Thaçi po na tradhton

AKR’së nuk po i pëlqen afrimi i partnerit të tyre, PDK’së, me AAK’në. Njerëzit e Behgjet Pacollit ndihen të tradhtuar. Myzejene Selmani thotë se Hashim Thaçi po luan lojëra në prapaskenë. Ajo paralajmëron se nëse AAK’ja hyn në Qeveri, AKR’ja del në opozitë.
Partia e Behgjet Pacollit po vazhdon të informohet nga mediat për afrimin e PDK’së dhe AAK’së, si dhe mundësinë e një koalicioni mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt.
Zyrtarët e AKR’së, e cila i ka vetëm tre deputetë në Kuvend, janë zënë në befasi kur kanë lexuar qëndrimet e udhëheqësve të PDK’së, të cilët janë shprehur pro një koalicioni me AAK’në.
Shefja e Grupit Parlamentar të AKR’së, Myzejene Selmani ka thënë se nëse realizohet koalicioni mes PDK’së e AAK’së, atëherë Kosova shkon drejt një qeverie teknike.
“Mirëpo, PDK’ja duhet të ketë kujdes në rast se mendon se duhet të hyjë edhe një parti në koalicion, atëherë definitivisht Kosova po rrëshqet drejt një qeverisjeje teknike. Kjo i bie që të gjitha partitë politike do të jenë në Qeveri”, ka parashikuar Selmani.