RCCOLA

Thaçi nuk alokoi fondin 5.5 milionësh për fëmijët me leukemi

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Megjithëse duhej të ndodhte të hënën, fondi prej 5.5 milionë eurove, i premtuar nga kryeministri Thaçi, ende nuk është në shfrytëzim nga fëmijët me sëmundje të leukemisë.

Prindërit e fëmijëve të sëmurë janë shprehur se janë mashtruar nga qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë, pasi të vetmin ngushëllim e kishin këtë fond për trajtimin e fëmijëve të tyre jashtë institucioneve shëndetësore të vendit.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kanë mbetur të plotësohen vetëm çështje teknike që ky fond të jetë i shfrytëzueshëm nga fëmijët e prekur nga sëmundja e leukemisë.

Kushtet financiare nuk ua mundësojnë të marrin çdo ditë terapitë përkatëse për fëmijët e tyre dhe për këtë qëllim me shumë ngulm kërkojnë të zbatohet ky vendim e t’i shpëtojnë fëmijët e tyre, raporton KTV.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se fondi prej 5.5 milionë eurove ende nuk është alokuar në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi sipas tij, kanë mbetur të plotësohen disa çështje teknike.

RCCOLA

“Shumë shpejt ky fond do të jetë në shërbim të fëmijëve të sëmurë nga leukemia dhe për realizimin e këtij premtimi kanë mbetur të plotësohen disa çështje teknike. Me transferin e fondeve, rastet që kanë aplikuar për shërim jashtë vendit do të trajtohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Por, nga ky fond prej 5.5 milionë eurosh do të ndahet një shumë që do të mundësojë ngritjen e kapaciteteve brenda Klinikës së Pediatrisë që të trajtohen ata fëmijë të cilët nuk kanë nevojë për shërim jashtë vendit”, ka thënë Hoti.

Por, as ky repart nuk funksionin siç duhet. Që në orën 14 askush prej mjekëve nuk ishte në vendin e punës.

Familjarët megjithëse nuk pranojnë të flasin para kamerës, nuk janë të kënaqur me kushtet në klinikë ngase për çdo gjë duhet të kujdesen vetë.

Vendimin për krijimin e fondit prej 5.5 milionë eurove për fëmijët e sëmurë nga leukemia e mori kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, pas reagimeve të deputetëve kundër rritjes së pagave.

Përndryshe deri në këtë moment, kryeministri asnjëherë nuk kishte vizituar këtë repart apo ndonjë tjetër në QKUK. /Koha.net/Telegrafi/