RCCOLA

Thaçi: Veprimet e opozitës, të neveritshme

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

​Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, nuk po pajtohet me veprimet e opozitës që ka ndërmarrë kohët e fundit. Në këtë intervistë, Thaçi ka thënë se vendi nuk është në krizë politike pasi, sipas tij, qeveria gëzon besimin e më shumë se dy të tretave të Kuvendit të Kosovës.

“Kosova asnjëherë nuk ka pasur koalicion qeverisës më stabil sesa ky që ka tani”, është shprehur ai. Thaçi ka thënë se është për keqardhje që opozita, në mungesë të argumenteve me të cilat do të ballafaqohej në Kuvend, po zgjedh mjete të tjera, jodemokratike, që e cenojnë funksionimin e institucioneve të rëndësishme për qytetarin e Kosovës. Ai nuk mendon se Kuvendi është në bllokadë por, sipas tij, po ndodh vetëm pengim apo vështirësim i punës së deputetëve nga një pjesë e opozitës. “Bllokim të Kuvendit do të kemi kur nuk do të mund t’i shtyjmë përpara proceset, ligjet, marrëveshjet. Koalicioni qeverisës ka numrat dhe përkrahjen e mjaftueshme për t’i shtyrë përpara të gjitha proceset”, ka deklaruar Thaçi, duke i bërë thirrje opozitës t’i kthehet debatit në Kuvend. “Opozita duhet të kërkojë argumente dhe t’u kthehet diskutimeve në Kuvend dhe të heqë dorë nga pengimi i deputetëve që ta kryejnë detyrën e tyre”, është shprehur Thaçi.

Ai ka shtuar se interpretimi i opozitës nuk niset nga faktet, por niset dhe përfundon me dëshirën për ta marrë pushtetin me çdo kusht dhe jashtë rregullave të demokracisë.

Zëvendëskryeministri Thaçi ka përjashtuar idenë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja. “Nuk ka asnjë shenjë që çon në konkludimin se Kosova ka nevojë apo i konvenon që të shkohet në zgjedhje të reja. Përkundrazi. Kosova është në disa procese të rëndësishme tani, si nënshkrimi MSA-së, marrja e rekomandimit për liberalizim të vizave, sigurimi i disa investimeve, ndër të cilat më i rëndësishmi është ai për projektin “Kosova e Re”, pastaj anëtarësimi në UNESCO, në INTERPOL e EUROPOL, në FIFA e UEFA, themelimi i Forcave të Armatosura të Kosovës. Ndërsa zgjedhjet e kanë kohën të mbahen në vitin 2018. Pra, duhet t’i bëjmë gjërat me radhë”, ka deklaruar Thaçi. Ai ka thënë se nuk ka nevojë as për zgjerim të koalicionit. “Ekipin që është duke fituar nuk ke nevojë ta ndryshosh”, është shprehur lideri i partisë më të madhe në vend.

Hidromorava

Ndërkaq, duke folur për veprimet e djeshme të opozitës në Kuvend, Thaçi ka thënë se veprimet e opozitës janë bërë të neveritshme. “Veprimet e opozitës janë bërë të neveritshme. Askush nuk mund t’i realizojë objektivat politike nëpërmjet dhunës. Opozita e ka tepruar. Duhet të kuptojë se me ato veprime nuk do të fitojë asgjë. Vetëm po e dëmton Kosovën”, ka thënë Thaçi.
Zëvendëskryeministri Thaçi në këtë intervistë ka folur edhe për qëndrimin e delegacionit të Kosovës në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka thënë se mesazhi kryesor që kanë marrë nga punimet e kësaj asambleje është se, Kosova tanimë është storie e suksesit, se për një kohë të shkurtë ka arritur ta marrë veten nga trauma e luftës dhe i është kthyer së ardhmes, dialogut dhe bashkëpunimit. Thaçi ka bërë me dije se kanë marrë premtime edhe për njohje të reja, por edhe për përkrahje për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Ai ka treguar se ka ndryshime të rëndësishme nga pesëshja e BE-së karshi Kosovës.

Thaçi duke folur për liberalizimin e vizave, ka thënë se Kosova i ka përmbushur kushtet për ta marrë liberalizimin e vizave nga BE-ja. “Presim që deri në fund të vitit Komisioni Evropian ta rekomandojë heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi. Në këtë intervistë Thaçi ka folur edhe për fushatën e tij që do të nisë si kandidat i koalicionit PDK – LDK për president të Kosovës. “Është e rëndësishme që e kam përkrahjen e plotë të partnerëve të koalicionit për punën time, por edhe për aspiratën që të jem president i Kosovës. Ekipi im, në anën tjetër, ka filluar përgatitjet për fushatën për president dhe do ta nisim në kohën e duhur”, ka deklaruar Thaçi.

Në pyetjen nëse do ta ketë votën e të gjithë deputetëve të LDK-së për president, Thaçi thotë se beson në marrëveshjen që ka arritur me LDK-në për formimin e qeverisë. “Unë jam gjithmonë i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë kur është në pyetje e mira e Kosovës. Jam i bindur se kjo bindje do të mbizotërojë edhe në kohën kur do të votohet për presidentin e Kosovës. Unë i besoj marrëveshjes politike me të cilën është formuar qeveria dhe implementimin e saj”, ka thënë lideri i PDK-së, Hashim Thaçi./Epoka e re/.