Thaçi: Të dekriminalizohen partitë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shtylla e parë e angazhimit të tij si i pari i vendit është vendosja e dialogut të brendshëm dhe të jashtëm. Ai në forumin “Fol hapur”, të organizuar nga Lëvizja “Fol”, ka thënë se do të angazhohet për dialog në mes të pushtetit dhe opozitës, shumicës dhe pakicës. Kurse sa i përket dialogut me Serbinë ka thënë se duhet të zbatohen marrëveshjet e arritura deri më tani dhe dialogu, siç ka thënë ai, nuk duhet të shndërrohet në monotoni, por duhet të avancohet deri në pajtimin e popujve dhe të ketë raporte të reja në mes të dy shteteve. Thaçi ka thënë se duhet të jepet përgjigje për çështjen e të zhdukurve, si dhe për të zhvendosurit.
I pari i shtetit gjithashtu ka thënë se rëndësi duhet t’i kushtohet dekriminalizimit të subjekteve politike, institucioneve dhe shoqërisë civile. Sipas tij, duhet të arrihet një memorandum ndërmjet subjekteve politike në mënyrë që në listat zgjedhore të mos përfshihen individë ndaj të cilëve janë të ngritura aktakuza. Presidenti Thaçi ka thënë se në pranverën e vitit të kaluar është humbur mundësia që të bëhet transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura. Megjithatë, sipas tij, ky transformim do të ndodhë shpejt.
“Në pranverë të vitit 2014 kemi humbur hapin për shkak të neglizhencës së vendorëve për një agjendë elektorale. Por kam besim të shtuar se FAK-u do të themelohet në një të ardhme të afërt dhe në momentin që të ketë një pajtueshmëri nga i gjithë spektri politik kjo gjë do të ndodhë”, është shprehur Thaçi
Kreu i shtetit ka thënë se gjatë këtij mandati do të angazhohet për fuqizimin e dialogut të brendshëm ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, si dhe të dialogut me Serbinë.
“Ajo që kam deklaruar edhe më herët dhe që dua ta fuqizoj edhe këtu është se ky dialog i Brukselit nuk duhet të shndërrohet në një proces monoton dhe rutinë. Prandaj kërkohet avancim i këtij procesi, dinamizim dhe një energji e re drejt marrëveshjeve të reja që do të çonin drejt një raporti të ri ndërfqinjësor, një miqësie kosovaro-serbe mes vendeve dhe popujve tanë dhe një pajtimi mes vendeve dhe popujve tanë”, ka deklaruar Thaçi.
Ai më tej ka thënë se do të bëhet forcimi i sistemit të drejtësisë së Kosovës pasi, sipas tij, janë vërejtur disa mangësi në Kodin Penal.
“Nuk ka dyshim që kemi një kornizë ligjore shumë moderne, megjithatë kemi identifikuar disa hapësira apo boshllëqe në Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Kam biseduar me ministrin për inicimet e ndryshimit të Kodit Penal, që përfshin aspektin e prokurorive, të gjyqësorit dhe shtëpive korrektuese”, ka thënë ai.
Në këtë forum ai ka folur edhe për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast ka thënë se qëndron pas nënshkrimit që e ka vënë në Marrëveshjen e 26 gushtit, pasi, sipas tij, është bërë punë e mirë nga Komisioni Shtetëror për Demarkacionin dhe se është konfirmuar edhe nga Komisioni i ekspertëve ndërkombëtarë./zeri/