RCCOLA

Thaçi: Veprimet tërbuese dhe gazi i opozitës po shihet në gjithë botën

/ 13 minuta lexim

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi shprehet i bindur se Kosova do të pranohet në UNESCO. Por, sipas tij, gjithë këtë proces dhe proceset tjera integruese, po i lëndon opozita me veprimet e dhunshme dhe të jashtëligjshme që po i bënë.
Në një intervistë për KosovaPress, Thaçi tha se sa më shumë gaz lotsjellës që shihet në Kuvend, aq më e zbehtë do të jetë përkrahja për Kosovën.

Kryediplomati kosovar thekson se veprimet e opozitës përveç që janë të dhunshme, gërditëse, ato janë edhe tërbuese.

Kosova tashmë ka kaluar dy fazat e para, futja e Kosovës në rendin e ditës dhe votimi me dy të tretat në bordin ekzekutiv, sipas zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi kanë qenë vendimtare për hapin tjetër që pritet të ndërmerret në Asamblenë e Përgjithshme me 9 nëntor, për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Mbështetja në këtë proces, për Thaçin ka qenë e një mbështetje e pritur pasi Kosova me këtë hap po e bënë një veprim të nevojshëm, të domosdoshëm dhe të drejtë.

Numri dy i Qeverisë thekson se kanë dhënë garancione të plota për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore serbe, të monumenteve kulturore dhe fetare, meqë diçka e tillë është e garantuar edhe me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, e gjithashtu edhe me dokumentin e presidentit Ahtisaari, i cili ka qenë bazë për deklarimin e pavarësisë së Kosovës.

“Tash do të punojmë me gjithë miqtë dhe partnerët tanë që me datën 9 nëntor të kemi votat e mjaftueshme që Kosova të anëtarësohet në UNESCO. Ne jemi ballafaquar në të njëjtën kohë edhe me një fushatë agresive, plotësisht e padrejtë nga Serbia, ku janë bashkuar edhe shteti, edhe kisha, edhe akademia e shkencave në këtë fushatë anti Kosovë. Ajo fushatë ka qenë plotësisht e padrejtë, e paqëndrueshme dhe e paargumentuar dhe e thirrur më tepër në mitologjinë serbe, se sa në realitetin kosovarë. Kosova është një vend tolerant, vend i mirëkuptimit, fqinjësisë së mirë, atdhe e gjithë qytetarëve të saj dhe jam i bindur se do të shënojmë sukses. Ky sukses i Kosovës për anëtarësim në UNESCO nuk është i drejtuar kundër askujt, nuk është i drejtuar as kundër Serbisë. Por Serbia me veprimet e veta po sillet në mënyrë jo të drejtë, është duke u sjell edhe kundër frymës së arritur në Bruksel, në prill të vitit 2013 për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha Thaçi.

Kryediplomati kosovar vlerëson se Serbia duhet të mësohet se Kosova do të anëtarësohet edhe në shumë organizata tjera, ku do ta konsolidoj shtetin, por edhe do ta forcojë subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

Por zëvendëskryeministri Thaçi po i sheh veprimet e opozitës si të dhunshme dhe të jashtëligjshme, që po e lëndojnë procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

“Përderisa Serbia ka dëmtuar angazhimin tonë në një masë për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, me veprimet e saj agresive dhe plotësisht të padrejta dhe mund të them të nxituara prej shovinizmit të vet të së kaluarës. Por në të njëjtën kohë mund të them se edhe opozita kosovare e ka lënduar procesin e Kosovës në UNESCO. Sepse kam deklaruar dhe ritheksoj se sa më tepër gazë lotsjellës dhe dhunë në Parlamentin e Kosovës, aq më e zbehtë do të jetë përkrahja ndërkombëtare për Kosovën. Prandaj, i ftoj opozitën për mirëkuptim dhe për urtësi. I ftoj për participim dhe në asnjë rrethanë për mentalitet bllokues, apo veprime bllokuese në Kuvendin e Kosovës. Askush mos të mendojë se ai gaz lotsjellës mbetet vetëm në Parlamentin e Kosovës. Ai gaz lotsjellës i opozitës kosovare dhe ajo dhunë e opozitës ndaj institucioneve të vendit po shpërndahet në gjithë botën. Andaj është shqetësues për miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë por është një lajm i mirë për oponentët e pavarësisë së Kosovës”, thekson ai.

Megjithatë, sipas Thaçit, veprimet agresive dhe të dhunshme të opozitës nuk do të vënë në dyshim mbështetjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë, por punën e lobimit dhe mbështetjes më të fuqishme për Kosovën e zbehin dhe e vështirësojnë.

