Mobi Casa

​Thaçi: Zero tolerancë ndaj ekstremizmit fetar

/ 2 minuta lexim

Zëvendëskyreminsitri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se Kosova është lidere në rajon sa i përket luftës kundër terrorizmit dhe fundamentalizmit fetar.

Në emisionin “Top Show” ai ka thënë se shteti i Kosovës do të ketë zero tolerancë ndaj terrorizmit.

“Kosova është lidere në rajon sa i përket luftës kundër fundamentalizmit dhe terrorizmit. Ky liderizëm është vlerësuar shumë nga vendet e NATO’s, BE’së dhe SHBA’së. Ka pasur individë që kanë shkuar në Siri dhe Irak por ne kemi marrë operacione ndaj tyre”, ka thënë veç tjerash Thaçi.

Ai ka përmendur edhe Ligjin që pengon pjesëmarrjen e kosovarëve në luftërat e huaja, që ka thënë se është në fazën finale të procedimit.

“Kemi qenë shumë rigoroz, kemi qenë shumë të vendosur. Mekanizmat e sigurisë në Kosovë kanë dëshmuar se janë shumë serioz. Jemi në fazën finale të procedimit të Ligjit që pengon kosovarët në pjesëmarrjen e luftërave të huaja”, tha ai.

Thaçi tha se e ardhmja e kosovarëve është në Bashkimin Europian prandaj toleranca ndaj terrorizmit do të jetë zero.

UBT

“Do të kemi zero tolerancë ndaj terrorizmit. E ardhmja jonë është BE’ja. Po punojmë maksimalisht që të kemi edhe liberalizimin e vizave”, ka thënë ai.

Duke folur për pjesëmarrjen e Kosovës dhe Shqipërisë në Marshin e Bardhë në Paris, ai ka thënë se një veprim i tillë është vlerësuar lart.

Thaçi thotë se Shqipëria dhe Kosova janë një shembull shumë i mirë i tolerancës fetare.

“Nuk shoh ndonjë rrezik permanent që do ta rrezikonte të ardhmen europiane të Kosovës”, ka thënë ai.

Ka përmendur se ka qenë kryeministër në kohën kur janë marrë veprime kundër individëve të dyshuar për terrorizëm.

“Kemi qenë të vetëdijshëm se mund të ketë reagime të ndryshme, por me asnjë çmim, për asnjë ideologji nuk do ta rrezikojmë të ardhmen tonë europiane”, ka thënë ai.