Thaçi: Opozita në Kuvend, veprime si të milicisë serbe

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën “Shekulli”, ka komentuar zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, ndërsa thotë se ato i ngjajnë veprimeve të milicisë serbe të viteve 90’. Vetëm pak orë pasi ka dalë me një fitore nga godina e UNESKO-s, në Sheshin “Fontenoy” të Parisit, Hashim Thaçi ndihet ndoshta më i qetë për të komentuar zhvillimet politike në Kosovë.
Zhvillime që nuk janë aspak të qeta prej disa javësh, por që përbëjnë edhe një sfidë për klasën politike dhe vetë shtetin ende të ri të Kosovës. Ish-luftëtari i dikurshëm, i cili tashmë udhëton drejt Parisit, jo për të firmosur marrëveshje për t’u dhënë fund luftërave, por për ta përfshirë Kosovën në një organizatë ndërkombëtare për arsimin, shkencën e kulturën, e fton “Vetëvendosje”-n të rishikojë qëndrimin e saj, shkruan ‘Shekulli’.
Për numrin dy të qeverisë dhe kreun e diplomacisë, Lëvizja që hedh gaz lotsjellës në Kuvend, ndoshta bën mirë të rikthehet në një shoqatë joqeveritare.
“Ka pasur një radikalizim të paarsyeshëm të opozitës në periudhën e fundit që kulmoi me aktin vandal e të neveritshëm të përdorimit të një arme kimike, siç edhe është bomba me gaz lotsjellës, për të penguar fizikisht zhvillimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është tempull i shenjtë i demokracisë dhe institucioni ligjvënës i Kosovës. Këto veprime të shëmtuara përbëjnë një sulm dhe dëshmojnë një mungesë të theksuar të respektit për demokracinë dhe ligjin, që janë vlerat themelore ku mbështetet shoqëria dhe shteti ynë. Hera e fundit kur altari i vullnetit të popullit të Kosovës është përdhosur në këtë mënyrë të rëndë ka qenë korriku i vitit 1990, kur policia serbe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe okupoi Kosovën me mbi 30 mijë trupa, pasi kishte suprimuar autonominë një vit më herët. Atëbotë milicia serbe i pengoi fizikisht me dhunë delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, duke i detyruar ata që Deklaratën Kushtetuese për shpalljen e Kosovës, si njësi e veçantë në kuadër të Federatës së Jugosllavisë, ta bënin duke u tubuar jashtë ndërtesës së uzurpuar. Ne kemi luftuar dhe punuar shumë që populli i Kosovës sot të jetë i lirë dhe i pavarur e të mund ta shprehë vullnetin e tij nëpërmjet Parlamentit legjitim të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme e nuk do të lejojmë askënd që të pengojë funksionimin e institucioneve të demokracisë dhe ligjit”, është shprehur Thaçi.