Mobi Casa

Thaçi: Po ia ndryshojmë imazhin Kosovës, tash jemi shembull i bashkëpunimit dhe pajtimit

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara dhe në misionet e shteteve në Nju-Jork, delegacioni i Kosovës ka takuar përfaqësues të shumë shteteve nga tërë kontinentet. Këto takime, zëvendëskryeministri Thaçi i vlerëson si shumë të rëndësishme.

Në një intervistë për Indeksonline, ai ka thënë se në të gjitha takimet me delegacionet e shteteve është përçuar mesazhi se tash Kosova është shembull i bashkëpunimit, i dialogut, i pajtimit, i zhvillimit dhe se ato Kosovën e shohin me një imazh krejt tjetër, me një imazh të një Kosove të rindërtuar, të kthyer kah zhvillimi, kah e ardhmja më e mirë për të gjithë qytetarët e saj.

Indeksonline: Zëvendëskryeministër Thaçi, ju sapo u kthyet nga Nju-Jorku. Cili ishte qëllimi i vizitës pasi Kosova nuk mund të marrë pjesë në mbledhjet e Kombeve të Bashkuara, meqë nuk është e pranuar si anëtare?

Hashim Thaçi: Edhe pse ende nuk jemi anëtar i Kombeve të Bashkuara, ne pranohemi në selinë e organizatës dhe në mbledhjet e saj. Të kujtojmë këtu që çdo tre muaj marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, ku raportojmë për të arriturat e Kosovës.

Kombet e Bashkuara janë një forum shumë i mirë për të promovuar Kosovën në mbarë globin. Kjo vlen veçanërisht për kohën kur mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në fund të çdo shtatori. Kjo është kohë kur në Kombet e Bashkuara vijnë liderë nga i tërë globi. Për neve kjo është një mundësi që të takojmë përfaqësues të shteteve që e kemi më të vështirë t’i vizitojmë, qoftë për shkak të largësisë gjeografike, qoftë për shkak se nuk na kanë njohur ende dhe nuk kemi vendosur marrëdhënie diplomatike.

Në ndërtesën e Kombeve të Bashkuara apo në misionet e shteteve në Nju-Jork patëm mundësi të takonim përfaqësues të shumë shteteve nga tërë kontinentet. Në të gjitha këto takime kemi dhënë mesazhin se tani Kosova është shembull i bashkëpunimit, i dialogut, i pajtimit, i zhvillimit. Me këtë po e ndryshojmë imazhin e Kosovës, që ende kujtohet prej tyre kryesisht si një shtet në luftë apo i shkatërruar nga lufta. Të gjitha delegacionet që i kemi takuar tani shohin Kosovën me një imazh krejt tjetër, me një imazh të një Kosove të rindërtuar, të kthyer kah zhvillimi, kah e ardhmja më e mirë për të gjithë qytetarët e saj, shohin një Kosova si eksportuese të stabilitetit.

Indeksonline: Si e dërguat këtë mesazh?

Hashim Thaçi: Në të gjitha takimet që kemi pasur dhe për pesë ditë kemi pasur takime të shumta, kemi pasur agjendë shumë të ngjeshur, kemi treguar për të arriturat e Kosovës. Sot më nuk jemi në lajmet e botës. Në njëfarë mënyre kjo është gjë e mirë, sepse do të thotë që në Kosovë nuk ndodh asgjë e keqe, që të bëjë Kosovën lajm në botë. Kemi treguar që Kosova ka rritje të vazhdueshme ekonomike, që na shpallja e pavarësisë dhe atë në kohën kur i tërë globi ishte në krizën më të rëndë financiare, por edhe se po kërkojmë të shtojmë këtë rritje, pasi Kosova ka nevojë për shkallë më të lartë të rritjes ekonomike. Kemi treguar se po ndërtojmë kornizë ligjore dhe infrastrukturore që favorizon zhvillimin ekonomik.

Kemi treguar se Kosova, me procesin e dialogut është e përkushtuar për të ardhme në paqe dhe stabilitet, për sundim të ligjit dhe se kemi pasur fatin që në këtë të kemi prezencë dhe përkrahje ndërkombëtare që nga fundi i luftës. Kemi treguar se jemi shoqëri e tolerancës dhe e bashkëjetesës, vend shembull edhe për të tjerët.
Është e rëndësishme që shteteve të ndryshme të botës, sidomos atyre jashtë kontinentit tonë, t’ua kujtojmë Kosovën, të vlerësohen të arriturat e shtetit tonë, si dhe të njihet shteti i Kosovës dhe të pranohet në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.

Anëtarësimi në UNESCO dhe në INTERPOL janë me interes për Kosovën, por edhe për tërë globin, pasi kështu jepet mesazhi se bota promovon vlerat që paraqet sot edhe Kosova, që janë dialogu, pajtimi, bashkëpunimi, toleranca, zhvillimi. Të gjitha këto simbolizohen me UNESCON.

Por, Kosova po dëshmohet edhe anëtare e rëndësishme për sigurinë. Për këtë po sigurojmë përkrahje edhe për anëtarësimin në INTERPOL.

Indeksonline: Përveç takimeve bilaterale me delegacionet e shteteve të ndryshme, keni pasur edhe takime me organizata tjera?

Hashim Thaçi: Në raste të tilla, kur shumica e liderëve janë në një vend, synohen sa më shumë takime. Kemi shfrytëzuar mundësinë që na është dhënë që të takojmë edhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kemi takuar zyrtarë të lartë të shtetit me të cilët kemi biseduar për të arriturat e Kosovës dhe për synimet tona. Kemi biseduar për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës dhe për vendosjen e dialogut politik mes Kosovës dhe NATO-s. Kemi biseduar për nevojën që të vazhdohet përkrahja e Kosovës, sidomos aspiratat për të tërhequr sa më shumë investitorë të huaj në Kosovë.

