Thaçi, opozitës: Me asnjë çmim nuk do të lejojmë shkatërrimin e shtetit

Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se sot tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë, por nuk harroi sipas Thaçit të bëjë kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë, duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale.
Në një postim në rrjetin sociale Facebook, Thaçi shprehet:
“Opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se sot tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë.
Natyrisht, nuk harruan të bëjnë kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale.
Opozita sot vendosi të mos vazhdojë shkatërrimin e institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, jo për shkak se e kanë kuptuar se sa të dënueshme janë veprimet e tyre të dhunshme.
Ata sot po pushojnë për të blerë kohë që të gjejnë njerëz të tjerë të dhunshëm kudo që munden sepse radhët e tyre po rrallohen. Por, kjo nuk e befason askënd.
Të gjithë qytetarët e Kosovës në mënyrë të bashkuar po dënojnë dhunën e shfrenuar të opozitës për marrjen e pushtetit. E gjithë bota demokratike, SHBA-ja dhe BE-ja i dënojnë dhunën dhe metodat e dhunshme. Prandaj, nuk është e rëndësishme se çfarë strategjie përdorë ky grup i dhunshëm.
Ata mund të tërhiqen sot, por qytetarët dhe institucionet shtetërore nuk do të tërhiqen kurrë sepse me asnjë çmim nuk do të lejojmë shkatërrimin e shtetit nga një grup opozitar i dhunshëm”. /Telegrafi/