Thaçi zgjeron Qeverinë

Hashim Thaçit nuk po ia “mbushin syrin” 19 ministra dhe 6 zëvendëskryeministra, prandaj po e diskuton mundësinë e shtimit të këtij numri të ministrave në kabinetin e tij qeveritar.
Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, kreu i ekzekutivit të vendit po e diskuton mundësinë e themelimit të Ministrisë së Shtetit, e cila me shumë gjasë do t’i besohet një përfaqësuesi të komunitetit serb në Kosovë.
Zyrtarë të lartë në Qeverinë e Kosovës thonë se në ekzekutiv nuk është diskutuar rritja e numrit të ministrave, mirëpo, sipas tij, ka pasur diskutime nga kryeministri me bashkëpunëtorë për krijimin e Ministrisë së Shtetit.
Bashkëpunëtori i ngushtë i kryeministrit Hashim Thaçi, Hajredin Kuçi, njëherësh zëvendëskryeministër dhe ministër i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, konfirmon për gazetën “Zëri” se ka pasur diskutime të tilla, ndonëse thotë se personalisht nuk është pro rritjes së numrit të ministrive në ekzekutiv.
Megjithatë, sipas tij, për rrethanat e Kosovës ndoshta do të ishte i nevojshëm themelimi i një ministrie të tillë.
“Personalisht mendoj se Kosovës i mjaftojnë këto ministri ekzistuese, mirëpo për rrethanat e vendit ndoshta do të nevojitej një dikaster i tillë në qeveri”, shprehet Kuçi.
Numri dy i Qeverisë së Kosovës mohon se zgjerimi i qeverisë po bëhet në prag të zgjedhjeve nacionale, pasi që, sipas tij, zgjedhjet e tilla do të mbahen pas një viti, mirëpo partia kryesore në vend, siç thotë ai, është e bindur se do ta udhëheqë Qeverinë edhe për një mandat të ri katërvjeçar….(Zëri)