Kurse, sa i përket ratifikimin e MSA-së, që pritet të bëhet nesër në Kuvendin e Kosovës, ai shprehet i bindur se legjislativi do ta miratojë ligjin për ratifikimin e MSA-së, por thotë se nuk e kishte menduar kurrë që do të ketë Kuvendi, deputetë që nuk marrin pjesë në një akt solemn për Kosovën.

“Ratifikimi i MSA-së do të ndodh nesër në Kuvendin e Kosovës. Mazhoranca ka mbështetjen e fuqishme të deputetëve të partnerëve të koalicionit, do të thotë të PDK-së dhe LDK-së dhe partnerëve tjerë të komuniteteve. MSA-ja hap një perspektivë të sigurt evropiane për Kosovën. Unë më herët nuk do të kisha besuar kurrë që kemi njerëz në Kuvendin e Kosovës dhe nuk do të vijnë për të marrë pjesë në këtë akt solemn evropian për Kosovën. Por, sido që të jetë ngurtësia dhe zemërimi opozitar ka shkuar aq larg saqë gjithçka i duket vetëm zi në Republikën e Kosovës, madje i duket e papërshtatshme, po i duket jo e mjaftueshme edhe nënshkrimi i MSA-së për Kosovën. Vlerësoj se është një gabim i pandreqshëm i opozitës me bojkotin që do t’i bëjë nesër Kuvendit të Kosovës”, tha ai.

Sipas Thaçi, mos pjesëmarrja e nesërme e opozitës në seancën për ratifikimin e MSA-së, bëhet nga injoranca politike dhe xhelozia për suksesin e koalicionit aktual qeverisës.

“Realisht kjo bëhet nga injoranca e plotë politike, bëhet nga arroganca vepruese e tyre, bëhet nga xhelozia në të njëjtën kohë për suksesin e koalicion it aktual, nga humbja e shpresës për të ardhur në pushtet. Kështu që vlerësoj se është një injorancë totale, një injorancë e papranueshme duke vazhduar me një fjalor opozitar të papranueshëm me etiketime dhe fyerje ndaj bartësve të institucioneve të Kosovës, por edhe me veprime të jashtëligjshme në Kuvendin e Kosovës. Pra, është një fjalor i papranueshëm opozitarë dhe veprime të jashtëligjshme”, thotë Thaçi.

RCCOLA

Ai në lidhje me opinionet se MSA-ja do të ketë ndikim negativ, tha se janë të pavërteta dhe fton të gjithë ata skeptik që ta lexojnë dokumentin e MSA-së, pasi që siç ka ndikuar për të mirën e vendeve të rajonit, njëjtë do të jetë edhe me Kosovën.

Në të njëjtën kohë sipas tij, është duke u punuar maksimalisht që para vitit të ri të zyrtarizojnë raportet mes Kosovës dhe NATO-së, për fillimin e procedurave për shndërrimin e FSK-së në FAK. Derisa shprehet i bindur se në fund të këtij viti, Kosova do ta marr rekomandimin për liberalizmin e vizave për qytetarët e saj.

“Për fat të keq do të doja që edhe partitë opozitare të jenë në këtë proces që të japin kontributin e tyre qoftë për anëtarësim në KE, qoftë për liberalizmin e vizave, qoftë për themelimin e FAK-ut, sepse Kosova mjaftë ka oponentë, kundërshtar. Por së paku nuk do të kishte nevojë dhe nuk ka pasur asnjë arsye, asnjë argument që të ketë një reagim kaq të vrazhdë opozitar. Deri para pak kohe kam thënë që është një veprim gërditës, por tanimë realisht opozita kosovare ka kaluar në veprime duke mos pasur argumentet në veprime të tërbuese”, tha Thaçi.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm shton se gjendja është e tejkalueshme dhe se Kosova nuk ka krizë, por ka veprime të dhunshme, të papranueshme dhe të jashtëligjshme opozitare. Madje, ai thotë se Kuvendin e Kosovës kurrë nuk do të mund ta bllokoj askush, as me muskuj apo forma tjera. Thaçi ka ftuar opozitën që nëse kanë argumente të mjaftueshme le të shkojnë në Kuvend dhe le të flasin.

Thaçi ua ka bërë të qartë partive opozitare se pavarësisht qëndrimeve të opozitës, në asnjë rrethanë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, nuk do të ketë qeveri teknike, nuk do të ketë plotësim të Qeverisë, e as nuk do të ketë referendum për gjërat që ata i ngritin. Sepse Thaçi thotë se janë të bindur se Asociacioni dhe demarkacioni janë në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës, standardet evropiane dhe nuk do të ketë kthim mbrapa asnjë centimetër.

