Thaçi për mediat gjermane: Deputetët do të vendosin ndërmjet lirisë dhe izolimit të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për media të ndryshme gjermane ka theksuar se pas vonesave të paarsyeshme të Bashkimit Evropian, tani vendimi për liberalizimin e vizave është në duart e deputeteve të Kosovës.
Ai ka theksuar se deputetët e Kosovës e kanë në duar liberalizimin e vizave.“Ata vendosin ndërmjet lirisë dhe izolimit”, ka thënë Thaçi për Frankfurter Rundschau dhe Badische Zeitung, transmeton “Zeri.info”. Gazetat shkruajnë se Kosova ndihet e fyer, ngase Bashkimi Evropian nuk ua heq vizat.
Sipas këtyre mediave në Kosovë paguhet me euro.
“Pothuajse në çdo fshat të këtij vendi, brenda pak minutave mund të gjesh dikën që flet rrjedhshëm gjermanisht. Kosova është shteti më pro evropian”, thuhet në raportin e këtyre mediave.
Autori i këtij shkrimi, njohës i mirë i Ballkanit, Norbert Mappens-Niedik, shkruan se Kosova është i vetmi shtet në Evropa që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë.
Sipas tij, fillimisht skepticizmi ishte në anën e shteteve perëndimore të BE-së, por tani vendimi i kosovarëve.
“Evropa dhe protektorati i tyre janë duke u ndarë nga njëri-tjetri”, thuhet në këtë shkrim, duke përmendur faktin që tashmë Gjeorgjia dhe Ukraina gëzojnë të drejtën e lëvizjesh pa viza në Evropë, përcjell “Zeri.info”.
Në shkrim thuhet se Kosovës i ka mbetur vetëm një kriter paplotësuar – Parlamenti i Kosovës duhet të ratifikojë Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.
“Vetëm ky kriter ka mbetur pa u përmbushur”, ka thënë presidenti Thaçi.
Sipas tij, kjo i është thënë atij gjatë vizitës që ka pasur në Bruksel.
“Tani gjithçka është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, ka shtuar Thaçi.
Këtë e thotë edhe ish-raportuesja për Kosovën dhe zëvendëspresidentja e Parlamentit Evropian, Ulricke Lunacek. Sipas saj, ka pasur përparime në luftimin e korrupsionit.
Presidenti Thaçi thotë se me ngritjen e aktakuzave kundër ministrave, kryetarëve të komunave etj., Kosova ka përmbushur edhe këtë kriter.