Thaçi&Mustafa të japin llogari për marrëveshjet antikombëtare

Pasojat e Marrëveshjes së 19 prillit dhe dialogut të dëmshëm me Beogradin.Procesi i Brukselit u bë duke shantazhuar lidershipin kosovar
Sipas analistëve, dyshja Thaçi-Mustafa po i mundëson Serbisë të hyjë në BE, pa i kompensuar dëmet qindra milionëshe të luftës, pa u zbardhur fati i të zhdukurve, përderisa edhe qytetarët e vendit tonë po mbahen si robër në Evropë edhe nëse e marrin liberalizimin e vizave, që po u premtohet vit pas viti
Tani kur shteti i Kosovës është futur në një krizë serioze politike dhe po rrëshqet rrezikshëm drejt destabilizimit, për shkak të pazareve të mëdha politike, që u bënë në negociata me Serbinë për tre vjet rresht, të filluara nga ish-kryeministri Thaçi dhe të finalizuara nga Isa Mustafa, Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013 po shihet nga analistët politikë si një veprim i gabuar, që po prodhon tensione në vend.
Produkti më i dëmshëm i saj është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pa nënçmuar edhe marrëveshjet e tjera, që kryesisht janë kompromise në dëm të Kosovës. Përfaqësues të subjekteve në opozitë dhe analistë politikë theksojnë se tani janë qytetarët e këtij shteti, është populli që duhet të kërkojë përgjegjësi konkrete nga Hashim Thaçi edhe Isa Mustafa, që gjatë tërë procesit të dialogimit nuk e kushtëzuan fare asnjë marrëveshje me Beogradin. Sipas analistëve, dyshja Thaçi- Mustafa po i mundëson Serbisë të hyjë në BE, pa i kompensuar dëmet qindra milionëshe të luftës, as pa u zbardhur fati i të zhdukurve, përderisa edhe qytetarët e vendit tonë po mbahen si robër në Evropë edhe nëse e marrin liberalizimin e vizave, që po u premtohet nga mandati në mandat e vit pas viti./kosova sot/