“Ata në njërën anë mundohet ta bllokojnë punën e Kuvendit si opozitë, nuk do të mund ta bllokojmë, ne do të punojmë dhe nuk do të ketë kthim prapa për asnjë centimetër. Tjetër, ne nuk do të marrim modele të Afganistanit të sjelljeve institucionale. Nëse dikush ka mbetur i një zone jashtë Qeverisë, ne nuk t’ia plotësojmë dëshirën e t’i themi eja futu edhe ti në Qeveri dhe ta plotësojmë qejfin edhe ty dhe të bëjmë një gjithpërfshirje. Ne jetojmë në rendin demokratik, opozita e ka vendin e vet, ka legjitimitetin e plotë qytetarë….Vlerësoj që edhe hapi tjetër që e proklamojnë se do të organizojnë protesta, është e drejtë e opozitës që të organizoj protesta. Por ata janë edhe të paaftë, edhe të paguximshëm për të ndërmarr veprime të tilla, dhe janë të paaftë dhe të paguximshëm për të thirrur protesta, sepse nuk i mbështetë askush, sepse nuk kanë kauzë. Ai veprim i tyre është i dëmshëm për vendin”, thekson ish kryeministri Thaçi.

Ai thotë se ka takime me eksponent të opozitës, nëpër organizime që i bën bashkësia ndërkombëtare, të cilët i thonë se partitë opozitare kanë hyrë në këtë proces, por nuk po dinë se si të dalin.

“Ne nuk e kemi obligim që t’iu japim këshilla se si të dalin, e vetmja këshillë e jona është participimi në jetën demokratike. Por këshilla nuk mund t’iu japim e t’u themi lëreni këtë punë dhe ejani në Qeveri. Në anën tjetër, ata fare nuk mërziten as për Asociacion, as për demarkacion. Dy prej këtyre partive opozitare gjatë ngërçit politik kanë luftuar dhe insistuar që të udhëheqin procesin e negociatave në Bruksel. Kauza e tyre është dhuna, dhe si të vihet në pushtet dhe në asnjë rrethanë as Asociacioni, as demarkacioni”, tha Thaçi.

Zëvendëskryeministri Thaçi thotë se ky bashkim i opozitës do t ë dështoj, sikurse koalicioni i vitit të kaluar gjatë ngërçit politik që ndodhi pas zgjedhjeve të qershorit.

“E para opozita nuk i beson askujt në Kosovës, nuk i beson as Qeverisë, as Kuvendit, as presidentes, as Gjykatës Kushtetuese, nuk i beson as SHBA-ve, as BE-së, as NATO-së, është e zhgënjyer me mosbesimin qytetarë ndaj opozitës, ndaj liderëve opozitarë. Ata nuk i besojnë as vetvetes, sepse janë mosbesues edhe ndaj njeri-tjetrit. Prandaj, ashtu siç kanë dështuar në verën e vitit 2014 me formulën e tyre të kapjes së pushtetit në kuadër të roleve të tyre humbëse që kishin dal nga zgjedhjet do t’iu dështoj edhe kjo iniciativë bllokuese dhe e dhunshme”, theksoi ai.

Thaçi ka folur edhe për koalicionin qeverisës, duke thënë se marrëveshja mes tyre do të zbatohet deri në fund dhe se ai do të jetë kandidati o koalicionit qeverisës për president.

“Unë jam i koncentruar me gjithë energjinë dhe potencialin që kam në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që kam aktualisht dhe natyrisht se do të respektohet marrëveshja me PDK-së dhe LDK-së, dhe partnerëve tjerë të koalicionit dhe do të punojmë në marrjen e përgjegjësive që dalin nga kjo marrëveshje. Dhe do të vazhdoj si lideri më i votuar të luaj rolin tim qytetarë të unitetit çfarë kërkohet edhe prej qytetarëve…Ne do të punojmë në përputhshmëri me marrëveshjen dhe natyrisht se do të punojmë në kuadër të përgjegjësive të reja që dalin nga këto veprime dhe vendime që do të merren nga Kuvendi i Kosovës. Natyrisht unë do të jem kandidati i partnerëve të koalicionit, por natyrisht mirëpres edhe kandidaturat që arrin të marr 30 nënshkrime të deputetëve të Kosovës”, thotë ai.

Ministri i Jashtëm flet edhe për buxhetin e vitit 2016, për të cilin thotë se është një buxhet i vazhdimësisë së projekteve të kaluara, i projekteve të reja që janë futur në buxhetin e ri. Thaçi thotë se buxheti për vitin e ardhshëm është një projekt që nënkupton avancim të zhvillimit ekonomik, të krijimit të mundësive për vende të reja të punës, e gjithashtu edhe për reformat e nevojshme, qoftë në drejtësi, në ekonomi, në politikë, por me theks të veçantë në integrimet euroatlantike.

Ndërsa, rreth Gjykatës Speciale, kryediplomati kosovar thotë se Kosova ka kryer obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore dhe ka themeluar Gjykatën Speciale, derisa është duke u biseduar mes autoriteteve vendore dhe atyre të Holandës, si dhe BE-së për çështjet teknike./telegrafi/