KKGJILAN

Thaçi sot i ‘çel letrat’

/ 2 minuta lexim

Presidenti Hashim Thaçi pritet sot t’ia dorëzojë Ekipit Negociator dokumentacionin për mbarëvajtjen e bisedimeve në Bruksel me Serbinë. Partitë opozitare shprehen skeptike se i pari i shtetit do ta bëjë transparent dokumentacionin e bisedimeve, pikërisht për shkak se përmban marrëveshje të dëmshme për vendin, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot pritet të mbajë një takim me Ekipin Negociator për Dialogun me Serbinë. Në këtë takim është thënë që presidenti Thaçi do t’ia dorëzojë delegacionit shtetëror dokumentacionet që posedon nga bisedimet paraprake me Serbinë në Bruksel pas kërkesës së negociatorëve që t’i kenë në dispozicion të gjitha dokumentet zyrtare, të cilat ndërlidhen me dialogun.

Fundamenti

“E kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar ose draftmarrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Përkundër kësaj, sapo ta mbaroj pushimin, të hënën do të takojë Ekipin Negociator dhe do t’ua jap edhe në formë të shkruar informacionet e përgjithshme për periudhën e deritashme të bisedimeve. Në këtë proces historik ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë ditë më parë Thaçi për radion “Evropa e Lirë”.

Edhe deputeti i Koalicionit Qeverisës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se ka dakordancë mes presidentit e Ekipit Negociator për dorëzimin e atyre dokumenteve. Ai shprehet se në dialogun me Serbinë të gjithë janë një. “Edhe presidenti, edhe Ekipi Negociator kanë rënë dakord për dorëzimin e dokumenteve që ekzistojnë. Bashkëpunimi dhe koordinimi do të jetë i domosdoshëm dhe unë jam i bindur në këtë sepse presidenti dhe ekipi janë një në këtë proces”, ka thënë Selmanaj.