Thaçi: Shqiptarët duhet të kenë hisen e tyre
Kryetari i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi deklaron se, shqiptarët në Maqedoni pas euforisë zgjedhore po përjetojnë realitetin e mashtrimit të shërbyer nga ana e partisë shqiptare në pushtet BDI.
“Pas euforisë zgjedhore dhe premtimeve përrallore të BDI-së shqiptarët për të satën herë ballafaqohen me po të njëjtin mashtrimin të ofruar me paturpësi”, theksoi Menduh Thaçi.
Sipas tij, BDI vazhdon me politikën nënshtruese ndaj koalicionit të vet qeveritar, dhe se siç tha Ali Ahmeti pa fije turpi luan rolin e të verbrit para syve të tyre dhe para gjithë botës.
“Qeveria maqedonase me parat tona të përbashkëta ndërton teatro me dhjetëra e qindra miliona euro, me perde e salltanete luksoze që tejkalojnë imagjinatën edhe të ekscentrikëve të krisur. Përballë këtij luksi të derdhur në ar qëndron realiteti i zymtë i shqiptarëve, të cilin realitet BDI e përdor si kurth me premtime për zgjidhje individuale të fateve të individëve hallexhinj duke premtuar punësime dhe investime”, theksoi Thaçi.
Shqiptarët sipas Menduh Thaçit kanë nevojë për zgjidhje kombëtare dhe kolektive dhe jo për zgjidhje individuale, dhe kjo zgjidhje do të vijë vetëm përmes betejës së vazhdueshme të PDSH-së për vetëdijesim që buxheti i qeverisë duhet t’ju sjellë domosdoshmërish hisen e vet edhe shqiptarëve./Indeksonline/


