Fundamenti

Thaçi, opozitës: Marrëveshjet i keni vetëm pretekst për zgjedhje të reja

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Italisë, Paolo Gentiloni. Thaçi në këtë takim tha se realiteti i Kosovës nuk është ai i gazit lotsjellës dhe se marrëveshjet janë vetëm pretekst për të nxitur zgjedhje të reja, për të cilat realisht nuk ka nevojë.

Zëvendësministri Thaçi e njoftoi ministrin Gentiloni për të arriturat e Kosovës, duke përfshirë hyrjen në marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Asociimit, dhe raportin pozitiv në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Thaçi është shprehur se Kosova pret rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët në fillim të vitit të ardhshëm.

Ai theksoi se Kosova është burim i stabilitetit në rajon dhe nënvizoi përkushtimin e shtetit të Kosovës për dialog me fqinjët si për zbatimin e marrëveshjeve të arritura e të cilat janë në përputhje me kushtetutën, ligjet dhe interesat e Kosovës.

Mobi Casa

Duke u përgjigjur në interesimin për zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, zëvendëskryeministri Thaçi tha se realiteti i Kosovës nuk është ai i gazit lotsjellës.
“Marrëveshjet janë vetëm pretekst për të nxitur zgjedhje të reja, për të cilat realisht nuk ka nevojë”, shtoi Thaçi.

Përkitazi me marrëdhëniet bilaterale, zëvendëskryeministri Thaçi u shpreh se Kosova dhe Italia gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera bilaterale.
“Bashkëpunimin tonë duhet ta zgjerojmë edhe në ekonomi, meqë Italia është aktore e rëndësishme në rajon”, tha Thaçi.

Ndërkaq, shefi i diplomacisë italiane, Paolo Gentiloni, nënvizoi se Italia mbështet dinamikën e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës dhe se e përkrah aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.
Gentiloni u pajtua se duhet të thellohet bashkëpunimi ndërshtetëror në rrafshin ekonomik, por edhe në fushën e sigurisë. /Telegrafi/