Mobi Casa

Kemi takuar edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, komisionerë dhe përfaqësues të institucioneve dhe organeve tjera. Në këto takime kemi kërkuar që të nënshkruhet sa më parë Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim dhe që deri në fund të vitit të jepet rekomandimi për liberalizim të vizave për Kosovën, pasi tanimë Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret që i janë vendosur.

Kemi pasur takime edhe në nivel të organizatave rajonale, në kuadër të “Western Balkan 6” dhe “SEECP” apo Procesi për Bashkëpunim në Evropën Jug-Lindore. Në këto takime u bisedua për thellimin e bashkëpunimit rajonal. U theksua se Procesi i Berlinit e ka konfirmuar fuqishëm përkushtimin e BE-së që Ballkani Perëndimor sa më parë të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, si dhe vazhduam diskutimet për temat e hapura në Samitin e Vjenës, me projekte konkrete për infrastrukturën, energjinë, bashkëpunimin mes të rinjve, por edhe për përgatitjet për samitin që do të mbahet vitin e ardhshëm.

Pra, kemi pasur një numër shumë të madh të takimeve bilaterale, por edhe në kuadër të forumeve dhe organizatave të ndryshme në të cilat kemi prezantuar Kosovën, të arriturat e saj, por edhe nevojat e saj dhe kemi eksploruar format e thellimit të bashkëpunimit.

Indeksonline: A ka qenë e nevojshme që Kosova megjithatë të përfaqësohet me delegacion aq të madh në New York?

Hashim Thaçi: Në të vërtetë, asnjëherë nuk kemi qenë delegacion më i vogël në Nju-Jork. Sikur të kishim qenë më shumë, do të kishim pasur edhe më shumë takime e sigurisht edhe më shumë sukses në përfaqësimin sa më të mirë të Kosovës. Është e rëndësishme se të gjithë ne që ishim në Nju-Jork kemi folur njëzëri për të arriturat e Kosovës, kemi qenë të koordinuar në mesazhet, por edhe në kërkesat që kemi prej bashkësisë ndërkombëtare.

Indeksonline: Po duket që keni qenë shumë i zënë. A keni pasur kohë të çlodheni?

Hashim Thaçi: Është vërtetë një javë e ngarkuar, por mundësi që na jepet vetëm një herë në vit, prandaj edhe mundohemi ta shfrytëzojmë sa më shumë. Edhe mëngjeset, drekat dhe darkat në pjesën më të madhe janë takime pune. Çlodhja më e mirë janë takimet me komunitetin shqiptaro-amerikan, të ulemi dhe të dëgjojmë për sukseset e tyre, për jetën e tyre, për fuqizimin e tyre si komunitet.

Indeksonline: As në Kosovë nuk duket se do të keni mundësi të çlodheni. Kuvendi është i bllokuar dhe duket se vendi po hyn në krizë politike?

Hashim Thaçi: Nuk ka bllokim as të Kuvendit, as të Qeverisë dhe jemi larg krizës politike. Në Kuvend kemi përpjekje të pengimit të punës së rregull nga partitë opozitare, kemi uzurpim të hapësirës që duhet të shfrytëzohet për të mirën e qytetarëve dhe kjo është krejtësisht në kundërshtim me rregullat e punës së Kuvendit, por edhe në kundërshtim me rregullat e vetë demokracisë. Po presim që vetë opozita ta kuptojë se është duke vepruar kundër institucioneve të shtetit, kundër vetë Kosovës.
Si qeveri, Kosova asnjëherë nuk ka pasur koalicion qeverisës më të fuqishëm dhe më stabil. Vështrimin e kemi kah të arriturat, si MSA-ja dhe liberalizimi i vizave, formimi i FAK-ut dhe anëtarësimin në Partneritetin për Paqe, anëtarësimin në UNESCO, INTERPOL, UEFA e FIFA, në Këshillin e Evropës dhe në shumë institucione tjera, e kemi edhe kah Procesi i Berlinit dhe zhvillimi ekonomik.

Këto të arritura tonat sigurisht që e acarojnë opozitën politike. Por, ata duhet të veprojnë me mjete politike e jo të kërcënojnë me dhunë

Indeksonline: Ju vetë keni tërhequr vëmendjen në postimet tuaja, me foto atraktive në mediat sociale. Prej nga do të jetë postimi juaj i ardhshëm? A do të jeni, për shembull në Elbasan Arena, për ndeshjen futbollistike të Shqipërisë kundër Serbisë?

Hashim Thaçi: Futbolli është një prej mënyrave të mia të preferuara që të çlodhem, të largojë për pak kohë mendjen nga politika dhe të kalojë kohë të këndshme me familjen, sidomos me djalin, Endritin. Kombëtarja e Shqipërisë më shumë se gjysmën e lojtarëve i ka nga Kosova. Pra, në njëfarë mënyre është edhe ekip i Kosovës. Ndeshja që Serbia do të zhvillojë kundër Shqipërisë është në njëfarë mënyre edhe ndeshje futbollistike me Kosovën dhe një hap tjetër drejt njohjes së Kosovës. Do të shoh nëse agjenda e angazhimeve të mia do të më lejojë të udhëtojë për në Elbasan-Arena. Edhe nëse nuk do të jem atje me trup, do të jem atje me mendje dhe me zemër./Indeksonline/