Thaçi në OKB, thirrje për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, po mbahet seanca e rregullt ku po diskutohet raporti tre-mujor për Kosovën.
Në këtë seancë, kryeministri Hashim Thaçi ka përmendur si progres mbajtjen e zgjedhjeve lokale në të gjitha komunat e Kosovës, procesin e integrimit evropian dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë.
“Fillimisht, pasi që pak ditë Republika e Kosovës do të festoj 6-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së saj, të njohur tashmë nga 105 vende prej të gjitha kontinenteve të botës, i falënderoj të gjitha shtetet që e kanë njohur shtetin e Kosovës dhe gjithashtu iu bëj thirrje vendeve të tjera, duke përfshirë anëtarët e KS të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, që të marrin ketë hap dhe të bashkohen me botën demokratike në përkrahjen e Kosovës si anëtar i barabartë dhe i plotë i bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi para të pranishmëve.
Ai ka thënë se integrimi i Kosovës në BE është synimi ynë parësor dhe i pa-alternativë, si rrugë e modernizimit dhe konsolidimit të rajonit në familjen evropiane.
Thaçi ka folur edhe për ekonominë, duke thënë se në vendin tonë po vazhdojnë trendet pozitive të stabilitetit ekonomik e financiar, që, sipas tij, “reflektohen në buxhetin për vitin 2014, i cili është i bazuar në burime të qëndrueshme dhe ka si veçori kryesore – rritjen e mirëqenies qytetare”, duke parashikuar një rritje ekonomike me mbi 4%.
Sipas Thaçi, rëndësi të madhe për popullin e Kosovës është se pjesërisht mori fund edhe izolimi prej më shumë se 2 dekadash ndaj sportistëve të Kosovës ku FIFA ka arritur mirëkuptimin që Kosova të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare. “Ndërsa zhvillime akoma më të mira kemi nga Federata Evropiane e Hendbollit, që i lejon Kosovës të zhvillojë ndeshje ndërkombëtare pa kushtëzime”, ka thënë Thaçi.
Thaçi tha se në prill të këtij viti bëhen një vjet nga marrëveshja e parë Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila, sipas opinionistëve dhe diplomatëve botërorë, “duhet të shërbejë si model për të zgjedhur kontestet që shqetësojnë rajonin dhe me gjerë”.
Në fund, ai ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që të konsideroj transformimin e UNMIK-ut në zyrë politike të OKB-së “me qëllim të përfaqësimit të Agjencioneve të Specializuara dhe politikave të OKB-së si dhe të ndihmojë Republikën e Kosovës në realizimin e aspiratave të vendit tonë për të ju bashkuar komunitetit të kombeve të lira”.
Nga ana tjetër, kryeministri serb, Ivica Daçiq, është shprehur se Serbia është e gatshme për normalizim të raporteve dhe për pajtim në rajon. Daçiq ka theksuar se Serbia është e gatshme për dialog, që është edhe qëllim i zgjidhjes së të gjitha çështjeve, por ka thënë se nuk është e as që do të jetë e gatshme që ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Ia kujtojmë Prishtinës se gatishmëria e Serbisë për dialog dhe kompromis nuk do të thotë se ne jemi dobësuar dhe që këtë ta shfrytëzojnë për afirmimin e shpalljes së njëanshme të pavarësisë”, ka porositur Daçiq në seancën e OKB-së për gjendjen në Kosovë.
E përfaqësuesi rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Vitali Churkin, ka përmendur pjesëmarrjen e shqiptarëve në luftëra fetare. Ai ka thënë se rreziku vjen sidomos kur ata kthehen në vend.