartë. Shiitët përbëjnë 90 për qind të popullatës në Iran, 70 për qind në Bahrejn, mbi 60 për qind në Irak, 35 për qind në Kuvajt dhe rreth 10 për qind në Arabinë Saudite.

Gjithë konflikti filloi rreth çështjes së pushtetit. Kur Profeti Muhamed vdiq, ai la prapa një problem: çështjen e trashëgimisë. Muhamedi nuk ishte vetëm Profet, por edhe komandant ushtarak. Ai ishte si udhëheqës religjioz, ashtu edhe politik dhe la prapa një vakuum të madh të pushtetit. Menjëherë shpërtheu grindja se a duhet që trashëgimtari i Muhamedit të emërohet nga rrethi i bashkëpunëtorëve të tij, apo se a ishte me më rëndësi që ai të ishte i afërt i Muhamedit, si Ali Abu Talib, kushëriri dhe dhëndri i tij.

Mbështetësit e Alisë njiheshin si “Shiat Ali”, apo “Ithtarë të Alisë”. Alia nuk u zgjodh kalif, ngase Abu Bakr, Umari dhe Uthmani filluan luftën kundër tij. Alia u vra në vitin 661.

Beteja vazhdoi për dy dekada, deri në momentin kur ndodhi diç e çuditshme: Gjatë betejës së Qerbelasë, një ushtri armike vrau djalin e Alisë, Husseinin, trashëgimtarin e tij të fundit. Beteja përfundoi dhe Shiat Ali pësuan humbje.

Por në vend se të dobësohen, shiitët u forcuan edhe më shumë. Me fjalë tjera, ky sekt u forcua pas humbjes dhe definoi vetën nëpërmjet rezistencës.

Për një kohë gjatë revolucioneve në Tunizi, Libi dhe Egjipt, dukej se përçarjet mes sunitëve dhe shiitëve nuk luanin ndonjë rol të rëndësishëm. Por gjërat duken ndryshe në Siri.

Ekziston një profeci apokaliptike në Islam, të cilat disa dijetarë ja atribuojnë Profetit Muhamed. Bëhet fjalë për një fragment, për legjendën e së keqes, e njohur si sufjani, e cila do të vie një ditë për të mbjellë vdekje dhe shkatërrime në mesin e besimtarëve. Parashikimi thotë se sufjani do të ngritët nga thellësia e tokës përfundi Damaskut.

(Der Spiegel)