Thaçi: Të mos përhapen agjenda absurde të urrejtjes

Në konferencën e pestë ndërkombëtare ndërfetare që filloi punimet sot në Prishtinë, ku në mesin e mbi 300 pjesëmarrësve janë edhe nobelistet e paqes, Shirin Ebadi nga Irani dhe Tawakkol Karman nga Jemeni, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjera u përqendrua në rolin e gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit, por edhe në shmangien e qasjes së debateve të njëtrajtshme rreth fesë.

Para mysafirëve të pranishëm nga mbi 50 shtete të botës, përfshirë edhe shumë sosh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, presidenti Thaçi se nuk janë vetëm meshkujt ata të cilët duhet të angazhohen në predikimin dhe promovimin e vlerave fetare. Ai theksoi se patjetër duhet zgjatur dorën edhe gruas, motrës dhe bashkëshortes për të luftuar të keqen bashkërisht, për t’i edukuar fëmijët me dashuri dhe respekt dhe për ta ndërtuar familjen e shëndoshë, shtetin dhe shoqërinë e shëndoshë.

“A ka aleat më të mirë se nëna, motra, gruaja në luftimin e ekstremizmit? Por, cila nënë apo cila bashkëshorte dëshiron të sheh të birin apo burrin të vdekur në shkretëtira të Lindjes së Mesme, duke luftuar për të përhapur agjenda absurde të urrejtjes”, u shpreh presidenti Thaçi, i cili i ftoi të gjithë të pranishmit, por edhe audiencën e gjerë brenda dhe jashtë vendit për të nisur dhe intensifikuar një dialog të mirëfilltë rreth angazhimit të gruas në çdo aspekt të debatit shoqëror dhe aktivizimit qytetar.

“Mendoj se nobelistet e shquara, Dr. Ebadi nga Irani dhe znj. Karman nga Jemeni, që i kemi sot pranë, janë shembuj që të na ndriçojnë me ide se si të afirmojmë punën dhe rolin e gruas dhe si feja të mos jetë pengesë, por shtytje e angazhimit të grave”, ka thënë Thaçi.

Në vazhdim të fjalës së tij, ai ka folur edhe për rëndësinë e shmangies së grackës së debateve të njëllojshme përkitazi me luftimin e ekstremizmit.

Thaçi para të pranishmëve tha se feja duhet t’i bashkojë dhe jo t’i ndajë njerëzit, të mos shkojmë në shtëpitë tona duke mos e avancuar agjendën e dialogut praktik dhe domethënës në komunitetet tona.

“Nuk besoj se ne mund të bëjmë dialog vetëm mes neve që jemi afirmues të paqes. Ne duhet të jemi të pranishëm edhe në qarqet ku ka jotolerancë, ku mbjellët urrejtja, dhe aty ta dërgojmë betejën tonë kundër ekstremizmit. Pra pa qenë prezent edhe në rrjetet sociale, ku miliona të rinj po helmohen me mesazhe përçarëse dhe me gjuhë të urrejtjes, ne nuk mund të kemi sukses në luftën kundër ekstremizmit”, theksoi Thaçi.

Ai tha se nuk mund të arrihet sukses me burgosjen e atyre që tashmë janë të bindur në agjendën e urrejtjes, duke shtuar se duhet bërë një trekëndësh në mes të familjes, shtetit dhe shkollës, për të ndërtuar bazat e shëndosha të një agjende progresive.

Presidenti i Kosovës, duke folur para 300 pjesëmarrësve në konferencën ndërfetare, ka folur edhe për debatin që është zhvilluar në Kosovë, pas publikimit të një shkrimi në prestigjiozen amerikane “New York Times”.

Ai ka thënë se kemi pasur një shkrim në një gazetë amerikane ku Kosova është quajtur si e transformuar nga një shtet shumë pro-amerikan dhe pro-perëndimor, në një shtet ku ka fundamentalizëm dhe vullnetarë të ISIS.

“E kam përcjellë me vëmendje këtë debat dhe mund të them se të dy palët gabojmë që e fusin debatin në binarë të pro dhe kundër shkrimit. Gabojmë rëndë nëse mohojmë se njerëz të tillë ka në rrethin tonë. Gabojmë rëndë nëse nuk kuptojmë se rreziku nga ekstremizmi është real dhe është vdekjeprurës. Gabojmë nëse nuk e shikojmë veten në pasqyrë, jo vetëm shteti, por edhe Bashkësia Islame dhe grupet e ndryshme të interesit për të parë gabimet tona, dështimet tona në adresimin e gjuhës së urrejtjes në margjina të shoqërisë tonë që u transformua në veprime të urrejtjes dhe vdekjes”, ka shtuar ai.

Thaçi më tej ka thënë se po ashtu gabojmë nëse lejojmë që zemrat tona të na errësohen nga frika dhe nga cinizmi. “Nuk mund të rrimë anash dhe të kritikojmë qeverinë, policinë apo liderët fetarë, duke i përqeshur apo duke i ofenduar apo duke mohuar angazhimin dhe rolin që e kanë”, ka theksuar ai.

I pari i vendit ka thënë se kemi obligim të marrim pjesë aktive në dialog, që afirmon vlerat e dashurisë e jo të qëndrojmë anash dhe të akuzojmë njëri-tjetrin apo edhe më keq, të vrojtojmë pa bërë as më të voglin kontribut në afirmimin e dialogut.

Presidenti Thaçi në fjalimin e tij në konferencën ndërfetare, duke folur për sfidat e radikalizmit dhe ekstremizmit fetar, ka cituar Papa Françeskun. Ai ka thënë se e gjithë shoqëria, i madh e i vogël duhet të përfshihen në krijimin e një shoqërie të integruar, duke kontribuar për pajtim.

“Më lejoni të citoj edhe një herë Papa Françeskun nga një fjalim i mëhershëm. Dialogu, me çdo gjë që bart mbi vete, na përkujton se askush nuk mund të jetë vetëm vrojtues nga anash. Çdo kush, nga më i vogli e deri te më i madhi kanë një rol aktiv për të luajtur në krijimin e një shoqërie të integruar dhe të pajtuar. Kjo kulturë e dialogut mund të vjen vetëm nëse çdo njeri prej nesh luan një rol në planifikim të dialogut dhe ndërtim të dialogut. Situata sot nuk na lejon të qëndrojmë anash duke i shikuar problemet e tjerëve. E kundërta është e vërtetë, duhet të na inspiron në mënyrë të fuqishme të marrim përgjegjësi shoqërore dhe personale të punojmë në dialog”, ka cituar Thaçi, Papa Françeskun.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).