UBT

Thaçi në Kushtetuese

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese presidentin e zgjedhur, Hashim Thaçi. Duke u bazuar në rastin “Pacolli”, ata thonë se zgjedhja e tij është jolegjitime. Vetë Thaçi nuk shqetësohet, duke besuar se ekspertët ndërkombëtarë nuk e kanë “tradhtuar” lidhur me procedurat e zgjedhjes.

Hashim Thaçi mund të jetë presidenti i tretë i Kosovës, i cili shkarkohet nga detyra e tij për shkak të shkeljeve kushtetuese, të cilat mund të jenë bërë gjatë zgjedhjes së tij në Kuvend. Fatin e tij tashmë e ka në duar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila dje ka marrë edhe zyrtarisht ankesën e opozitës së bashkuar, e cila konteston zgjedhjen e tij si president të vendit.

Opozita në ankesën e saj, megjithëse nuk ka zbuluar shumë detaje, ka thënë se si pika kryesore, të cilat qëndrojnë në lëndën e tyre drejtuar Kushtetueses kanë të bëjnë me numrin e deputetëve në sallë, si dhe pauzat e mëdha brenda raundeve të votimit. Mirëpo, i qetë me vendimin e opozitës duket të jetë vetë akteri kryesor, Hashim Thaçi.

Fundamenti

Ai është i sigurt se është zgjedhur në mënyrë demokratike. “Opozita mund ta konsultojë Kushtetuesen, mirëpo nuk ka arsye. Për procesin e zgjedhjes time president, ne jemi konsultuar me ekspertë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe të gjithë e kanë përkrahur procesin”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, edhe njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se edhe Gjykata do ta ketë të vështirë t’i shmanget precedentit që ka krijuar me presidentin Pacolli./zeri/