RCCOLA

The Kosovar nationalist party, Vetëvendosje!

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Nexhmedin Spahiu- Vetëvendosje mund ta konsiderojë për kryeqytet Tiranën, por kjo nuk e fshehë dot faktin se nacionalizmi i Vetëvendosjes është nacionalizëm kosovar dhe se qendër ka Prishtinën.

Edhe nacionalistët grekë në terminologjinë e tyre kanë për kryeqytet Konstantinopojën (Stambollin), por kjo nuk e fshehë faktin se qendra e nacionalizmit grek është Athina dhe se në Stamboll kultivohet një tjetër nacionalizëm, nacionalizmi turk.

Partia nacionaliste kosovare, Vetëvendosje, kështu niset një shkrim në portalin e “France 24” në gjuhen angleze (http://observers.france24.com/content/20121024-nationalist-demonstration-kosovo-ëe-fear-serbia-ëill-take-back-country-north-pristina).

Është interesant se në debatet rreth konceptit të kombit kosovar mediat në Kosovë ma kanë ndajvënë Vetëvendosjen si palë të kundërt. Ironia është se pikërisht Vetëvendosja është përfaqësuesja e nacionalizmit kosovar, dhe në këtë drejtim me Vetëvendosjen dallohemi vetëm në përmasa të ambicieve. Ambicia ime është që Mitrovica, Prishtina, apo Prizreni të jenë qendra të nacionalizmit kosovar kurse ambicia e Vetëvendosjes është që qendra e nacionalizmit kosovar të jetë Tirana.

Kryeqyteti i nacionalistëve grekë është Stambolli

Fakti që Vetëvendosja nuk e përdorë termin kombi kosovar po termin kombin shqiptar nuk e ndryshon gjendjen faktike. Edhe nacionalistët grekë në terminologjinë e tyre kanë për kryeqytet Konstantinopojën (Stambollin), por kjo nuk e fshehë faktin se qendra e nacionalizmit grek është Athina dhe se në Stamboll kultivohet një tjetër nacionalizëm, nacionalizmi turk.

Vetëvendosje mund ta konsiderojë për kryeqytet Tiranën, por kjo nuk e fshehë dot faktin se nacionalizmi i Vetëvendosjes është nacionalizëm kosovar dhe se qendër ka Prishtinën. Termi kosovar e pengon Vetëvendosjen, sepse konsiderohet kufizim i aspiratave të saj. Vetëvendosja pretendon Tiranën kryeqytet, por jo Tiranën kryeqytet ku dominon nacionalizmi multietnik, çfarë është në fakt nacionalizmi shqiptar i Tiranës sot, po nacionalizmi monoetnik i Prishtinës.
Nacionalizmi kosovar (i Prishtinës) e nacionalizmi shqiptar (i Tiranës) kanë një gjenezë të përbashkët, por ata tani i dallon stadi i zhvillimit.

Nacionalizmi shqiptar është multietnik

Në Tiranë nuk e kanë problem që një bullgar, vllah, rom apo grek të zgjidhet President apo Kryeministër i vendit, nuk e kanë problem që një pjesëtar i ndonjë minoriteti etnik të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong apo Miss Univers.

UBT

Nacionalizmi kosovar është monoetnik

Në Prishtinë, Presidenti apo Kryeministri i vendit mund të jetë vetëm dikush që është shqiptar etnik. Heronj të Kosovës janë vetëm shqiptarë. Edhe pse Presidentja Jahjaga bëri një hap përpara dhe shpalli boshnjakun Shefko Sallkoviq hero të Kosovës, asnjë institucion tjetër nuk rendi që të emërojë ndonjë rrugë, shkollë apo çka do tjetër me emrin e këtij heroi.

Transformimi i Vetëvendosjes

Karakteristikë e partive nacionaliste është transformimi i tyre. Kjo vjen nga fakti se interesat e vendit ndryshojnë me kohën dhe partitë nacionaliste si mbrojtës më besnikë të tyre transformohen se bashku me interesat e vendit.
Rrallë kush po e vëren transformimin e Vetëvendosjes. Prej një lëvizjeje kundër institucioneve të Kosovës, Vetëvendosje u shndërrua në mbrojtësen e tyre. Prej një budallallëku kulmor që bëri me refuzimin për ta përkrahur Adem Salihajn për kryetar të Ferizajt, në një parti që filloi të integrojë opozitën dhe shoqërinë civile. Ky transformim i fundit i Vetëvendosjes trembi edhe kryetarin e LDK-së, i cili menjëherë u kundërpërgjigj me idenë për bashkimin e së djathtës duke lanë m’anash Vetëvendosjen.

Rruga drejt pushtetit

Shumëkush mund ta sheh si të padobishme përgjakjen e aktivistëve të saj në bulevardin e Prishtinës, por kjo e benë Vetëvendosjen të paneglizhueshme në pazaret politike. Ajo mund të neglizhohet tani në pazaret e mëdha në të cilat tani janë të involvuar Uashingtoni e Brukseli, por nesër këto pazare kryhen dhe mbeten pazaret më pak të rëndësishme për Uashingtonin e Brukselin, por shumë të rëndësishme për Kosovën, siç është fakti se kush do ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

PDK e zhytur në skandale tani e gëzon ndihmën e madhe të Uashingtonit e Brukselit për shkak të qëndrimit të saj më fleksibil ndaj bisedimeve me Beogradin dhe mungesës së vizionit të opozitës në këtë aspekt. Por nesër pasnesër ky kapitull përfundon dhe fuqia e PDK për të qeverisur do të venitet.

Në anën tjetër, imagjinoni LDK-në në qeverisje ku Eulex-i do të ketë përfunduar misionin dhe SHIK-u e Vetëvendosje do të jenë në opozitë. Kur këtë situatë hipotetike ia paraqita një aktivisti të LDK-së, e ai më tha se atëherë s’kish për të guxuar me tregu që është me LDK.

Ky fakt tregon që Vetëvendosje nesër pasnesër do të jetë pjesë e rëndësishme (jo margjinale) e pushtetit në mos e marrtë të tërin për vete siç edhe pretendon. Por derisa Vetëvendosje të refuzojë një pjesë të pushtetit e ka larg ta marrë të tërin. Në momentin që do ta synojë një pjesë të pushtetit, edhe mund ta merr shumë kollaj të tërin.