RCCOLA

Thaçi: Ndryshime kushtetuese në vend të Rezolutës për Luginën

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kryeministri Hashim Thaçi, ka propozuar që në vend të një Rezolute të Kuvendit të Kosovës, siç kishte propozuar deputeti nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri, të nisë ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës, duke ndryshuar Pikën 4 që do të sanksiononte të drejtën e Kosovës për t’u kujdesur për shqiptarët jashtë kufijve, në bazë të të drejtës ndërkombëtare.

“E mirëkuptoj vullnetin e deputetit Haziri, por mendoj se kjo çështje nuk zgjidhet me politikë stinore paraelektorale. Rezolutat kanë një karakter të përkohshëm, por shumë rezoluta janë heshtur deri më tash, e nuk do të dëshiroja që të kështu të ndodhte edhe për Rezolutën për këtë pjesë”, ka thënë kryeministri Thaçi, në seancën e sotshme të Kuvendit të Kosovës.

Kreu i ekzekutivit ka thënë se çështjen e shqiptarëve atje e ka përmendur në çdo takim që kanë pasur brenda dhe jashtë vendit, ndërsa ka thënë nuk mund të ketë normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë pa u zgjidhur çështja e shqiptarëve në Luginë.

Kryeministri Thaçi ka thënë se megjithatë nuk mund të bëhet një balancë ndërmjet veriut të Kosovës dhe shqiptarëve të tri komunat me popullsi shqiptare në këtë pjesë të Serbisë.

Ndërkohë, iniciuesi i këtij debati parlamentar, deputeti Lutfi Haziri ka thënë se miratimi i kësaj Rezolute të Kuvendit është e domosdoshme për të kanalizuar veprimet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve atje.

“Duhet të hapet një zyrë në Prishtinë dhe një në Gjilan, për të mbrojtur të drejtat e tyre. Qeveria duhet ta shtojë më shumë kujdesin, ata nuk janë refugjatë, por të ikur nga presioni”, ka thënë Haziri.

Mobi Casa

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet që të bëjë presion ndaj bashkësisë ndërkombëtare që Serbia të ndalë presionin në Luginën e Preshevës.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Libun Aliu i ka quajtur hipokrite fjalimet e përfaqësuesve qeveritarë për çështjet e shqiptarëve, pasi më parë është nënshkruar marrëveshja me Serbinë, ndërsa çështja e Preshevës nuk është përmendur gjatë bisedimeve.

“Kjo i bjen, siç thonë në Preshevë, të bohet muhabet pas pazarit të Mulla Shaqirit. Këtu flitet me fjalë të mëdha. Tash pasi janë normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, ne tash jua japim nga një batanije, ndërsa Dacici vazhdon që të bëjë presion”, ka thënë Aliu.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se nuk duhet që të kërkojmë gjëra që kanë ekzistuar, gjëra që kanë ndodhur përpara.

“Në qeverinë që e ka udhëhequr Ramush Haradinaj ka pasur një zyrë e cila është marrë me çështjen e shqiptarëve atje”, ka thënë Isufi. /Telegrafi/