Fundamenti

Thaçi në Gjilan: Jap dorëheqje nëse nuk i mbajë premtimet

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Hashim Thaçi gjatë një takimi me elektoratin e ish Gavranit tani Dardania tha se jep dorëheqje nëse nuk i realizon premtimet rreth ngritjes së pagave. Ne premtojmë sepse guxojmë të marrim vendime të rëndësishme e të drejta. Thaçi ka folur edhe për dialogun me Serbin për të cilin tha se janë ulur si fitues derisa për zgjedhjet tha se janë historike.

Hashim Thaçi lider i PDK-së dhe kryeministër i vendit është treguar shumë i vendosur kur ka folur rreth premtimeve që lidhen me pagat rreth mësimdhënësve dhe shërbyesve tjerë civil, raporton rajonipress.

Thaçi gjatë një takimi me elektoratin e ish Gavranit e tani Dardania tha se jep dorëheqje nëse nuk realizohen premtimet e tij. “Ne premtojmë sepse kemi guxim të marrim vendime të rëndësishme dhe të drejta. Dhe ky vendim për rritjen e pagave është real dhe unë i mbajë premtimet” tha Thaçi.

Thaçi ka kërkuar nga banorët e Dardanisë që ta votojnë Qemajl Mustafën.”Unë sonte jam në shërbim të Gjilanit evropian sepse këtu dhe në përgjithësi në Kosovë kanë ndodhur ndryshime dramatike. Edhe në Gjilan nën udhëheqjen e Qemajl Mustafës kanë ndodhur ndryshime dramatike dhe ju premtojmë se Gjilani asnjëherë më nuk do të mbetet në terr e lloç. Qemajl Mustafa është lider që shikon kah e ardhmja derisa të tjerët po mundohen të riciklohen dhe të kompensojnë humbjet e tyre në Prishtinë”.

Thaçi tha se në Gjilan kanë ndodhur investime të shumta dhe ngjashëm do të ndodhë edhe në të ardhmen.”Unë do jem në Gjilan edhe kur do të fitojmë dhe kur të kërkoni projekte . Sot isha në disa qytete të Kosovës dhe ajo që është e rëndësishme mbizotëron fakti se PDK-ja po përkrahet masovikisht”.

RCCOLA

Thaçi tha se në Gjilan e kanë më lehtë qytetarët sepse këtu është njeriu i duhur, njeriu që i ka trajtuar më mirë se çdo kryetar tjetër hallet dhe nevojat e qytetarëve të Gjilanit. ”Qemajl Mustafa pa asnjë hezitim do të jetë fitues me një fitore të thellë dhe bindëse” tha Thaçi.

Thaçi tha se kemi marrë vlerësime shumë pozitive për fushatën zgjedhore e cila po kalon e qetë dhe pa tensione.”Do ta ndryshojmë Kosovën për të mirë, edhe pse kemi shumë kundërshtar e armiq, megjithatë progresin e Kosovës nuk mund ta ndalë askush”.

Thaçi duke folur rreth dialogut me Serbinë tha se atje kanë dalur fitues sepse janë ulur me simbole shtetërore të të dyja palëve. Edhe për zgjedhjet tha se janë historike sepse për herë të parë po ndodhë integrimi i të gjithë serbëve në jetën shtetërore të Kosovës.

Kurse, Qemajl Mustafa tha se gjilanasit asnjëherë nuk e kanë pasur më mirë sesa nën udhëheqjen e PDK-së. “Kemi pasur investime në të gjithë sektorët dhe ju lusim edhe kësaj radhe që të na fuqizoni më shumë për të ndërtuar në lagjen tuaj edhe një çerdhe , një kopsht dhe ta bëjmë Dardaninë lagje Evropiane” tha Mustafa.

Ndërsa Izmi Zeka tha se Dardania është pjesa më elitare në qytet. Në fund janë prezantuar kandidatët për këshilltar komunal nga kjo lagje Mimoza Shkodra ,Jyksel Gjinolli – Sylejmani
dhe Bajram Hasani./rajonipress/