KKVITI

Thaçi: Shpend Ahmeti, i pashpresë për prishtinasit

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi do të kandidojë sërish edhe për një mandat në zgjedhjet e këtij viti. Në një intervistë për Kosovapress, Thaçi thotë se është i pakënaqur me reformat zgjedhore, por se kaq kishin mundësi të bënin.

Për zgjedhjet, thotë se shumë shpejt do të dihet data. Kurse, për vizat e fajëson Brukselin që është i padrejtë me Kosovën. E sa i përket Shpend Ahmetit, ai thotë se është i pashpresë për qytetarët.

Kosova, sipas Thaçit nuk ka nevojë për një Tribunal për krime lufte, meqë vendi ka funksional sistemin e drejtësisë, duke llogaritur këtu edhe pranin e misionit të EULEX-it që merr pjesë më prokuror dhe gjyqtar të BE`së.

Mocioni i AAK-së për rrëzimin e qeverisë, sipas Thaçit është e drejt e çdo partie politike, por që nuk është momenti për një gjë të tillë.

Fundamenti

“Vlerësoj se është në të drejtën e çdo partie politike, që të merr iniciativa, që mendon se duhet lëvizur, por në të njëjtën kohë vlerësoj se në këtë proces të konsolidimit të shtetit tonë, të forcimit të Kosovës, të njohjeve që kemi fituar prej bashkësisë ndërkombëtare, prej vendeve të ndryshme të botës 106, në një proces të liberalizimit të vizave dhe procesit të stabilizim-asocimit, na duhen veprime të koordinuara, të bashkërenditura, jo befasuese për skenën politike. Qeveria e Kosovës vazhdon të punoj me përgjegjësitë dhe autoritetin e saj kushtetues dhe ligjor, është e drejt e çdo subjekti politik të ndërmerr veprime që mendojnë se kanë fuqinë apo që janë legale, ndërsa në anën tjetër vlerësoj se AAK ka luajtur rolin e vet pozitiv në procesin e negociatave apo dialogut në Bruksel me Serbinë, vlerësoj për mbështetjet që ka dhënë për reformat demokratike dhe perspektiven evropiane për institucionet e Kosovës, vlerësoj angazhimin në reformën zgjedhore kështu që me spektrin politik, si subjekte politikë janë shumë ma shumë gjëra, që na ofrojnë e bashkojnë sesa që na ndajnë”, thotë lideri i PDK-së.

Reforma zgjedhore, sipas kryeministrit të vendit nuk është ajo që kanë pretenduar, por kaq kanë mundur të bëjnë ai dhe liderët e partive politike në vend.

Sa i përket zhvillimeve në Prishtinë, ai thotë se qytetarët e ndëshkuan qeverisjen e udhëhequr nga Isa Mustafa.

“Besoj sa i përket rezultatit zgjedhor qytetarët e kanë dhënë opinionin e vet që ka qenë ndëshkim për qeverisje të dështuar në Prishtinë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, konkretisht nga z. Mustafa. Ndërsa, sa i përket kryetarit aktual nga ajo që shoh është i pashpresë për qytetarët se mund të bëjë një ndryshim”, ka thënë ai. /Telegrafi/