RCCOLA

Thaçi takon ish-presidentin amerikan, thotë se Bush i dha “një këshillë të çmuar”

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka vazhduar takimet me përfaqësues të institucioneve të ndryshme në SHBA dhe personalitete të ndryshme.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se në Dallas ka takuar mikun e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ish-presidentin George Bush.

“Në këtë takim të ngrohtë e miqësor diskutuam për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë dhe rajon. Respekti për familjen e mrekullueshme Bush do të jetë i përjetshëm për shqiptarët e Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se bashkë kanë evokuar shumë kujtime nga e kaluara jo e largët, “mirëpo fokusi ynë ishte tek përpjekjet e tashme të shtetit tonë për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe në paqe”.

Uji Dea

“Në kontekst të këtyre përpjekjeve, u pajtuam se është e domosdoshme arritja e marrëveshjes përfundimtare obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të shënonte mbylljen e konfliktit njëshekullor, njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB, NATO dhe BE”, ka shkruar Thaçi.

Sipas tij, sigurisht se arritja e kësaj marrëveshjeje nuk është aspak e lehtë. Por, Thaçi thotë se presidenti Bush i dha “një këshillë të çmuar”.

“Ju si liderë nuk do të mbaheni në mend për vendimet populiste, por për vendimet e vështira dhe të drejta që merrni për vendin dhe popullin tuaj”, citon t’i ketë thënë Bush.

“Duke i shprehur mirënjohjen më të lartë në emër të qytetarëve të Kosovës, sot kisha privilegjin që presidentin Bush ta dekoroj me Urdhrin e Pavarësisë, për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi. /Telegrafi/