Thaçi të japë llogari për tradhti kombëtare

Vazhdojnë reagimet për skandalin e spiunazhit të ish-kryeministrit. Ish-bashkëluftëtarët e UÇK-së, të tronditur nga lajmi
“Pas rastit të Thaçit, duhet të hetohen të gjithë politikanët e Kosovës, se a janë agjentë të shërbimeve të huaja, e kam fjalën se a janë agjentë sllavë dhe agjentë të shteteve që historikisht kanë qenë aleatë të Serbisë. Në rast se dalin të jenë të tillë, të gjithë duhet të burgosen, duke filluar nga Hashim Thaçi”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot”
Deklarimi i hapur i ish-shefit të shërbimit sekret francez, Pierre Siramy, se ish-kryeministri i Kosovës, kandidati për president, Hashim Thaçi, është agjent i shërbimit sekret të këtij shteti, i rekrutuar që nga Konferenca e Rambujes, që u publikua në dokumentarin special të TV Canal+, vazhdon të nxisë reagime të shumta. Si emërues i përbashkët i këtyre reagimeve del se tani institucionet e Kosovës, ato të sigurisë, duhet të vendosin linja zyrtare të bashkëpunimit dhe komunikimit me shtetin francez në mënyrë që të mësohet e vërteta e plotë e këtij deklarimi të ish- kryespiunit të Francës.
Deputeti i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ Rexhep Selimi, një nga ish-komandantët e UÇK-së, thotë se zbardhja e kësaj çështje është një lajm i keq për Kosovën në këtë kohë.”Ne si Shtab i Përgjithshëm i UÇK-së nuk kishim njohuri për përfshirjen e tij në misione sekrete në interes të shërbimeve të huaja.
Natyrisht që sikur ne ta dinim që Thaçi është agjent i ndonjë sigurimi sekret, ai as nuk do të mund të ishte fare pjesë e UÇK-së, e për më tepër nuk do të mund të kishte mundësi të merrte përgjegjësi nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së që ta përfaqësonte më tutje UÇK-në në bisedimet në Rambuje, Paris etj.”, tha për “Kosova Sot” ish-anë- tari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇKsë, Rexhep Selimi./kosova sot/